E vërteta e vrasjes së Akademikut Fehmi Agani

Aktuale

E vërteta e vrasjes së Akademikut Fehmi Agani

Nga: Rexhep Torte Më: 6 maj 2022 Në ora: 12:21
Fehmi Agani numri dy i Kosovës në Shtetin paralel

“Unë dhe Qamile Jaka vajtëm në morg. Aty ishte trupi i Fehmiut. E pamë kufomën e Fehmiut. Ishte qëlluar me plumb nga afër në mes të ballit dhe në dy anët në majë të kokës”, rrëfente znj. Sadije Agani.

6 maji është dita kur para 23 viteve, policia kriminale e Serbisë, e vrau në mënyrë mizore Akademikun Fehmi Agani, atdhetarin dhe politikanin e paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

E pashë të nevojshme që për lexuesit tanë ta shpalos këtë intervistë ekskluzive me z. Sadije Agani, bashkëshorten e të ndjerit Akademik Fehmi Agani.

Me që edhe z. Sadije Agani tashmë në është e ndjerë, dëshiroj që ky shkrim i imi të jetë një homazh i sinqertë dhe i pastër shpirtëror për Akademik Fehmi Aganin dhe bashkëshorten e tij, z. Sadije Agani, duke u dëshiruar që në jetën e përtejmë të jenë banorë të xhenetit.

Si gazetar i të përditshmes “FAKTI” në Shkup, Emin Azemi, botues i kësaj gazete më njoftoi se nëpërmjet prof. Abdullah Karjagdiu, kishte caktuar që me datë 25 dhjetor të vitit 2001 të shkoj në. Prishtinë për të bërë një intervistë me z. Sadije Agani, bashkëshorten e të ndjerit Akademik Fehmi Agani. Kjo intervistë trishtuese është botuar në të përditshmen “FAKTI” më datë 31 dhjetor 2001 në numrin e vitit të Ri.

Rrëfim trishtues i z.Sadije Agani në intervistën më 25 dhjetor 2001, për vrasjen e Akademik Fehmi Agani.

Bashkëshortin tim e vrau policia kriminale e Serbisë kriminale me urdhër të kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Jetoi dhe vdiq për Kosovën

Atë ditë që e kisha caktuar të nisem nga Dibra për në Prishtinë për ta bërë këtë intervistë me znj. Sadije Agani po binte një borë e dendur dhe bënte shumë ftohtë, por i nxitur nga pasioni i gazetarit edhe nga respekti që kisha ndaj tij, sepse Akademik Fehmi Aganin e kisha njohur personalisht që në vitin 1967 kur isha kryetar i Shoqatës studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja” në Beograd, dhe e konsultoja për aktivitetet tona studentore edhe lidhur me shënimin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, që i zhvilluam në Beograd së bashku me shoqatat simotra studentore shqiptare nga Zagrebi Lubjana, Sarajeva, Prishtina dhe Shkupi, vendosa që të mos e anuloj udhëtimin.

Kur u takova me z. Sadije Agani, përshtypja ime e parë ishte se kemi të bëjmë me një zonjë të urtë e fisnike, ashtu siç ishte edhe i ndjeri Fehmi Agani.

Fjalët e para të kësaj zonje ishin: “Pasi keni bërë një rrugë të gjatë në këtë kohë të keqe, unë do të mundohem që t’i them shkurt disa gjëra”. Jo zonjë, iu përgjigja, “Unë për këtë punë kam ardhur dhe dëshiroj që nga Ju të dëgjoj sa më shumë për jetën e të ndjerit Fehmi Agani”.

Zonja Sadije Agani pasi morri frymë thellë disa herë, filloi të flasë me një zë të butë:

“Nuk pata rastin ta dëgjoj asnjëherë që ai të mendojë keq për të tjerët. Familja Agani e ka prejardhjen nga Plava në Malin e Zi. Ata kanë ardhur në Gjakovë gjatë luftërave në kohën e Turqisë. Fehmiu ka patur një vëlla, Hilmiun, dhe tri motra. Dy motrat janë martuar në Gjakovë, ndërsa njëra në Plavë, ku edhe ka ndërruar jetë.

Fehmiu gjimnazin e ka kryer në Prishtinë, ndërsa studimet filozofi-sociologji në Beograd. Ushtrinë e ka kryer në Bileqe, dhe pas mbarimit të shërbimit ushtarak kthehet në Prishtinë ku ishte edhe i vëllai Hilmiut. Në fillim u punësua në “Rilindje’ si përgjegjës për rubrikën e jashtme, dhe ndërkohë jepte mësim edhe në shkollën normale të Prishtinës, ku isha edhe unë nxënëse e kësaj shkolle, maturante në vitin e pestë 1959/60. Në fillim u njohën në raportet si nxënëse-profesor, ndërsa në vitin 1961 u martuam së bashku.

Kemi dy djem, Mentorin e lindur në vitin 1962, që aktualisht është inxh. i dipl. i elektronikës dhe Shpendin i lindur në vitin 1964, që ka kryer studimet e degës së ndërtimtarisë. Asnjëri nuk është duke punuar në profesionin e vet. Ç’është e vërteta, Mentori në studimet pasuniversitare është duke shkuar gjurmëve të të atit në degën e sociologjisë.

Jeta ime me të ndjerin Fehmi Aganin, mund të them lirisht, se ka qenë e shkëlqyer.

Ishte bashkëshort ideal dhe prind shembullor. Asnjëherë nuk u bërtiste fëmijëve. Bile mbesa jonë Genta njëherë e pyeti, “Gjysh a din ty të hidhërohesh”, kur Fehmiu i foli me zë të lartë: “Genta veshi shpejt çorapet”, jo, i tha mbesa e vogël: “Unë dua të më rrahësh”. Përgjigja e Fehmiut ishte: “Unë nuk mund ta bëj një gjë të tillë”. Ai ka qenë njeri i butë dhe nuk pata rast asnjëherë të dëgjoj që ai të mendojë keq për tjetrin. Kur unë ndonjëherë edhe hidhërohesha, ai më thoshte se njerëzit duhet pranuar ashtu siç janë.

Dëshmi se çfarë njeriu ishte Fehmiu tregon edhe numri i madh i shokëve që kishte. Nga asnjë shok i tij nuk kam dëgjuar fjalë të keqe, por gjithnjë vlerësime pozitive. Kur vinin e më ngushëllonin për vdekjen e tij, shokët qanin si fëmijë.

Gjersa punonte si ligjërues në fakultet, kam dëgjuar se e donin të gjithë studentët, sepse ai sillej si shok me ta. Bile kam dëgjuar se njëri nga studentët, për të bërë shaka me shokët e ka imituar profesorin, dhe kur studenti e vëren se profesori ka arritur dhe po sheh e dëgjon se çka flet për të, stepet, por Fehmiu i thotë: “shumë mirë po më imiton, dëshiroj që kështu të flasësh edhe në provim. Dhe kur vjen ta jep provimin studenti merr notën dhjetë, e u thotë shokëve: “kisha frikën mos më hakmerret, por qenka njeri i mirë”. Fehmiu ishte shumë i afërt me studentët dhe punonte bashkë me ta edhe në organizatat studentore.

Kur shkoi në studimet pasuniversitare, çuditërisht në fakultet ia zvogëluan edhe rrogën, por vullneti i tij i madh e arriti qëllimin, i kreu studimet pasuniversitare dhe mori titullin e akademikut.

Puna e tij si ligjërues në fakultet u ndesh edhe me një betejë të madhe, sepse atëherë kishte shumë profesorë serbë, dhe shumë lëndë shqiptarëve u jepnin profesorët serbë. Atëkohë z. Dervish Rozhaja-dekan, dhe profesorët Fehmi Agani, Ali Hadri, Gazmend Zajmi etj., angazhoheshin që të pranojnë në punë sa më shumë kuadro shqiptare, që lëndët t’i japin në gjuhën shqipe, dhe ia arritën qëllimit, duke e shtuar numrin e pedagogëve dhe duke hapur edhe degë tjera.

Mosmarrëveshjet me profesorët serbë ishin të mëdha, por Fehmiu me shokët e tij këmbëngulnin që të shtohet edhe numri i studentëve shqiptarë edhe i profesorëve shqiptarë.

Fehmi Agani përveç punës si profesor në fakultet, merrej aktivisht edhe me punë politike, duke u angazhuar pa u lodhur për përparimin e kombit dhe për arritjen e statusit Republika e Kosovës.

Kjo ide dhe ky angazhim i tij bëri që serbët ta marrin në sy të keq, dhe që nga viti 1968 e kishin vënë në listën e zezë për ta likuiduar. Kjo u argumentua edhe në gjykimin e bërë disa shqiptarëve, se gjoja kishin tentuar ta digjnin separacionin. Kur gjykatësi i kishte pyetur se çfarë planesh tjera kishin, ata u përgjigjën: “Ta vrasim edhe Fehmi Aganin”. Për këtë gjykim pat shkruar edhe “Rilindja” në vitet e ‘70-ta.

Fehmi Agani, gjatë periudhës së viteve 1968-99, punoi dhe u angazhua 31 vite radhazi për të dhënë maksimumin e tij për kombin shqiptar.

Urrejtja serbe ndaj Fehmiut u rrit edhe më shumë kur ai ishte anëtar i komisionit të Serbisë për Shpërblimin e AVNOJ-it, kur u propozua që ky çmim t’i jepet Çubrilloviqit. Këtë propozim e kundërshton ashpër Fehmiu. dhe me argumente të pamohueshme ky propozim për Çubrilloviqin nuk kalon fare.

Në vitet e ‘80-ta profesor Fehmi Agani shpallet person i padëshirueshëm në universitet, dhe pasi e përjashtojnë nga partia, dekani serb, që kishte qenë student i tij nënshkruan vendimin për largimin nga puna, dhe kështu filloi edhe procesi i diferencimit në Kosovë. Të gjithë këtë Fehmi Agani e priti me një gjakftohtësi lakmuese me shpresë se do të vijnë ditë më të mira.

Në vitin 1990 filluan përgatitjet për themelimin e LDK-së. Atëkohë Fehmiu kishte dalë në pension, pasi Serbia e kishte zvogëluar buxhetin për arsimin e lartë në Kosovë.

Pas zgjedhjes së kuadrove drejtuese të LDK-së, u mbajt edhe kongresi i parë ku si nënkryetar i partisë u zgjodh Fehmi Agani, e në këtë post qëndroi 8 vjet radhazi dhe puna e tij kryesore ishte internacionalizimi i çështjes së Kosovës.

Fehmi Agani pati një angazhim të madh edhe në rrafshin e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e arsimit e të kulturës. Ishte koha kur nga Shqipëria vinin dhe mbanin ligjërata në universitetin e Prishtinës shumë pedagogë nga Shqipëria. Organizimi dhe mbajtja e simpoziumit për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në Prishtinë, ku erdhën shumë, shumë personalitete të shkencës dhe kulturës nga Shqipëria me në krye Aleks Budën, bëri jehonë të madhe.

Millosheviçi i kishte thënë Rugovës: “Ose eja të bisedojmë, ose do të vras”!

Gjatë punës dhe aktivitetit të tij në LDK, Agani udhëtoi disa herë në Beograd për çështjen e kthimit të objekteve universitare dhe të objekteve të shkollave të mesme për studentët dhe nxënësit shqiptarë. Kur kthehej nuk hapej fare për këto takime. Kështu vepronte edhe kur takohej me aktivistët e LDK-së për aktivizimin e 3 përqindshit.

Por e kam dëgjuar të flasë me inat dhe përbuzje për Sllobodan Milosheviqin, i cili pas tri viteve bisedimesh e premtimesh që në Prishtinë t’ju lejohej kthimi i tri shkollave shqipe, dy fillore e një e mesme, nuk e lejoi këtë. Mendimi i Fehmiut për Sllobodan Millosheviqin ishte se ai është tepër kryeneç, të sjell rrotull me premtime, e më në fund ven kushte, të cilat nuk u përshtaten shqiptarëve, dhe çdo gjë binte në ujë.

Fehmiu fillimisht kishte shpresë dhe ishte për rihapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Ani thoshte, le të fillojmë me pak dhe pastaj gradualisht do të vjen numri duke u shtuar. Por, më vonë u bind se me Sllobodan Millosheciqin nuk mund të bëhej asgjë.

Fehmi Agani ishte brengosur shumë kur Ibrahim Rugova i rrëmbyer ishte dërguar në Beograd që të bisedonte me Sllobodan Millosheviqin. Kreu i Serbisë i kishte thënë Rugovës: “Ose eja të bisedojmë, ose do të vras”.

Gjithnjë i ndiqte me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë. Gëzohej shumë për çdo sukses të UÇK-së. U shqetësua pa masë kur mësoi lajmin për vdekjen e Sali Çekut dhe Agim Ramadanit në luftën e Koshares, qante si fëmijë, pasi i njihte shumë mirë këta të rinj.

I pësoi tri infarkte

Sipas asaj që dëgjuam nga goja e bashkëshortes Sadije, i ndjeri Fehmi Agani i ndiqte edhe lajmet e Euro-njuzit, Bi-bi-sinë, zëdhënësin Xhimi Sheja, dhe shpeshherë kur ndërpritej rryma elektrike, bëhej shumë nervoz dhe nga kjo iu paraqitën diabeti, ulçera, dhembja e zorrës së trashë, dhe pësoi tre infarkte, dhe mendonte që kur të përfundojë lufta do t’i nënshtrohet operacionit të zemrës. Çdo mëngjes kur çohej merrte shumë medikamente për t’i përballuar shqetësimet që i kishte me shëndetin.

Megjithatë Fehmi Agani punën nuk e ndali asnjëherë. Punonte natë e ditë, por kurrë nuk lëvdohej. Kënaqësia më e madhe e tij ishte kur i shikonte rezultatet e punës së tij.

Si anëtar i delegacionit kur zhvilloheshin negociatat në Rambuje, z. Jakup Krasmiqi kishte thënë se nuk e ka menduar që profesor Fehmi Agani të ketë kaq energji të madhe për punë.

Kur u kthye nga mbledhja në Rambuje, tregon bashkëshortja, Fehmi Agani, veçse ishte ulur në dhomë kishte thënë: “Besoj se e kreva misionin tim në këtë mbledhje. Deri këtu e mendoja. Tani u vendos për sulmet e NATO-s mbi Serbi, tani le ta vazhdojnë të tjerët”.

Nusja e djalit iu përgjigj: ”Çka po thua babë, t’i nuk mund të rrish i qetë”. Ashtu është u përgjigj Fehmiu: ”Por, tani do tu kushtohem librave që më mbetën pa i përfunduar. Tani duhet tu përkushtohem më shumë shkrimeve të mia, pasi ja si po duket edhe shëndeti po më dobësohet”. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat