“Kemi kurs të gjermanishtes”, infermierët dhe stafi mbështetës paralajmërojnë ikjen nga Kosova

Aktuale

“Kemi kurs të gjermanishtes”, infermierët dhe stafi mbështetës paralajmërojnë ikjen nga Kosova

Më: 25 maj 2022 Në ora: 10:00 Përditësuar në ora: 11:24 më 25.05.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

“Heronjtë e pandemisë” duan pagat dhe vazhdimin e kontratave

Infermierët dhe mjekët që janë angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 nga muaji marsi këtij viti nuk janë paguar. Ata protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar që t’ju vazhdohet edhe kontrata të cilëve ju përfundon muajin e ardhshëm.

Me pankartat në duar që mbanin mbishkrimet “Ministër na kthen përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs në gjermanisht në orën 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë ne ishim arsyeja”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, ata kërkonin përgjigje për të dy kërkesat e tyre.

Përfaqësuesja e infermierëve në QKUK, Nurie Ukaj, u shpreh se përkundër që vazhdimisht kanë drejtuar kërkesa në MSh nuk kanë marr ndonjë përgjigje rreth kërkesave të tyre. Sipas saj disa prej stafit mbështetës janë detyruar ta bojkotojnë punën në pamundësi financiare.

Ukaj: Qëllimi i protestës është për mos ekzekutim të pagave që 3 muaj

“Qëllimi i organizimit të protestës sot është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë pa një përgjigje zyrtare, momentalisht me të gjithë stafin mbështetës nuk largohemi pa e marrë një përgjigje zyrtare.... Përafërsisht janë bërë tre muaj (që nuk kemi marrë rrogë)... Kemi bërë kërkesa e shkresa, kemi dërguar emaile, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje përveç dje kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihun krejt çka na ka thënë është se ka optimizëm por jo një përgjigje definitive... Punën e vazhdojmë njëjtë ka edhe disa kolegë të cilët e kanë bojkotuar punën arsyeja është pamundësia financiare për zhvillimin e mëtejshëm të punës... Jemi të angazhuar maksimalisht, ka kolegë që punojnë me kujdestari pothuajse njëjtë sikur ata të rregullt, nuk kemi diçka dallim pse ata janë të rregullt e ne jemi me afat të caktuar”, theksoi ajo.

Qëndresa Berisha, e cila është e angazhuar në procesin e vaksinimit, u shpreh se ka dy vite që me kontratë mbi vepër është duke punuar, derisa angazhimi i saj nuk po paguhet tash e tre muaj.

Ajo tha se këto kanë qenë arsyet që tashmë ajo ka ndërprerë kontratën e punës me MSh dhe ka vendosur të vazhdojë angazhimin e saj profesional në Gjermani.

Berisha: Pagat dhe kontratat jo të rregullta shkaktar që unë vendosa të iki në Gjermani

“Jemi që dy vite me kontratë mbi vepër ku për këtë protestë jemi dal shkaku kryesor është për shkak të pagesave, shkaku i dytë është për vazhdimin e kontratave tona që jemi duke u maltretuar që dy vite me kontrata mbi vepër, 3 muaj e 6 muaj. Gjithashtu pagesa 3 mujore që është vonuar që shumë prej nesh kanë obligime familjare e pagesa për banesa për gjëra personale. Kjo vonesë që është prej 3 muajsh dhe kjo (paqartësi për) vazhdimësi të kontratave për 2 vite ka shkaktuar që unë personalisht si infermiere të shkëpusë kontratën dhe të vendosi të punësohem në Gjermani”, theksoi Berisha.

Ilirian Demaj, i cili nga shtatori është i angazhuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive, tha se do të ishte e udhës që të informohen edhe për vazhdimin apo jo të kontratave të punës të cilat u skadojnë në qershor, me qëllim që të bëjnë një zgjidhje.

Demaj: Duam të dimë nëse vazhdohet kontrata e punës

“Shkaku që ne sot po protestojmë është arsyeja e pagave së pari ku javën e ardhshme bëhen tre muaj fiks që nuk kemi marr pagat dhe arsye tjetër janë kontratat që skadojnë javën e ardhshme, disave iu skadojnë me 5 deri 6 qershor, kurse stafit të vaksinimit i skadon me 15 qershor dhe nuk kemi marr asnjë përgjigje. Do të ishte e arsyeshme që së paku 1 muaj përpara të dihet nëse do të ndërpriten kontratat ose do të vazhdojnë që secili prej nesh të bëjnë një zgjidhje pas asaj date”, u shpreh Demaj.

Këtë protestë të stafit mbështetës e kanë përkrahur edhe Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

Enlirak Duraku, nga kjo sindikatë, u shpreh se këto kërkesa të stafit mbështetës janë të arsyeshme, derisa kërkoi që ekzekutimin e pagave të tyre të ekzekutohen në kohë të duhur.

Duraku: Kërkesa e stafit mbështetës janë të arsyeshme

“Pagat e këtyre profesionistëve shëndetësorë, stafit mbështetës, të ekzekutohen në kohën e duhur pasi që ka mundësi që dikush mund të varet vetëm prej kësaj page. Pastaj, ekziston edhe çështja e kontratave të punës sepse fundja këta janë qytetarë tanë, janë profesionistë, sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për ta, këta kanë nevojë për punë, ndërsa pacientët kanë nevojë për kujdesin tonë maksimal. Andaj kërkesën e tyre për ekzekutim të pagave dhe vazhdim të kontratave pasi që është evidente që ka mungesa të mëdha në sistemin shëndetësor sidomos për infermierët dhe stafin mbështetës”, u shpreh ai.

Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësor, përfshirë mjekë e infermierë, Ministria e Shëndetësisë i kishte angazhuar gjatë pandemisë, por ata që nga muaji mars nuk morën paga. Ky staf mbështetës po ashtu nuk ka përfituar as nga shtesat financiare që janë paraparë për profesionistët shëndetësorë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat