​Përfundon seanca e Kuvendit, vazhdon të premten

Aktuale

​Përfundon seanca e Kuvendit, vazhdon të premten

Më: 11 maj 2022 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 17:02 më 11.05.2022
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca e Kuvendit, vazhdon të premten

Në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka mbyllur seancën e sotme plenare.

Pas votimit të disa pikave të rendit të ditës, pjesa dërmuese e deputetëve lëshuan sallën dhe rrjedhimisht s’kishte kuorum për diskutim të pikave në vazhdim.

Konjfuca tha se seanca e njëjtë do të vazhdojë të premten në orën 11:00.

Këto janë pikat e mbetura të seancës:

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,

Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

​VV: Dëshpërues mos votimi i marrëveshjes për reforma në skema sociale

Dështimin e votimit të marrëveshjes ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, partia në pushtet po e konsideron si të paprecedent dhe veprim që sipas saj dëshmon se opozita nuk punon për të mirën e qytetarëve.

Në një konferencë për media, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku e ka quajtur dëshpërues mos votimin e kësaj marrëveshjeje nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Kollçaku: Dëshpërues mos votimi i marrëveshjes

“Jam e befasuar për të keq duke parë 24 vota kundër të opozitës në raport me një marrëveshje ndërkombëtare nga e cila do të përfitonin aq shumë njerëz të cilët janë në nevojë. Nëse bazohemi në gjendjen e rëndë në vend, sepse kemi varfëri të madhe ekstreme dhe përfitojnë shumë njerëz dhe pikërisht ata që janë më në nevojë, dhe ne sot të dëgjojmë nga shefat e grupeve të këtyre subjekteve që edhe nuk do ta votojnë edhe nëse risillet në Kuvend, kjo është jo vetëm dëshpëruese, por mendoj se qytetarët e kanë të qartë se shumë prej deputetëve nuk punojnë për të mirën e tyre dhe të vendit”, u shpreh Kollçaku.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se deputetët e opozitës duke mos e përkrahur marrëveshjen ndërkombëtar për reformë në skema sociale është i paprecedentë. Muja tregoi për të mirat që do të përfitonte Kosova përmes kësaj marrëveshjeje.

Muja: Mos votimi i marrëveshjes për reforma në skemën sociale i paprecedentë

“Në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një gjë e paprecedentë në historinë parlamentare të Kosovës. Për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e skemave sociale. Ka qenë një projekt i filluar në vitin 2019. Banka Botërore e ka pasur zotimin e qeverisë në vitin 2019, 2020 dhe tash mjerisht është rrëzuar sot në Kuvend nga PDK dhe LDK. Këtë marrëveshje Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti e ka parë jetike për shkak të inflacionit. Në kuadër të këtij projekti kemi të paraparë dy intervenime, e para ka qenë të zgjerohet baza e asistencës sociale sepse sipas Bankës Botërore, megjithëse familjet pranojnë asistencë sociale, ato ende vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe e dyta ka qenë që personat me skema sociale të ndihmohen duke u aktivizuar në tregun e punës”, tha ai.

Muja po ashtu u shpreh se opozita nuk mund të jep arsye të veçantë për mos përkrahje të marrëveshjes.

Muja: Opozita nuk po mund të jep arsye të veçantë

“Nuk po mund ta japin një arsye të veçantë, por ajo çka për neve është shumë e qartë është se ne kemi dallime në koncept, këta janë mësuar në njëfarë mënyre të marrin marrëveshje vetëm për kredi, për supermarket dhe pompa të benzinës, kurse koncepti jonë i asistencës sociale fokusohet te grupet shoqërore që kanë më së shumti nevojë“, theksoi Muja.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së votuan sot kundër marrëveshjes ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, derisa pro ishin 63 deputetë. 

​Kuvendi zgjodhi dy anëtarë në KGJK dhe një anëtar të bordit të RTK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur dy anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga komuniteti serb.

Ndërsa dështoi të zgjidhet një anëtar nga komunitetet tjera jo shumicë, rrjedhimisht për këtë pozitë do të rishpallet konkursi.

Për pozitën e një anëtari të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve nga komuniteti serb u zgjodh Nikolla Kabashiq, ndërsa për pozitën e një anëtari në KGJK nga radhët e jo gjyqtarëve u zgjodh Adriana Miletiq.

Në seancën e sotme, Kuvendi zgjodhi edhe Birol Urcan në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë. 

​VV e quan të paprecedent mos votimin e marrëveshjes nga ana e PDK-së e LDK-së

Pas dështimit të sotëm të votimit të marrëveshjes ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si një veprim të paprecedent që e ka bërë opozita.

Në një konferencë për media, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se janë të habitur me mos votimin e kësaj marrëveshjeje nga opozita. Sipas saj, deputetët opozitarë nuk punojnë në interes të qytetarëve.

Edhe deputeti Armend Muja e quajti të paprecedentë veprimin e partive opozitare në Kuvend, ku siç tha ai, për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore që prek familjet me asistencë sociale.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së e kundërshtuan marrëveshjen në fjalë, ndërsa pro votuan 63 deputetë

​Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.

Një prej marrëveshjeve ka të bëjë për ndihmë të ndërsjellë juridike me Shqipërinë për çështje civile dhe tregtare, ndërsa dy prej tyre janë kredi për investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Duke prezantuar marrëveshjen me Shqipërinë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në fushën juridike me Shqipërinë.

Haxhiu: Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike me Shqipërinë

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare mes dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështje që përfshijnë procedurat për gjendjen civile, çështje familjare, marrëdhëniet e punës, pronësia dhe marrëdhëniet e tjera civile dhe tregtare për persona fizikë, po ashtu edhe juridikë. Palët përmes kësaj marrëveshjeje i garantojnë shtetasve të palës tjetër mbrojtje të njëjtë juridike, qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve të tjera sikurse për shtetasit e tyre”, tha ajo.

Marrëveshja e kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë, dhe marrëveshja e Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë, kapin vlerën rreth 34 milionë euro.

Këto marrëveshje u përkrahën edhe nga partitë opozitare.

​PDK e LDK nuk votojnë marrëveshjen ndërkombëtare për reformën e sistemit të ndihmës sociale

Ka dështuar sërish të miratohet në Kuvend marrëveshja ndërkombëtare mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së votuan kundër, ndërsa vetëm 63 deputetë ishin pro.

Paraprakisht, në emër të Qeverisë, ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku duke prezantuar këtë marrëveshje, tha se e njëjta ka vlerën 47 milionë euro dhe është e rëndësisë së veçantë.

Çeku: Kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë

Ky projekt veçse është diskutuar një herë, megjithatë me kundërshtimet e opozitës për herë të parë në vendin tonë një marrëveshje ndërkombëtare nuk është ratifikuar në Kuvend. Duke konsideruar rëndësinë e veçantë të kësaj marrëveshje për reformimin e skemës sociale në Kosovë, sot sërish po e procedojmë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, tha ai.

E njëjta marrëveshje edhe muaj më parë kishte dështuar të miratohet në Kuvend.

​Deputetët e fillojnë me tension seancën e sotme plenare

Ka nisur me debate dhe tension seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës.

Mocionet procedurale për shtyrjen e debateve parlamentare për situatën e sigurisë në vend dhe punën 1-vjeçare të Qeverisë Kurti, u përdorën nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri për adresim të kritikave ndaj mazhorancës në legjislativ.

Pasi mori fjalën për të paraqitur mocionin procedural, Tahiri pyeti mazhorancën për zhurmën dhe metodat jo konvencionale të përdorura në seancën e kaluar.

Duke e goditur foltoren e Kuvendit me shishe të ujit, Tahiri tha se a duhet këtë formë të veprohet në mënyrë që Qeveria të sjellë projektligjin për paga në Kuvend.

Tahiri: A duhet goditur tavolinën që qeveria ta sjellë Projektligjin për paga në Kuvend

\“A duhet të merret shishja për ta goditur kështu për të marrë vesh dhe për të sjellë ligjet që i keni. A duhet goditur tavolinën për të thënë silleni ligjin e pagave. A kuptoni se këto metoda, kjo gjuhë dhe zhurmë nuk është për këtë kuvend. Kërkesa ime është t’i ndalim metodat jo konvencionale dhe të kthehemi në një logjikë të shëndosh të diskutimit”, tha ai.

Mirëpo i ashpër në reagim u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i tha Tahirit se keqpërdori foltoren e Kuvendit.

Konjufca: Zotëri Tahiri sapo e keqpërdorë fortë keq foltoren e Kuvendit

Zotëri Tahiri sapo e keqpërdore fort keq foltoren e Kuvendit, kështu s’bon hiq. Shumë gabim je, ta dhashë fjalën për tjetër gjë dhe u morëm vesh çka është më e keqja. Tregomë, se do të flasësh për komision parlamentar hetimor, s’shkon kuvendi kështu”, theksoi ai.

Me propozim të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shty debati parlamentar për 1-vjetorin e punës së Qeverisë Kurti, ndërsa u vendos që në fund të pikave të rendit të ditës të ketë një konsensus për mbajtjen apo jo të debatit parlamentar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Në fillim të seancës plenare, deputetët mbajtën një minutë heshtjeje në nderim të ish-boksierit Xhevdet Peci, i cili ndërroi jetë para pak ditësh.

I mëshon mbi 5 sekonda tavolinës me shishe Besnik Tahiri: A duhet kështu gjithë, që t’i sjellni ligjet

Shefi i deputetëve të AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se a duhet t’i mëshohet gjithmonë shishe tavolinës, që të sjellën ligjet në Kuvend.

A duhet me e marrë shishen me i mëshua kështu (i mëshon mbi 5 sekonda)…për me marrë vesh dhe me i sjell ligjet që i keni.

 A duhet me mëshua tavolinës kështu për me iu thane silleni Ligjin e Pagave.

Të kthehemi në një logjikë të shëndoshë të diskutimit”, ka thënë Tahiri.

Deputetët mbajnë një minutë heshtje në nderim të Xhevdet Pecit

Në fillim të seancës deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të legjendës së boksit shqiptar, Xhevdet Peci, i cili vdiq të hënën.

Para se të fillojmë me seancën, edhe në konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare.

U dakorduam që ta mbajmë një minutë heshtje për legjendën e boksit shqiptar, Xhevdet Pecin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Fillon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës tashmë ka filluar seancën plenare që është paralajmëruar që do të mbahet.

Në kuadër të kësaj seance pritet të mbahet debat parlamentar për punën e Qeverisë së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.

Ndër pikat e rendit që do të preken janë, siguria e vendit si dhe do të ketënë miratim shumë projektligjie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat