Priten arrestime në Dukagjin për vrasjen e komandant “Karadakut” / Konfirmohet se u vra pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë

Aktuale

Priten arrestime në Dukagjin për vrasjen e komandant “Karadakut” / Konfirmohet se u vra pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë

Nga: Idriz Morina Më: 12 qershor 2022 Në ora: 13:42
Kolonel Rashit Mustafa, i pari nga e majta, eprori Esat Qollaku dhe oficeri i logjistikes Abaz Thaçi, foto e shkrepur gjatë një takimi në vitin 1998 nga Qazim Sahiti!

Të premten që shkoi në Viti u mblodhën sërish, qindra veta për ta përkujtuar njërin prej luftëtarëve më të njohur të kësaj ane, Rashit Mustafën – komandant “Karadakun”!

Për vite të tëra, familja Mustafa nuk mund t’i gjente as eshtrat e familjarit të tyre. Aq më pak për mënyrën se si u vra dhe nga kush, nëse u vra në luftime me serbët apo pas shkuarjes së tyre krejtësisht nga Kosova, me nënshkrimin e kapitullimit të luftës në Kumanovë.

Kërkimet e familjes

Për shumë vite thuajse askush nuk donte t’ia dinte për fatin e komandant “Karadakut”, përveç nënës së tij, dhe familjarëve të tjerë.

Hetuesit shtetëror nuk dukej se kishin në mend ta zbardhnin rastin. Dukej të ishte shumë e ndërlikuara për ata.

Megjithatë familja, gjithnjë e më shumë do të përpiqej për ta kuptuar të vërtetën. Nuk do të heshtte!

Nuk do të mungonin takimet me ish-krerë të UÇK-së, duke kërkuar ndihmë dhe informacion për ta zbuluar se ku gjendej trupi, nëse ishte vrarë në luftime me serbë apo në rrethana krejtësisht të dyshimta.

Ajo pa dyshim që ishte njëra prej vrasjeve më misterioze që ka ndodhur në përfundim të luftës në Kosovë, dhe që trupi i një ushtaraku as të mos gjendej, të fshihej apo të ishte zhdukur pa gjurmë. Familja këmbëngulte për t’ia bërë nderimet e fundit.

Pas 6 vjet kërkimesh, kufoma e komandant “Karadakut” u gjet me 28.06.2005 në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, kinse nga një kalimtar rasti.

Image
Pamje nga rivarrimi i komandant "Karadakut", me ceremoni zyrtare

Sipas dëshmitarëve, koloneli ishte vrarë

Pra, vrasësit apo porositësit e saj të ndodhur me shumë gjasë nën presionin e hetimeve, kishin vendosur t’i dorëzonin eshtrat e “Karadakut”, duke i lënë diku si buzë rrugës.

“Diku një javë pa përfunduar lufta, komandant “Karadaku”, më foli në telefon. Ai e kishte një telefon satelitor, dhe shumë special që mund të funksiononte në çdo situatë thuaja”, e kujtonte vëllai Tafa bisedën e fundit.

“Nuk ka plumb shkau që më vret mua”, kështu më thoshte Rashiti, “e sa për të shqiptarit veç i tradhtisë”. “S’ka kush tjetër, veç shqiptarët e vranë pas luftës”, thoshte i vëllai Tafa.

Ai ishte takuar edhe me Ramush Haradinajn, por kishte refuzuar ta pinte qoftë edhe një kafe nga ai. Por, kur ishte takuar me Agim Çekun, sa ishte komandant i TMK-së, kishte pranuar ta pinte, por të mos e kursente fare.

“Kur kam shku te Ramushi, as kafen s’ia kam pi, te Agim Çeku po, s’rrej. Agimi një dy më thoshte “s’di gjë, s’di gjë”, por unë i thashë qysh ti s’di gjë, a je konë komandant i UÇK-së. Ti je kon komandant, një pushkë s’ka guxu mu qit pa lejen tënde, e dyta, Agim, ty t’ka shti me Hashimin në Kosovë gjatë bombardimeve, në muajin mars, 11 a 12. Më tha “jo unë kam hy një ditë përpara”. O jo i thashë, ty të ka shti bashkë, se unë kam fol me të”. “Edhe kështu ju dridhshin duart (ndërsa bën gjestin me dy duart si i dridheshin gjeneralit të UÇK-së dhe TMK-së. “Dhe i thashë: O turp është për neve, ti gjeneral me tu dridh duart para meje, një fshatari të thjeshtë. Po të dridh e pavërteta se s’un po e kamuflon, dhe s’do të mund ta kamuflosh kurrë në jetë”. “Ti ke mu përgjegj se ti je kryesori”, i thashë Çekut. Vëllain e kërkoj nga Agim Çeku, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj”, thoshte ai, duke e kujtuar një deklaratë të bërë që në vitin 2000.

Image
Komandant Karadaku – koloneli i zhdukur pas luftës

Autopsitë

Varrimi u bë i mundur pas një zvarritje prej një viti e gjysmë të autopsisë, duke i bërë së paku dy, pasi besohet se njëra kishte pasur synim ndryshimin e fakteve.

Është i habitshëm fakti se si kur iu bë autopsia e parë pas analizave të ADN-së, e cila e vërtetoi se eshtrat ishin të kolonel Rashit Mustafes, mjekoligjorët me gjasë të shtyrë nga ndonjë ndërhyrje nga jashtë, datën e vdekjes çuditërisht e vendosën në janar të vitit 1999. Kjo autopsi qe hedhur poshtë nga familjarët, pasi vëllai, kushërinj, shokë e miq të “Karadakut” ishin takuar me të në Tiranë.

I vëllai e kishte takuar në Shqipëri disa javë para bombardimeve të NATO-s, sikurse dhe të njohur të tjerë, dhe po ashtu kishin folur në telefon.

Autopsia e dytë, e korrigjuar e vendosi vdekjen e tij në qershor, por para hyrjes së NATO-s në Kosovë.

Sipas burimeve të gazetës, besohet se nga hetimet e bëra shumë më vonë, rezulton se Rashit Mustafa është vrarë, pak ditë pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë. “Rashiti është vrarë vetëm disa ditë pas hyrjes së NATO-s. Ai ishte gjallë dhe u vra në Dukagjin, por jo në vendin ku i janë gjetur eshtrat. Është vrarë edhe një person tjetër së bashku me të”, thotë ky burim.

Duke e përgënjeshtruar kështu edhe rezultatin e dytë të autopsisë për komandant “Karadakun”.

Ajo që mbetet e pandryshuar është se plumbi e ka qëlluar nga pjesa e sipërme e kokës, duke e përjashtuar kështu një raport luftimi ballor apo përleshje. Sipas raportit mund të kuptohet se ai do të jetë qëlluar në një pozicion të shtrirë apo ulur, gjë mund të çojë edhe në përfundimin se ai mund të jetë lidhur nga dikush.

Tashmë është qartësuar edhe vendi i vrasjes, i cili nuk dihej, pasi eshtrat ishin gjetur në një vend krejtësisht tjetër.

Për 6 vjet sa vrasja u mbajt e fshehur, familja e tij ishte mbajtur me informacione të rrejshme, se Rashiti është gjallë, pastaj se është vrarë në luftë nga serbët, dhe për një vit e gjysmë pas autopsisë mbeti i pavarrosur, duke e çuar në mbi tetë vjet zvarritjen e prehjes së eshtrave të “Karadakut”.

Rivarrimi u bë me nderime të shumta, përfshirë ato ushtarake me 17.12.2007 me në varrezat e dëshmorëve në Viti.

Ndërsa, vite më pas iu bë edhe një nderim tjetër i lartë, duke ia vendosur shtatoren në Viti, një prej shtatoreve më madhështore në Kosovë, por ende pa iu zbardhur fati.

Image
Shtatorja e "Karadakut" në Viti. Pamje nga momentet pas ceremonisë së vënies së shtatores

“Karadaku” kishte luftuar gjatë në Kroaci, ku është nderuar edhe me grada të larta ushtarake. Luftimet e tij në Kroaci, nga ata që e njohën gjatë luftës në Kosovë apo edhe më parë e tregojnë atë si një prej luftëtarëve të veçantë, në luftën kundër serbëve në Kroaci, duke u respektuar si një hero antik. Sipas një shkrimi të Avdyl Gërvallës, vëllait të heroit Jusuf Gërvalla, nga plumbat e tij kishin shkuar në atë botë qindra serbë.
Kjo luftë heroike në Kroaci, duket se ka qenë shkaku që ministri i Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, ta emëronte komandant të njësisë “Skënderbeu”, dhe siç na dëshmonte vite më parë, ushtaraku në Ministrinë e Mbrojtjes, Nevruz Berisha, se ministri Krasniqi e kishte obliguar që ti vinte në dispozicion çdo gjë që i kërkonte “Karadaku” sepse ishte një ushtarak i jashtëzakonshëm.

Sipas burimeve të gazetës pritet së shpejti të ketë arrestime nga gjykata speciale. “Mendojmë se dy veta do të arrestohen për rastin e vrasjes së “Karadakut”, së shpejti”, thotë ky burim. Nuk dihet nëse do të arrestohen për një rast të vetëm.

Burime të ndryshme konfirmojnë pritjet për arrestimin e të paktën dy të dyshuarve për vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm,

Humbja e kontakteve dhe vlerësimet

Siç na rrëfejnë familjarët, me kolonel Rashit Mustafen, komandant ''KARADAKU-n'' familja kishte folur për herë të fundit në fillim të muajit qershor 1999, së paku një javë para ditës së çlirimit të Kosovës, 12 Qershorit.

Image
Nga e majta: Kadri Berisha, "Karadaku", Isa Kraku, Hajri Elezi. Kadri Berisha, do të vritej vet i 12-ti, duke hyrë në Kosovë, me një sasi parash, gjatë luftës.

Për hetimin edhe të kësaj vrasje jepte shpresa, në vitin 2015 edhe Samuel Zhbogar, atëkohë përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, sipas të cilit Gjykata Speciale do të merrej me hetimin e çdo krimi të luftës.

"Të gjitha krimet duhet të hetohen dhe autorët e tyre të ndiqen. Jo vetëm krimet që përmenden në Raportin e Këshillit të Europës, por edhe ato të kryera gjatë e pas konfliktit në Kosovë. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetrohen", pat thënë Zhbogar duke sqaruar se për shkak të nevojës për mbrojtjen e dëshmitarëve, gjykata speciale do të punojë jashtë Kosovës.

Në ceremoninë e mbajtur të premten, ishin të pranishëm ish-drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, zv.ministri Ahmet Alishani, dhe epror të tjerë ushtarak, deputetë, zyrtarë komunal, miq e familjar.

Alishani e ka kujtuar si një strateg, një bashkëpunëtor shumë këmbëngulës, që së bashku me Ahmet Krasniqin dhe të tjerë merrte pjesë në hartimin e strategjive për çlirimin e Kosovës, në tri strategji, e treta sipas tij parashihte, që siç planifikonte ministri Krasniqi

Me 24 mars, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, Rashiti ishte shumë i shqetësuar, dhe nuk donte të qëndronte në brezin kufitar, dhe kishte vendosur t’i bashkëngjitej Agim Çekut, Hashim Thaçit me disa të tjerë, që marshuan nga Tirana, për në Tetovë-Prizren, dhe hyn në Kosovë.

Hamit Gashi, bashkëluftëtar i “Karadakut”, në këtë ceremoni ka treguar se për të fshehur vrasjen e tij, kishin gënjyer duke thënë se menjëherë pas luftës, se ai ishte kontraktuar nga amerikanët për të luftuar në Afganistan. “Por, ne shokët e Rashitit menjëherë u angazhuam, dhe e zbuluam, se jo që nuk kishte shkelur në Afganistan, por as nuk kishte asnjë shenjë për ndonjë udhëtim. Më vonë e kuptuam se ai ishte vrarë”, ka thënë Gashi.

Në Zhabelin Plak është vrarë dhe ishte varrosur, për ta fshehur përgjithmonë, sipas Gashit. Ai tha se ishte një strateg i tri luftërave në Kosovë, Kroaci dhe në Bosnje.

Pas rezultateve të luftës në Kroaci, ishte graduar në kolonel nga ish-presidenti kroat Tugjman.

Në vitin 2009 presidenti Fatmir Sejdiu e shpalli hero të Kosovës, duke ia akorduar “Medaljen e lirisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat