Të rinjtë pa njohuri në mbrojtje dhe siguri, ekspertët pro e kundër futjes si lëndë mësimore

Aktuale

Të rinjtë pa njohuri në mbrojtje dhe siguri, ekspertët pro e kundër futjes si lëndë mësimore

Më: 4 prill 2022 Në ora: 10:57
Ilustrim

Me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, si dhe pasigurinë në gjithë Evropën, e posaçërisht në rajonin tonë, janë shtuar zërat që në shkollat dhe fakultetet tona të nis ligjërimi i një lënde të re, asaj për mbrojtje dhe siguri. Megjithatë, ka edhe të atillë që thonë se nuk ka nevojë për lëndë të tilla.

Serbia e cila po mbron agresionin rus në Ukrainë, kohë pas kohe kërcënon edhe Kosovën, investon me miliona euro në mjetet ushtarake, madje në bazë të të dhënave shuma e investimeve në ushtri, është aq e lartë sa të gjitha vendet e rajonit po të bëheshin bashkë, nuk investojnë as shumë.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur disa herë që Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën dhe Bosnjën. Në gjithë këtë atakim global të sigurisë, Kosova ka rritur buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe ka themeluar fondin për sigurinë, në të cilën qytetarët po kontribuojnë me para për ushtrinë. Megjithatë, ende nuk ka nis shërbimi ushtarak i detyrueshëm. Në gjithë këto rrethanë, janë shtuar zërat që të rinjtë të mësojnë gjërat elementare për mbrojtjen.

Ligjërues i lartë i sferës së sigurisë dhe ushtarak karriere, Ramadan Qehaja ka thënë se tanimë kur siguria globale është atakuar, konsideroj se të rinjtë nuk kanë njohuri të sigurisë elementare, përkatësisht të çështjeve të gatishmërisë emergjente e të ngjashme.

Ai thotë se pas luftës në Kosovë në plane-programet e shkollave të mesme dhe të universiteteve, njëanshmërisht u hoq lënda e mbrojtjes dhe sigurisë pa dhënë asnjë shpjegim.

“Jam i mendimit që kjo çështje të studiohet rrënjësisht dhe të rikthehet lënda e mbrojtjes dhe sigurisë në plane-programet e shkollave të mesme dhe fakulteteve. Lënda si e tillë duhet ta trajtoj temën në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo domosdoshmërisht nga këndi thjesht ushtarak. Kjo do të duhej të jetë detyrë prioritare e MASHT e cila do të duhej të formoj grupin punues për lëndën e mbrojtjes dhe sigurisë për nivelin e shkollave të mesme. Njëkohësisht të formohet dhe grupi punues për lëndën në fjalë në universitete. Se sa do të përfillet kjo iniciativë e imja, varet nga përkrahja që do të merret nga qytetarët dhe institucionet tona e në veçanti nga MASHT. Nëse kjo iniciativë përkrahet atëherë do të pasonin çështjet tjera që kanë të bëjnë me fillimin e sigurimit të programeve e literaturës përkatëse, ligjëruesit etj”, ka thënë ai.

Rinor Qehaja nga instituti EdGuard, tha se për ligjërimin e lëndës mbrojtje dhe siguri nuk do të ishte e nevojshme punësimi i mësimdhënësve të diplomuar për mbrojte dhe siguri, pasi që sipas tij, secili mësimdhënës ka kompetencë profesionale për të hulumtuar dhe mësuar për këtë temë.

Derisa flet për themelimin e një lënde të re, Qehaja potencon se në rendë të parë kanë lëndë të tjera, siç është qytetaria aktive, si dhe edukimi seksual, sepse sipas tij, këto dy lëndë janë shumë të rëndësishme për vetëdijesimin e fëmijëve.

Qehaja: Këto lëndë mund të ofrohen nga cilido mësimdhënës

“Prezenca e mbrojtjes dhe sigurisë në proces të mësimdhënies duhet të rishikohet, kurrikula jonë ofron për atë fleksibilitet, ne mësimdhënësit tanë edhe aktualisht kanë atë mundësinë përmes kurrikulës me zgjedhje të prezantojnë tema që janë aktuale por që nuk janë të kufizuara në planprograme. Mund të jetë ide e mirë por në të njëjtën kohë është ide që na thërret që t’ia rikujtojmë mësimdhënësve që e kanë fleksibilitet në kurrikul për zhvillim të mësimdhënies për këto tema (...) Ndërkaq për tema si kjo si mbrojtja dhe siguria janë aktuale me një moment por që ndikojnë në qytetari aktive, sikurse e thash shumë lehtë mund të inkorporohen me plotë fleksibilitet në plan programet aktuale mësimore dhe mund të ofrohen nga cilido mësimdhënës i cili ka një kompetencë të mirëfilltë profesionale dhe një vullnet për të hulumtuar dhe mësuar tutje për këtë temë”, tha ai.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala u shpreh se implementimi i një lënde të tillë nuk do të jetë e nevojshme, pasi që sipas tij, në Kosovë është akademia dhe shkolla e mesme ushtarake.

Derisa shton se asnjë vend anëtarë i NATO-s nuk e përdorë këtë kurrikulë të mësimit për siguri dhe mbrojtje.

Shala:Lënda mbrojtje dhe siguri nuk aplikohet në vendet anëtare të NATO-s

“Lënda mësimore ‘Mbrojtje dhe Siguri’, duhet t’i paraprijë parashikimit të sektorit të sigurisë sepse aty duhet të paraparët një mekanizëm dhe një modalitet se si duhet të ekzistojë lënda ‘Mbrojtje dhe Siguri’ në shkollat e mesme sepse në ish sistemin jugosllavë në Kosovë, para vitit 99, është implementuar lënda e mbrojtjes e cila nxënësit e viteve të fundit të shkollës së mesme e kanë praktikuar apo janë ballafaquar për njohuri sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes. Por në konceptin aktual bashkëkohorë lënda ‘Siguri dhe Mbrojtje’, nuk aplikohet dhe nuk praktikohet. Pra asnjë vend anëtarë i NATO-s nuk e përdorë një kurrikulë të tillë të mësimit për siguri dhe mbrojtje në shkollat e mesme, pasi që ekziston akademia ushtarake, si dhe shkollat e mesme ushtarake. Pra ne në këtë aspekt duhet të rishikojmë konceptin dhe mbi këtë koncept ne duhet të hartojmë politikat të cilat duhet të merren konkretisht me sigurinë dhe mbrojtjen në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në një përgjigje me shkrim ka thënë se implementimi i lëndës mbrojtje dhe siguri, në shkolla është kompetencë e shtetit, duke shtuar se siguria e nxënësve nga programe të ndryshme të internetit është e përfshirë në programe dhe materiale nga Ministria e Arsimit.

“Çështja e futjes së lëndës mbrojtje dhe siguri në shkolla është kompetencë shtetërore. Prandaj deri më tani ne nuk kemi lëndë të veçantë për mbrojtje dhe siguri. Megjithatë, siguria e nxënësve nga fatkeqësia natyrore ,siguria nga rreziku i përdorimit të interneti dhe nga dukuritë negative është e përfshirë në programe dhe materiale të punuara nga MASHTI”, është përgjigja me shkrim për Kp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat