Nën tensione përfundon seanca në Kuvend, nuk ka kourum për rezolutën e propozuar nga AAK-ja

Aktuale

Nën tensione përfundon seanca në Kuvend, nuk ka kourum për rezolutën e propozuar nga AAK-ja

Më: 19 maj 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 19:22 më 19.05.2022
Kuvendi i Kosovës

​Debati për sigurinë, s’ka kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga AAK

Ka përfunduar seanca e thirrur plenare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku u debatua lidhur me situatën e sigurisë në vend.

Pas përfundimit të debatit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në cilësinë e propozuesit të debatit paraqiti një rezolutë për votim me disa rekomandime.

Në mungesë kuorumi, u vendos që rezoluta të hidhet për votim në ndonjë seancë të ardhshme.

Këto janë pikat e rezolutës:

-Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ketë prioritet mbi prioritetet çështjet që lidhen me siguri;

- Të miratohet dhe procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, Strategjia e Sigurisë Kombëtare së Kosovës;

-Ruajtja e Partneritetit Strategjik me SHBA në raport me forcimin e FSK-së;

-Njëkohësisht, sigurimi i të gjitha kushteve logjistike dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjetet moderne;

Mbështetja e Fondit të Sigurisë;

-Krijimi i tri kushteve minimale për Policinë e Kosovës:

-Pagë të dinjitetshme - miratimi i Ligjit të Pagave;

-Sigurimi Shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës;

- Procedimi i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm;

- Mbështetja e vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencës.

Ministri Murati qorton deputeten e LDK-së, ajo e kërcënon: “Mos gabo kurrë më”

Ministri Hekuran Murati e ka qortuar publikisht deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, të mos ndërhyjë në fjalimet e tij.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ministri i Financave dhe Transfereve u acarua pas ndërhyrjeve të deputetes Dumoshi gjatë fjalimit të tij. Murati i kërkoi Dumoshit të ketë respekt për të tjerët brenda kuvendit.

“E nderuar deputete kontributi i vetëm i juaj prej se ju mbaj mend është me ndërhy në fjalët e dikujt tjetër. Prej që ka fillu ky mandat, jam më se i sigurt që tash e gati një vit e gjysmë i vetmi kontribut i juaji është ndërhyrja në fjalën e tjetër kujt. Pak respekt ju lutem!”, qortoi ministri, deputeten Dumoshi.

Në një kundërpërgjigje ndaj fjalimit të ministrit Murati, Dumoshi e quajti atë “arrogant” dhe “injorant”.

“Ministër, mua më vjen shumë ekq për ty. Ti je një arrogant i pashembullt në këtë kuvend. Unë jam Vlora Dumoshi, jam deputete e këtij kuvend. Unë kam të drejtë të bëjë edhe pyetje. Ti nuk ke të drejtë që me arrogancë dhe injorancë t’i drejtohesh deputetëve. Çka po mendon ti? Kush je vëlla ti? Ti neve po na flet si nxënësve të këqij. Ndale veten se je shembull i keq. Nuk ke t’i drejtë me m’u qasë mua në asnjë sekond! Këtë harroje, ministër! Në qoftë se ke ndonjë problem, të lutem zgjedhi problemet ku duhet, e jo këtu”, i tha Dumoshi, ministrit.

Dumoshi e quajti “dështim” ministrin Murati.

​Ministri Murati - deputetit Tahiri: Jep dorëheqje

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri janë përplasur sot në Kuvend për Fondin e Sigurisë.

Murati me këtë rast i ka kërkuar Tahirit të jep dorëheqje nga posti i deputetit, pasi siç tha nuk qëndron pretendimi i tij se në Fondin e Sigurisë nuk janë mbledhur më shumë se 2 milionë euro.

Murati: Jepni dorëheqje që sonte

“Nëse vendosët bast që jepni dorëheqje, ju ftoj që sonte të jepni dorëheqje dhe të shohim apo i qëndroni fjalës. Nuk është ajo që e thatë ju, dorëzojeni dorëheqjen dhe mund t’iu tregojmë privatisht”, tha ai.

Mirëpo, shefi i GP të PDK-së Tahiri e quajti spekulant dhe manipulues ministrin Murati.

Tahiri: Je spekulant dhe manipuluese

“Spekulant dhe manipulues më të madh se ti, ministër të financave s’kemi pas. Ti veç për numra nuk flet”, tha ai.

Më herët sot shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka vënë në bast postin e tij të deputetit nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë për FSK-në.

Gjatë debatit parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, Tahiri tha se Qeveria Kurti dhe mazhoranca s’janë angazhuar për këtë fond.

Vendosi publikisht bast, ministri Murati e fton të japë dorëheqje Tahirin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka ftuar që të japë dorëheqje deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, pasi ky i fundit tha se nëse janë mbledhur dy milionë euro në Fondin e Sigurisë së FSK-së, atëherë do të japë dorëheqje.

Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Financave i cili ia kërkoi dorëheqjen deputetit Tahiri, pasi sipas tij, shefi i ligjvënësve të PDK-së bën shpifje të tilla.

“Ai nuk do të duhej të merrej si autoritet, pasi është dëshmuar nga e kaluara se çdo herë ia huq. Kemi parë gjatë fushatave të kaluara, vazhdimisht e pati përmend se janë sekuestruat diku 20 milionë euro, si material apo pasuri, por pastaj pati dalë që as 1 milion, po 300 mijë. Meqënëse mund të thirret në imunitetin e deputetit, pra bën edhe shpifja të tillë”.

“Sa i përket Fondit Sigurisë, ju ftoj që sot të jepni dorëheqje dhe ta shohim a po i qëndroni fjalës. Nuk e them unë sa është, mirëpo nuk është ajo që e thatë ju. Dorëzojeni dorëheqjen së pari. Qëndroni fjalës deri në fund. Mund të iu tregojmë privatisht”, deklaroi Murati në Kuvendin e Kosovës.

Më pas iu kundërpërgjigj Tahiri duke thënë se Kosova nuk ka pasur kurrë ministër të Financave më manipulues dhe spekulant.

​Sveçla përplaset Tahirin: Unë nuk blej allti me para të shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Duke debatuar për statistikat për luftimin e krimit dhe korrupsionit, Sveçla dhe Tahiri u lëshuan në akuza ndaj njëri-tjetrit.

Ishte ministri Sveçla që tha se ai nuk blen armë zjarri me para të shtetit, sikurse ka bërë Tahiri sa ka qenë shef i kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Sveçla: Unë nuk blej allti me para të shtetit

“2019 ka pasur më shumë arrestime të opozitës se kriminelëve të lartë. Fundi i fundit, asnjë skandal të qeverisë nuk e kemi pasur. Unë nuk blej allti me para të shtetit dhe pastaj mos ta kthej kur e lëshon pozitën”, tha ai.

Por deputeti opozitar tha se ministri Sveçla do të mbahet mend vetëm për nepotizëm.

Tahiri: Do të mbahesh mend vetëm për punësimin e motrave dhe akrabave

“Je ministër që do të mbahesh mend për punësimin e motrave, akrabave dhe të rrethit. Ti ma shumë mbahesh mend për familjarizëm se sa për angazhim në fuqizimin e rendit publik. Ky është një problem shumë i madh i yti”, tha ai.

Tahiri ia përmend drogën Rexhajt

Një debat rreth Fondit të Sigurisë të FSK-së mes dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës është përshkallëzuar në akuza personale.

Abelard Tahiri, i cili udhëheq Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ia ka përmendur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhajt, për një rast të pretenduar të shoqërimit të deputetit në stacion policor për substanca narkotike.

Sipas Tahirit, deputeti nga Prizreni “është mësuar me shoqërime në stacione policore”.

“Tash kur po përmendet policia, Arbëri ka nga pak edhe fobi prej policisë sepse u mësu me u shoqëru disa herë në stacione të policisë për disa substanca jo fort të ndershme, prandaj ky e ka ngapak edhe telash e fobi çështjen e policisë”, akuzoi Tahiri, Rexhajn.

Por, Rexhaj tha se akuzat e Tahirit janë shpifje të cilat janë demantuar shumë kohë më parë nga institucionet e rendit dhe ligjit.

Ky deputet po shërbehet me shpifje të cilat i kanë demantuar edhe Prokuroria dhe Policia në Prizren, po do të hedhë gurë në emrin tim me shpifje të tilla. Mirëpo unë po dal në temë: kur po thua ti që nuk janë mbledhë 2 milionë euro në ndërkohë nuk ke raport të institucioneve rreth kësaj teme, i bie që po dëshiron që përnjëmend shifrën me e ulë”, u kundërpërgjigj Rexhaj.

Tahiri kritikoi pushtetin qeverisës për mbajtjen sekrete të informatave rreth Fondit të Sigurisë të Ushtrisë së Kosovës.

​Mehaj: Strategjia e sigurisë kombëtare do të sillet së shpejti në Kuvend

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se strategjia për sigurinë kombëtare do të sillet shumë shpejtë në Kuvend.

Ai gjatë debatit të sotëm për sigurinë në vend, foli edhe për Fondin e Sigurisë për FSK-së, për çka tha se është një mbështetje për ushtrinë.

Mehaj: Strategjia e sigurisë kombëtare do të sillet shpejt në Kuvend

“Fondi i Sigurisë është një mbështetje plus, ju e dini se ushtria çfarëdo mbështetje që ka ushtria është e nevojshme. Strategjia nuk varet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, por është e gjithë Kosovës, andaj është në harmonizim e sipër dhe do të sillet shumë shpejt edhe në Kuvend”, theksoi ai.

Ai tha se gjatë mandatit të tij qeverisës janë ngritur kapacitetet për blerjen ushtarake.

Mehaj: Kemi ngritur kapacitete për blerjen ushtarake

“Kemi ngritur kapacitetet për blerjen ushtarake më herët. Rritja e buxhetit tregon gatishmërinë e Qeverisë për forcimin e ushtrisë. Bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëveshje bilaterale ndërkombëtare, aftësinë por edhe përgatitjen e grupit ndër-institucional për rrugën drejt partneritet për paqe”, shtoi ai.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve për aktivitetet e tij, ministri Mehaj tha se asnjëherë s’ka ndarë mirënjohje për letërsi, por për njerëzit që kanë kontribuar për çështje kombëtare.

Mehaj: Kemi ndarë mirënjohje për njerëzit që kanë kontribuar

“S’kemi ndarë mirënjohje për letërsi, por kemi ndarë mirënjohje për njerëzit që kanë kontribuar për çështje kombëtare”, tha ai.

Mirëpo, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i tha ministrit se në asnjë nen nuk është i autorizuar të shpërndajë mirënjohje dhe dekorata.

Zemaj: Në asnjë nen nuk je i autorizuar të shpërndash mirënjohje e dekorata

“Në asnjë nen nuk je i autorizuar të shpërndash mirënjohje dhe dekorata”, tha ai.

​Tahiri: Qeveria s’po avokon për Fondin e Sigurisë për FSK-në

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po avokon për Fondin e Sigurisë për FSK-në.

Në debatin parlamentar për gjendjen e sigurisë, Tahiri tha se dështimi i këtij fondi është edhe dështim i qytetarëve.

Tahiri: Qeveria s’po avokon për Fondin e Sigurisë

“Nëse keni vendos fondin e sigurisë vetëm sa për ta bërë dhe jo për ta argumentuar, unë them se ju do të dështoni. E dështimi i fondit nuk është dështim i juaji personal dhe as i Qeverisë Kurti, por është fond dhe dështim i kontributit të qytetarëve për të pasur kontraktime më të mëdha. E shoh si një dështim shumë të madh, këtë pjesë të avokimit që e bën qeveria”, tha ai.

​Zemaj rendit sukseset e institucioneve të sigurisë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka renditur tri suksese të institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, tha se shtrirja e autoritetit të policisë në veri është në interes të vendit.

Sipas tij, lufta ndaj kontrabandës dhe arrestimet e policëve të korruptuar në kufij është për t’u vlerësuar, ndërkohë shtoi si rezultate pozitive edhe luftën kundër drogave në afërsi të shkollave.

Zemaj: Sundimi i ligjit në veri na intereson të gjithëve

“Sa i përket sundimit të rendit dhe ligjit edhe neve na intereson shtrirja e autoritetit të policisë dhe gjitha institucioneve edhe në veri dhe kudo në Kosovë... E dyta si rezultate pozitive, ndoshta që është interes edhe mbrojtjes dhe të fëmijëve shihet që është lufta e mirë dhe pa kompromis kundër drogave... Unë e vlerësoj pozitivisht edhe me arrestimet në kufi, duke na mbrojtur nga hyrjet-daljet dhe kontrabanda e mallrave dhe materialeve tjera që ndikojnë negativisht në jetën tonë”, tha ai.

Krahas kësaj, Zemaj kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmanin për fokusimin e madh për agresionin rus në Ukrainë, për t’i mbuluar dështimet e tyre

Sveçla: Më shumë se kurrë kërkohet vigjilencë e shtuar nga organet e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sot më shumë se kurrë kërkohet vigjilencë e shtuar nga organet e sigurisë në Kosovë.

Në debatin për gjendjen e sigurisë në Kuvend, ministri Sveçla tha se gjendja e sigurisë në vend është stabile, por ka pasur përpjekje destabilizimi në veri të vendit.

Ai tha se sulmet ndaj policisë në veri kanë pasur qëllim të minojnë punën e Policisë së Kosovës dhe frikësimin e qytetarëve.

Sveçla: Më shumë se kurrë kërkohet vigjilencë e shtuar nga organet e sigurisë

“Këto sulme terroriste kanë pasur për qëllim të minojnë punën e policisë së Kosovës në veri të vendit, rrezikojnë jetën e policëve dhe frikësojnë qytetarët anë e banë vendit. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi, por mbështetja e grupeve kriminale nga Beogradi vazhdon të paraqes kërcenim për stabilitetin dhe paqen në vendin tonë dhe ne me vëmendje po e përcjellim çdo zhvillim. Më shumë se kurrë kërkohet një vigjilencë e shtuar nga të gjithë ne organet e sigurisë”, tha ai.

Para deputetëve, Sveçla theksoi se Serbia po dëshmon se është satelit i Rusisë.

Sveçla: Serbia po dëshmon se është satelit i Rusisë

“Serbia jo vetëm me sulmet e njëpasnjëshme të zyrtarëve tanë, por në vazhdimësi, qoftë verbalisht, por edhe veprime ka vazhduar të konfirmojë se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e interesave të saj. Kjo padyshim është kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Provokimet ruse në Kosovë vazhdojnë të jetë prezentë edhe sot, ndërsa ato haptazi u shfaqën në shtator të vitin të kaluar gjatë kohës së sigurisë në veri të vendit dhe reciprocitetit me targa”, potencoi Sveçla.

Megjithatë, shtoi se që nga marrja e mandatit janë angazhuar që institucionet e sigurisë të jenë në nivel të lartë profesionale.

Sveçla: Siguria në vendin tonë është stabile

Siguria në vendin tonë është stabile. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar maksimalisht që institucionet e sigurisë të jenë në nivel të lartë profesional dhe në krye të detyrës”, përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat