Gjykimi për vjedhjen e 2.1 milionëve, ja çfarë deklaroi zyrtarja e Thesarit për të akuzuarin Labinot Gruda

Aktuale

Gjykimi për vjedhjen e 2.1 milionëve, ja çfarë deklaroi zyrtarja e Thesarit për të akuzuarin Labinot Gruda

Më: 4 prill 2022 Në ora: 09:42 Përditësuar në ora: 14:05 më 04.04.2022
Pamje nga seanca

Zyrtarja e Thesarit thotë se i akuzuari Gruda përdori user-in e tij për tu regjistruar “LDA Group”, ku ka transferuar paratë

Medije Musliu, zëvendësdrejtore për operime në Thesarin e Shtetit, duke i përgjigjur në pyetjet e prokurorit Valdet Gashi, në gjykimin për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit, tha se “LDA Group SHPK”, është regjistruar nga user-i i zyrtarit të thesarit Labinot Gruda, tani i akuzuar, pa asnjë autorizim.

“Nga raporti që kam pranuar me datën 20.10.2020, jam informuar se ky operator, “LDA Group SHPK”, është regjistruar nga user-i i zyrtarit të thesarit Labinot Gruda, i cili këtë qasje nuk e ka pasur me përshkrim të punës as me ndonjë aprovim tjetër por me datën 09.10.2020 rreth orës 11:28, Labinot Gruda ka ndërhyrë në klasën funksionale të user-it të vet me ç’rast i ka dhënë të drejtën që me user të vetin të ketë qasje në regjistrim të furnitorëve në SIMFP”, tha ajo.

Tutje, Musliu në dëshminë e saj tha se menaxhon tri divizione duke qenë në këtë pozitë dhe atë, Divizionin e të Hyrave, Divizionin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave Publike dhe Divizionin e Pagesave.

Me kërkesën e prokurorit Gashi, e njëjta elaboroi funksionimin e Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave Publike (SIMFP), duke thënë se ky sistem është një sistem kontabël  i thesarit, në të cilin regjistrohen transaksionet nga pranimi deri te ekzekutimi i parave publike dhe i cili përmban disa module.

“Sistemi përmban modulin e buxhetit, të hyrave, librin e përgjithshëm, modulin për menaxhimin e cash-it, e ndoshta edhe ndonjë tjetër që tani s’po më kujtohet”, shtoi dëshmitarja Musliu.

Ndërsa në vazhdim ka sqaruar procedurën e regjistrimit të një furnitori ose operatorit ekonomik (OE), në këtë sistem duke thënë se e njëjta procedurë fillon me një kërkesë nga organizata buxhetore me nënshkrim të zyrtarit kryesor administrativ.

Musliu tha se duhet të ju bashkangjiten disa të dhëna si kopjen e regjistrimit të biznesit në ARBK nëse furnitori është operator ekonomik, kopjen e letërnjoftimit të përfaqësuesit të operatorit nëse është SHPK ose të pronarit të biznesit nëse është biznes individual si dhe konfirmimin nga banka për të dhënat e llogarisë bankare të furnitorit.

“Kërkesa me këto dokumente të bashkangjitura dorëzohen në Thesar dhe përcillet nga arkiva e Thesarit te zyrtarët përgjegjës të Thesarit për regjistrim të furnitorëve në sistem”, shtoi ajo.

Po ashtu, duke vazhduar të i përgjigjet në pyetjet e prokurorit Gashi, e njëjta tha se ajo si udhëheqëse nuk kërkon raporte ditore ose javore për të parë se cilët furnitorë regjistrohen në sistem, përveç me ndonjë kërkesë për raste specifike.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Rehana Shahini e cila ka deklaruar se mban pozitën e analistes funksionale në kompaninë “Free Balance” që funksionon në kuadër të Thesarit të Kosovës.

E njëjta ka thënë se kjo kompani ka kontratë me departamentin e Thesarit, ku janë të paraparë katër persona të jenë në përkrahje të thesarit, dy nga ana profesionale dhe dy nga ana funksionale.

Ajo kur është pyetur për procedurën e regjistrimit të furnitorëve në sistem nga ana e prokurorit Gashi, ka thënë se është një departamentin i caktuar në kuadër të thesarit, ku iu paraqiten një grumbull dokumentacionesh që paraqiten nga organizatat buxhetore personalisht dhe regjistrohen në sistem nga zyrtarët e autorizuar.

Si dhe, Shahini shtoi se për tu realizuar një pagesë deri në fund, duhet të regjistrohen të gjitha të hyrat, në mesin e tyre edhe llogaria bankare.

Po ashtu, ajo deklaroi se me sa i kujtohet kur janë raportuar transaksionet e dyshimta të 9 tetorit 2020, këto transaksione janë derdhur në “LDA Group SHPK”, e që sipas saj, ky OE është regjistruar për herë të parë më 09.10.2020 dhe se nuk ka pasur transaksione të mëhershme.

E njëjta është pyetur nga trupi gjykues se nga cila organizatë buxhetore ka qenë “LDA Group SHPK” e regjistruar në sistem si furnitor, e që Shahini është përgjigjur se hulumtimi është bërë nga ajo se si ka shkuar rrjedha e transaksioneve në sistem, e me sa i kujtohet nuk ka pasur organizatë buxhetore me kërkesë për këtë furnitor.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Imer Rudari, i cili ka deklaruar se ka pasur pozitën udhëheqës i divizionit të SIMFP, por që tani ushtron pozitën e zyrtarit certifikues.

Ai tha se procedura e regjistrimit në sistem ka qenë e kontrolluar nga ana e tij si shef i divizionit të SIMFP-së, dhe se procedura për regjistrim sipas tij, fillon me një formular që plotësohet nga zyrtari kryesor i organizatës buxhetore ku i bashkëngjiten letërnjoftimi i pronarit, i biznesit, të dhënat bankare e që tutje dorëzohet në Thesar për arkiv ku protokollohet e më pas bëhet regjistrimi në sistem.

Paraprakisht, në këtë seancë, avokati Tahir Rrecaj, si mbrojtës i të akuzuarit Labinot Gruda ka kërkuar nga trupi gjykues që dëshmitarët e pranishëm të mos dëgjohen me arsyetimin se deklarimet e tyre të dhëna në prokurori lidhen vetëm me pikat e akuzës për të cilat i mbrojturi i tij, Labinot Gruda e ka pranuar fajësinë.

Sipas tij,  dëgjimi i këtyre dëshmitarëve nuk ka të bëj me veprën penale nga pika 4 e aktakuzës, për të cilën vepër gjykata nuk e ka pranuar fajësinë.

Deklarimet e tij janë mbështetur edhe nga mbrojtësit e tjerë, konkretisht avokati Osman Hoxha, si mbrojtës i të akuzuarit Kadri Shala tha se  dëshmitarët e propozuar nga prokurori fare nuk e njohin të akuzuarin Shala dhe pasi që i akuzuari Gruda është deklaruar lidhur me fajësinë, kërkoi që të njëjtit të mos dëgjohen për hir të ekonomizimit të procedurës.

Ndërkaq, prokurori Gashi ka deklaruar se vlerësojnë se dëshmitarët me deklaratën e tyre do ta bëjnë të qartë para gjykatës lidhjen mes veprimeve të të dy të pandehurve dhe sipas tij, do ta vejnë në pah bashkëpunimin e tyre që lidhet me veprën penale të pastrimit të parasë.

Lidhur me këtë, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti refuzoi propozimin e mbrojtësve me arsyetimin se organi i akuzës ka propozuar këta dëshmitarë me pretendimin se do të provohen përmes tyre edhe elementet e veprës penale për të cilën nuk është pranuar fajësia.

Po ashtu, Prokurori Gashi gjatë kësaj seance ka propozuar që të mos dëgjohet dëshmitari Vehbi Neziri, me arsyetimin e i njëjti pasi që punon në kompaninë “Free balance”, vetëm se do vërtetojë të njëjtën gjendje faktike sikurse dëshmitarja e dëgjuar më herët.

Seanca e radhës pritet të mbahet nesër më 5 prill 2022, për të vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në seancën e mbajtur më 11 shkurt 2022 i akuzuari Labinot Gruda e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzat se e dëmtoi buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë. 

Mirëpo, për tu deklaruar mbi fajësinë i akuzuari i dytë në këtë rast, Kadri Shala, seanca ishte shtyrë për një ditë tjetër, me propozim të mbrojtësit të Shalës, avokatit Florent Latifaj, në mënyrë që të konsultohet me të mbrojturin e tij, meqenëse tha se tashmë kanë ndërruar rrethanat.

Në seancën e 28 shkurtit 2022, i akuzuari Shala nuk e pranoi fajësinë për asnjë pikë të akuzës për rastin e njohur si “2 milionëshi”, ndërsa gjykatësi Arben Hoti kishte deklaruar se refuzohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Labinot Gruda, lidhur me veprën penale  të shpëlarjes së parasë, që akuzohet se e ka kryer në bashkëkryerje me Shalën.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Kadri Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në aktakuzën e PSRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.

Ashtu që sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.

Kurse, Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.

Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. 

Gjykimi për vjedhjen e 2.1 milionëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me dëgjimin e Medije Musliut, zëvendësdrejtore për Operime në Thesarin e Shtetit, po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit.

Pas dëgjimit të dëshmitares Musliu, pritet që të dëgjohen edhe Rehana Shahini dhe Imer Rudari.

Sot vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit.

Seanca e fundit për këtë rast, u mbajt më 28 shkurt, në të cilën i akuzuari Kadri Shala u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat që i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 11 shkurt, i akuzuari Labinot Gruda e kishte pranuar fajësinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.

Ashtu që sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.

Kurse, Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëm t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.

Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshmem fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat