Debate të ashpra/Opozita përplaset me pozitën – kërkohet me ngulm votimi pro tërheqjes së trustit

Aktuale

Debate të ashpra/Opozita përplaset me pozitën – kërkohet me ngulm votimi pro tërheqjes së trustit

Më: 26 maj 2022 Në ora: 08:04 Përditësuar në ora: 11:29 më 26.05.2022
Kuvendi i Kosovës

Ministri Murati i ashpër me opozitën: Kur po folet ”Kujt me i ndihmu?”, ju po refuzoni

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka akuzuar opozitën parlamentare se nuk po lejojnë t’i ndihmojnë qytetarët, duke mos votuar projektet që dorëzohen në kuvend.

Murati tha se kjo ka ndodhur njëjtë me ligjin për pagën minimale, po ashtu për çështjen e energjisë, por edhe për atë me skema sociale.

”Është mbështetja për familjet në asistencë sociale. Në bashkëpunim me Bankën Botërore kemi nisur një reformë, dhe është projekti që ne si qeveri që dy herë tentojmë me sjell në kuvend. Dhe nga deputetët e opozitës, PDK dhe LDK, refuzohet ajo marrëveshje”.

”Pra, kur po folet për kujt me i ndihmu dhe kush ka nevojë më së shumti, ju po refuzoni. Ne kemi sjell marrëveshjen që zgjeron skemën sociale, ju e refuzoni dhe pastaj thoni duhet t’i ndihmojmë qytetarët”.

”Ne e kemi sjell ligjin për pagën minimale në kuvend, dhe çka bëhet lëshohet salla, nuk votohet. Kërkesa juaj ka qenë të mos rritet për ata që shpenzojnë për të gjithë. Ju kërkoni që rritja të bëhet për të gjithë, në mënyrë që të ankoheni pastaj se qeveria ngriti çmimet”.

”Ka shumë e shumë masa që qeveria po i bën por tendenca juaj është me pengu dhe i kundërshtu ato”.

Pal Lekaj i kërkon VV-së të votojnë pro Trust-it

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kërkuar që Vetëvendosje të votojë pro tërheqjes së 30% të mjeteve nga TRUST-i.

Sipas tij, kjo meqë, ky subjekt erdhi në pushtet duke iu premtuar qytetarëve mirëqenie e jetë të dinjitetshme.”Dje në Komisionin për Buxhet, u diskutua gjerë e gjatë për çështjen e TRUST-it”.

”E vërteta është që Vetëvendosja ka ardhë në pushtet duke marrë shumicën e votave të qytetarëve duke iu premtuar mirëqenie e jetë të dinjitetshme. Muajt e fundit nga terreni në takimet me qytetarë, po shohim se ata janë lodhur nga trendi i rritjes së çmimeve në secilin produkt”.

”Lërini krenarinë anash, lërini anash ndjenjën e fituesit, e rëndësishme është që kjo ide është e duhur dhe ju ndihmon shumë qytetarëve në jetën e tyre”.

”Është e nevojshme të ndalim trendin e ikjes”.

”Pra, t’i bëjmë krenarë ata që na votuan me votën e tyre. E në këtë moment, më të mirin mund ta bëjmë nëse u lejojmë atyre, të tërheqim 30% të TRUST-it”.

​Zemaj: Injorimi i stafit mbështetës tregon paaftësi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj u shpreh se mospagesa e profesionistëve shëndetësor prej 3 muaj, tregon për injorimin dhe paaftësinë e Qeverisë dhe mashtrimet që bëhet për të gjithë ata që duan të punojnë ndershëm.

Zemaj u shpreh se uron që tashmë pushimet e gjata kanë përfunduar dhe ministri i Shëndetësisë, t’i kthehet përgjegjësive.

“Më shumë se 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësor, staf mbështetës dhe personel, i angazhuar në menaxhim të pandemisë, kanë mbetur pa paga tash e tre muaj, çka është edhe më e keqja kanë mbetur edhe papërgjigje zyrtare vetëm në ato rrugë joformale që tash ka humbur edhe adresa e MSh-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Puna e tyre me përkushtim papushim edhe ditëve të vikendit në menaxhim efikas me mburrje nga Qeveria e Kosovës, sidomos në procesin e vaksinimit dhe tash me injorim ndaj tyre tregon paaftësinë, por mbi të gjitha tregon edhe mashtrimin që iu bëhet gjithë atyre që dëshirojnë që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi më të lartë“, theksoi ai.

Ish-ministri Shëndetësisë e ka quajtur shqetësues edhe rritjen e listës së pritjeve të pacientëve për të marrë shërbime shëndetësore në QKUK

​AAK vendos në Kuvend pankartat ” Voto për trustin”

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një aksion simbolik nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat vendosën pankartat me mbishkrimet “Voto për trustin”. Ata këto mbishkrime i vendosen te foltorja e Kuvendit dhe ulëset e ministrave dhe kryeministrit.

E deri ndodhi ky aksion në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu u shpreh se qytetarëve po u faturohet energjia elektrike me çmime të shtrenjta përkundër vendimeve të gjykatës të cilat ZRRE nuk po i respekton.

Deliu: ZRRE po abuzon me detyrën zyrtare

“Ky bord i papërgjegjshëm dhe joprofesional i përzgjedhur nga qeveria e Albin Kurtit dhe i zgjedhur në këtë Kuvend nga kjo shumicë parlamentare në vend që urgjent të zbatoj vendimet e dy gjykatave, ata kanë vendosur që të abuzojnë me detyrën zyrtare me të vetmin qëllim që t’u krijojnë përfitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve për dy kompanitë private që janë KEDS dhe KESCO.....Vendimin e kontestuar të ZRRE-së, e ka shtyrë gjykata, prandaj nuk ka vendim të tillë të ZRRE-së, kjo e fundit duhet t’i kthej tarifat e lira të energjisë elektrike e ky do të duhej të ishte zbatimi më i drejtë dhe më i duhur i vendimit të gjykatës”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së i bëri thirrje presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të kërkojë falje dhe të jap sqarime rreth tarifave të shtrenjta të cilat i ka pezulluar edhe Gjykata e Apelit.

Deliu:Presidentja Osmani t’u kërkoj falje qytetarëve

“Nga kjo foltore i bëjë thirrje publikisht presidentes, Osmani që të dal para qytetarëve të saj e para t’iu kërkoj falje atyre se pse ka kërkuar që t’u ngritët çmimi i energjisë elektrike dhe e dyta të deklarohet pas opinionit të institucionit të Avokatit të Popullit se tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE dhe të kontestuara në gjykatë janë tërësisht diskriminuese dhe shkelin liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Prandaj e treta kërkoj që të deklarohet presidentja lidhur me mos zbatimin e dy vendimeve të gjykatave nga ana e ZRRE pasi njëra nga kompetencat kryesore është sigurimi i funksionimit demokratik të institucioneve.....sot presidentja duhet të dal dhe të kërkoj falje para qytetarëve. Zonja presidente ju me Kushtetutë përfaqësoni unitetin e popullit prandaj dilni para popullit dhe jepni sqarime para tij se për njerëzit e pushtetit juaj ligji nuk vlen, se si ata janë mbi ligjin dhe se si ata nuk i zbatojnë vendimet e gjykatave të Kosovës se si ju i keni mbyllur sytë dhe veshët para kësaj padrejtësie që po u ndodh qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo.

Fillon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kërkesën e opozitës për votimin pro tërheqjes së trustit pensional. 

Tanimë në gjithë sallën janë shpërndarë pankarta me mbishkrimin “Voto për Trustin”. Ato janë shpërndarë nga deputetë e AAK-së, Besnik Tahiri, Pal Lekaj e Albana Bytyqi.

Të njëjtat janë vendosur edhe në pjesën ku ulet kryeministri dhe ministrat e vendit si dhe kryeparlamentari i cili është parë teksa e largonte nga tavolina e tij.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë plenare sot, e enjte, nga ora 10:00.

Fillimisht deputetët do të deklarohen jashtë rendit të ditës, pasuar nga pyetjet parlamentare e më pas do të shqyrtohen pesë projektligje. 

Në kuadër të kësaj seance parashihet edhe zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit si dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. 

Seanca plenare

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme, 
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-033 për provimin e jurisprudencës,
5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-070 për Pijet e Forta Alkoolike,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës,
8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-027 për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve,
9. Zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit,
10. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat