Të pagjeturit ende ‘flasin’ / T’ia shohim fytyrën e vërtetë Serbisë, sadizmit serb

Aktuale

Të pagjeturit ende ‘flasin’ / T’ia shohim fytyrën e vërtetë Serbisë, sadizmit serb

Nga: Idriz Morina Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 19:04
Nga rivarrimi i nëntë viktimave të masakrës së Rezallës të kryer nga forcat e Serbisë

Çështja e të pagjeturve nuk është thjesht çështje humanitare.

Askush nuk mund ta vë në dyshim se çështja e të pagjeturve në vetvete është çështje humanitare. Derisa flitet për fatet e njerëzve, për trupat e atyre që besohet se të gjithë janë vrarë, gjymtuar e dhunuar madje shumë prej tyre nga forcat e Serbisë, çështja është humanitare.

Pengimi i zbardhjes të së vërtetës, krim politik

Por, fakti që shteti serb gati 23 vjet pas luftës, nuk i ka dorëzuar kufomat e më shumë se 1.600 shqiptarëve (1639), flet qartë, se vendimi është politik. Pra, pengimi i zbardhjes së të vërtetës është dhe bëhet me vendim të institucioneve politikëbërëse.

Serbia ka kryer edhe një krim tjetër të dënueshëm, pengimin e drejtësisë për zbardhjen e krimit.

Mbajtja fshehur e krimeve të ditura nga shteti serb, është akt i dënueshëm nga e drejta ndërkombëtare.

Që të gjithë drejtuesit e shtetit serb, pas Milosheviçit, duhet të dalin para drejtësisë ndërkombëtare, për shkak të fshehjes së krimit, pengimit të drejtësisë, dhe pamundësimin e satisfaksionit të vetëm, që familjarët të kenë mundësinë për t’i varrosur të afërmit, në të gjallë të tyre.

Sa nëna, sa baballarë, vëllezër dhe motra kanë vdekur për këto 23 vjet, pa pasur mundësinë, që t’i varrosin më të dashurit e tyre. Ata e lanë këtë botë me zemrat shkrumb, se nuk ia dolën t’i varrosnin fëmijët apo prindërit e tyre... dhe pamundur ta dinë ndonjëherë se çfarë u bë me trupat, eshtrat që shpresonin një ditë t’ju vinin.

Nëse nuk do të ishte çështje politike, atëherë pse merret politika, institucionet më të larta të Serbisë me këtë çështje?!

Nëse është thjesht humanitare, do të duhej, që askush në Serbi, asnjë institucion politik të mos merrej me çështjen, por vetëm njerëz dhe institucione, të cilave u takon pashmangshëm që të merren me të, si policisë, organeve të hetimit, ekipeve mjekoligjore etj.

Por, jo Serbia, dëshiron të vazhdojë të luajë lojën e saj të çmendur antinjerëzore, antidemokratike, dhe çuditërisht të mos sanksionohet për këto krime.

Serbia të zhdukurit e fundit t’i dorëzojë përnjëherë, brenda 2-3 ditëve

Serbia për 23 vjet, për t’mos i dhënë shans shqiptarëve, diplomacisë dhe mediave, por edhe diplomacisë ndërkombëtare që të akuzohej për krimet masive, e ka zvarritur procesin e zbardhjes së të pagjeturve në mënyrën më të mirë për të, duke dorëzuar për çdo vit nga një numër të vogël eshtrash, duke shmangur me çdo kusht, një vëllim të madh, ashtu siç ka qenë më së miri të ndodhte.

Ndoshta, do të ishte mirë, që Kosova t’i kërkonte Serbisë, dhe Perëndimit, që ajo t’i dorëzojë që të gjitha trupat e viktimave, në të njëjtë kohë, në të njëjtën ditë ose jo më vonë se brenda 3 ditësh, që bota ta shoh edhe njëherë holokaustin e vërtetë që ka ndodhur në Kosovë.

T’ia shoh fytyrën e vërtetë Serbisë, të sadizmit serb. Shtetit që ka nxjerrë regjimet më antinjerëzore dhe më sadiste, drejtuar kryesisht kundër një populli të vetëm, në më shumë se 150 vjet histori mizore.

Si duket, gabimi më i madh është bërë që në Marrëveshjen e Kumanovës nuk është përfshirë një kërkesë e tillë, që Serbia, të detyrohej t’i kthente në Kosovë, që në ditët e para të pasluftës, të gjitha trupat e viktimave të zhdukura.

Ishte koha dhe momenti i duhur. Një Serbi e humbur në luftë, e rrënuar nga lufta, një vend pa mbështetje në Perëndim dhe Europë, veç Rusisë, nuk kishte kushte që të mos i pranonte, Milosheviçi i mundur.

‘Kasapi i Ballkanit’ duhej të detyrohej, që të mos i jepte mundësinë sadistëve rreth tij të kënaqen për tashmë 23 vjet, me dhunën dhe gjakun e shqiptarëve, të tharë në eshtrat e tyre!

Image
Monumenti i të pagjeturve në Prishtinë

Bisedimet

Sipas historianit Dr.Jusuf Osmani, që ka botuar disa vëllime librash për krimet serbe, pas luftës rezultonin 6.057 veta të zhdukur. Por, ende për më shumë se një të katërtën e tyre, nuk dihet asgjë.

Sipas kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, kjo çështje nuk qenka politike, si po provon ta shtjellojë qeveria e Kosovës, por thjesht humanitare: “Është e rëndësishme të bisedohet, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, por nuk është çështje politike siç dëshiron ta prezantojë Kurti, por në radhë të parë humanitare”.

Kjo çështje do të jetë njëra prej atyre, që do të diskutohen të martën në Bruksel, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës, në krye me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, kryenegociator, dhe atij serb.

Sipas historianit Osmani, në luftën e fundit janë vrarë mbi 13,500 veta, fëmijë, gra e pleq, ndërsa janë kryer rreth 400 masakra nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë.

Nuk ka asnjë popull tjetër në botë, që e ka përjetuar atë që ju ka ndodhur shqiptarëve nga fillimi i shekullit të 19-të e deri në fundin e shekullit të 20-të!

Dëbimin dhe asimilimin e dhunshëm të më shumë se 2/3 të popullatës nga tokat e tyre autoktone, vrasje masive, dhe masakra të panumërta, që janë regjistruar të paktën që nga viti 1876 nga Serbia, pastaj gjatë dy luftërave ballkanike, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e deri në luftën e fundit 1998-1999, kur Serbia i ka kryer më shumë se 400 masakra, të dëshmuara këto para syve të gjithë botës.

Të pagjeturit ende ‘flasin’, jo vetëm të atyre rreth 1.600 familjeve, por edhe institucioneve tona, dhe gjithë shqiptarëve. Zërat e tyre duhet t’i dëgjojnë edhe institucionet kredibile ndërkombëtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat