Nuk kalon Trusti, opozita lëshon seancën një shenjë revolte

Aktuale

Nuk kalon Trusti, opozita lëshon seancën një shenjë revolte

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 12:10 më 23.06.2022
Kuvendi i Kosovës

Kusari-Lila e prerë kundër Trustit

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, gjatë seancës së Kuvendit, ka folur për pasojat, që sipas saj, shkakton një tërheqje e parave nga Trusti.

Ajo tha se tërheqja e fondeve dhe futja e tyre në ekonomi, në shumë nivele, është vlerësuar që e rrit prezencëne keshit dhe ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e mëtutjeshme të çmimeve.

“Tërheqja e këtyre fondeve dhe futja e tyre në ekonomi, në shumë nivele është vlerësuar që e rrit prezencën e keshit dhe ndikon drejtëperdrejtë në rritjen e mëtutjeshme të çmimeve. Dmth sipas propozimit, ndikimi te ata në nevojë është minimal, ndërsa efekti pasues është rritja e çmimeve, për të cilin efekt afatshkurtër nuk kemi mekanizma të shpejtë të amortizimit të kësaj rritje”, tha ajo. 

Ajo bëri të ditur se grupi parlamentar i Vetëvendosjes nuk e mbështet këtë propozim, por tha se duhet gjetur ‘zgjidhje alternative e cila do mundësojë lehtësimin e rrethanave të krijuara nga kriza aktuale’.

“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk e mbështet propozimin por qëndron në shërbim të qytetarëve të Republikës, për gjetjen e zgjidhjes alternative e cila do të mundësojë lehtësimin e rrethanave të krijuara nga kriza aktuale”,u shpreh ajo.

Krasniqi vjen me një kërkesë për deputetët e VV-së

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se “është e domosdoshme tërheqja e një pjese të Trustit”, sipas tij “kjo është kërkesë ekskluzive dhe nevojë e qytetarëve”.

Ai iu ka kërkuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta votojnë Projektigjin për Trustin, duke shtuar se “për kodin Civil s’e keni dëgjuar kryeminisrin, veproni njëjtë edhe për Trustin”.

Gjatë fjalimit të tij, të enjten në Kuvendin e Kosovës, kur po zhvillohet seanca për Trustin, Krasniqi ka thënë se kjo Qeveria nuk ka ndërmarrë masa për gjendjen ekonomike në vend.

“Do të duhej të kishit përgjegjësi për gjendjen aktuale”, ka thënë Krasniqi.

Ka përmendur inflacionin në Kosovë, duke e cituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), të cilat tregojnë që inflacioni është 12 për qind, por shkon te 25 për qind për produktet esenciale.

“Rritja e inflacionit do të vazhdojë, çdo parashikim e sheh këtë”, ka alarmuar Krasniqi.

Për këtë i ka kërkuar Qeverisë së të ndërmarrë masa.

“Kemi një parti të deklaruar të majtë, por po del të jetë e majmë në bazë të deklarimit të pasurisë”, ka shtuar kryetari i PDK-së.

Projektligjin për Trustin e ka propozuar PDK-ja dhe mbështetet nga pjesa e tjetër opozitës.

Për këtë propozim, Krasniqi gjithashtu tha se “mund ta bëjnë një amendament që më të mos preket Trusti”.

“Por tash njerëzit kanë nevojë”, ka theksuar kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë.

Armend Muja kundër tërheqjes së Trustit: Krijon një precedent të rrezikshëm

Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe kryetar në Komisionin për Buxhët, Punë dhe Transfere, ka thënë të enjten gjatë seancës së Kunvedit të Kosovës se tërheqja e një pjesë të Trustit “krijon një precedent të rrezikshëm”.

“Është kundërshtuar në Komision që të ketë tërheqje të mjeteve të Trustit”, ka thënë Muja.

Sipas tij kjo ide “shkatërron strukturën pensionale”, Muja ka shtuar se “tërheqja e mjeteve të Trustit i ndihmon vetëm 5 për qind të Trustit”.

“Mbëshetja e Qeverisë është shumë më e gjerë për të gjitha kategoritë”, ka vazhduar deputeti i VV-së.

Muja ka cituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ku tha se edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, Kosova ka rritje ekonomike pak më shumë se 5 për qind.

Ai ka theksuar se çuditet me deputetët e rinj të cilët e mbështesin tërheqjen e trustit, duke shtuar se “është i destinuar për moshën e pleqërisë”.

“Duhet të ndalojmë çdo nismë ligjore që tenton të preken kursimet pensionale”, ka thënë Muja.

Kamishi u kërkon deputetëve që të votojnë pro tërheqjes së Trustit

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro Projektligjit për tërheqjen e një përqindje të kursimeve nga Trusti.

Haxhiu ka thënë se të gjithë deputetët, pa dallim partie, duhet të votojnë për këtë projektligj, meqenëse kërkesa buron nga qytetarët.

“Kërkesa buron nga qytetarët dhe ne si deputetë duhet ta mbështesim këtë projektligj pa dallim partie. Duhet të votojmë për kërkesat e qytetarëve. 

Qytetarët që nga fillimi i vitit 2020 janë duke u përballë me kriza të njëpasnjëshme.Njëherë pandemia, pastaj kriza energjetike dhe tash kriza ekonomike”, ka thënë Haxhiu

​Kuvendi miratoi rishikimin e buxhetit vetëm për Ministrinë e Financave

Me 65 vota pro, asnjë kundër asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Me këtë rishikim, buxhetit prej 2.7 miliardë euro i shtohen edhe mbi 150 milionë të tjera.

Në këtë rast, rishikimi i buxhetit nga qeveria është bërë vetëm për Ministri të Financave, dhe nuk prek ndonjë organizatë tjetër buxhetore.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha sa i përket rishikimit të rregullt buxhetor të mes vitit, do ta sjellin shumë shpejt në kuvend ku do të mund të adresohen edhe projektet për organizatat tjera buxhetore.

Murati: Sa i përket rishikimit të rregullt të mes vitit do ta keni shumë shpejt

“Rishikimin që e keni para jush e kemi nisur si rishikim të jashtëzakonshëm vetëm për një organizatë buxhetore, ligji për menaxhimin e financave publike parasheh që për ato organizatë që bëhet rishikimi të bëhen dhe konsultime dhe dëgjime buxhetore dhe në këtë raste këto dëgjime nuk janë bërë me asnjë organizatë tjetër, por vetëm me Ministrinë e Financave, sepse vetëm aty ka pasur plotësim ndryshim të buxhetit. Sa I përket rishikimit të rregullt të mes vitit do ta keni shumë shpejt, ku do të mund të adresohen edhe projektet për organizatat tjera buxhetore siç janë projektet në këtë rast që u prezantuan nga deputetja Ariana Musliu Shoshi”, theksoi Murati.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja tha se komisioni ka trajtuar këtë projektligj përmes një grupi punues dhe rekomandon deputetët që ta votojnë këtë rishikim buxhetor.

Muja: Komisioni rekomandon votimin e këtij projektligji

“Komisioni e ka trajtuar përmes grupit punues, ka pasur vetëm një amendamentim dhe të njëjtin pasi e ka miratuar, i ka rekomanduar deputetëve të këtij kuvendi që ta miratojmë”, theksoi Muja.

Ndërsa, dy amendamente të propozuara nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi nuk kanë marrë votat e mjaftueshme.

Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga radhët e PDK-së ka propozuar dy amendamente pas kërkesës siç tha ajo të qytetarëve të fshatit Libeniq dhe Klinë e mesme të cilët kanë probleme me ujë të pijshëm dhe infrastrukturë jo të mirë .

Musliu Shoshi: I kam propozuar dy amendamente, për ujë të pijshëm dhe infrastrukturë në fshatin Libeniq dhe Klinë e Mesme të Skenderajt

“Të dyjat amendamentet të cilat i kam propozuar unë, kanë ardhur pas kërkesave të qytetarëve të fshatit Libeniqit, po ashtu e shumë qytetarëve apo banorëve të fshatit Klinë e mesme të Skenderajt, kërkesat nga qytetarët e Libeniqit është e tyre janë që të pajisen me ujë të pijshëm, fatkeqësisht nuk kanë ujë sjellës dhe nuk kanë ujë të pijshëm aty dimë që ka shumë banorë të cilët jetojnë po ashtu është njëri nga fshatrat që ka pësuar shumë nga lufta dhe i cili nuk ka as edhe burra as djem, ka vetëm gra dhe vajza dhe nuk ka kush që të përkujdesët për ta prandaj është shumë e rëndësishme që ata të pajisen me ujë të pijshëm, dhe e dyta ka të bëjë me rrugën në fshatin Klinë të mesme pra ka shumë banorë që banojnë aty dhe siguria e tyre është e cenuar pasi që nuk kanë rrugë që të udhëtojnë” ka thënë Musliu Shoshi.

Kjo seancë ka qenë e paraparë vetëm me këtë pikë të rendit, të ditës dhe me vazhdimin e pikave të tjera të rendit të ditës të mbetura nga seanca e dita e djeshme, ku pritet të shqyrtohet edhe TRUST-i. 

​LVV-ja edhe në seancën e sotme nuk e voton tërheqjen e Trustit

Këtë të enjte është duke u mbajtur seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, ku është duke u diskutuar për ndryshim plotësimin e projekt ligjit për fondin pensional, i cili ua mundëson tërheqjen e kursimeve pensionale qytetarëve të vendit.

KosovaPress merr vesh se edhe në këtë seancë mazhoranca e përbërë nga LVV-ja, nuk do ta voton këtë projektligj të propozuar nga Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së. 

Para hedhjes në votim të Projektligjit për Trustin, Kamishi flet me deputetët e LDK-së e AAK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu është parë duke diskutuar me kolegët e tij nga LDK’ja dhe AAK’ja, para se të hedhet në votim Projektligji për tërheqjen e një përqindje të kursimeve nga Trusti.

Haxhiu, i cili është nismëtar i kësaj nisme, pas bisedës me kolegët nga partitë e tjera opozitare, është parë duke biseduar më pas me Kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqin.

Ndryshe, kjo pikë ishte paraparë për seancën e djeshme, por shkaku i mungesës së kourumit, seanca u shty për sot në ora 10:00.

Nisma për tërheqjen e Trustit është e PDK’së, derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar kundër kësaj nisme.

Miratohet në parim rishikimi buxhetor

Është miratuar në parim projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022. 65 deputetë votuan pro rishikimit buxhetor.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se pro këtij projektligji kanë votuar 65 deputetë dhe se s’ka pasur asnjë votë kundër apo abstenim.

Me këtë rishikim, buxhetit i shtohen edhe mbi 150 milionë euro.

LIVE: Nis seanca për tërheqjen e parave të Trustit

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është edhe Projektligji për tërheqjen e një përqindje të parave nga Trusti.

Kjo pikë ishte paraparë për seancën e djeshme, por shkaku i mungesës së kourumit, seanca u shty për sot në ora 10:00.

Nisma për tërheqjen e Trustit është e PDK’së, derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar kundër kësaj nisme.

Sot mbahet seanca parlamentare për tërheqjen e Trustit

Sot në Kuvendin e Kosovës pritet të hidhet në votim Projektligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit.

Kjo me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga partitë e tjera opozitare.

Por Lëvizja Vetëvendosje përgjithësisht vazhdon ta ruajë qëndrimin që nuk do të votojnë për një tërheqje të Trustit.

Seanca e Kuvendit fillon në ora 10:00. E nëse votohet projektligji atëherë kalon në parim për të ardhur sërish në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat