Kurti dhe Sveçla flasin për gjendjen në veri të Kosovës – tregojnë detaje se çfarë ka ndodhur deri më tani

Aktuale

Kurti dhe Sveçla flasin për gjendjen në veri të Kosovës – tregojnë detaje se çfarë ka ndodhur deri më tani

Nga: BOTA SOT Më: 1 gusht 2022 Në ora: 11:59 Përditësuar në ora: 13:48 më 01.08.2022
Foto nga konferenca

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë për media dhe mirë se ju gjej këtu në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të policisë së Kosovës, dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur në to, të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive, si rrallë herë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështetë i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal.

Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.

Ju lutemi të gjithë punonjësve të medieve që njoftimet që vijnë nga mediet e Beogradit dhe Moskës, të mos i përhapin si lajme e fakte në mënyrë jokritike, meqë bëhet fjalë për shtete autoritare pa liri të medias atje.  

Me këtë rast, më lejoni të falënderoj dhe të shprehë mirënjohjen time të thellë për Policinë e Kosovës, posaçërisht për zyrtarët policorë që ishin e janë në veri të Ibrit, duke vepruar me profesionalizëm të lartë e duke qëndruar me guxim të madh. Angazhimi i tyre është siguria e jonë.

Të nderuar gazetarë,

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpiejnë atje. Në të gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia, me validitet 90 ditor. Deri në ora 12:00 sot, gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument nëpër vendkalimet kufitare, duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë nr. 01/85 dhe 02/85, të datës 29 qershor 2022 për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej, pra nëntë barrikada në veri të Ibrit. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha.  Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre.

Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nga organet shtetërore të republikës sonë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por vetëm në bazë të veprimeve dhe sjelljeve individuale e grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin. Dhuna nuk do të tolerohet. Dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit.

Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt edhe me partnerët e aleatët tanë evropianë dhe ata amerikanë. Kam biseduar me shkëlqesitë e tyre, zotërinjtë Josep Borrell dhe Jeffrey Hovenier. I falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën porsi ne të tjerët kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale RKS (pa taksë doganore, akcizë dhe TVSh), si dhe sa i përket dokumentit hyrje-dalje në pikat kufitare me Serbinë për qytetarët që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje.

E kuptojmë brengën e faktorëve evropianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj, kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator, menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej nëpër veri të Kosovës.

I falënderoj qytetarët e vendit tonë për durimin, qetësinë dhe përkrahjen. Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues demokratik të Republikës sonë, do të kujdesemi që të mbizotërojnë ligji dhe paqja, për siguri dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat qartazi janë të nxitura, të përgatitura dhe të financuara nga Beogradi.

Ju faleminderit.   

Sveçla: Strukturat kriminale dëmtuan veturat e qytetarëve dhe të Policisë, 11 persona u lënduan

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti, ka folur për situatën e krijuar në veri të vendit.

Sveçla ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme janë lënduar 11 qytetarë të cilët kanë marrë trajtimet e nevojshme mjekësore dhe janë dëmtuar disa vetura private të qytetarëve si dhe veturat zyrtare të Policisë së Kosovës.

“11 qytetarë janë lënduar, të cilët kanë marrë trajtimet e nevojshme. Janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale ilegale të armatosura, për çka tashmë Policia ka nisur hetimet”, tha ai.

Sipas Sveçlës tashmë disa barrikada janë larguar dhe po vazhdojnë të largohen edhe barrikadat tjera të mbetura.

Ministri Brendshëm tha se bashkë me organet e rendit po punohet që i gjithë procesi të shkojë në rregull.

Kurti: Dhuna nuk do të tolerohet, të dënohet agresioni i bandave të nxitura nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin se do të shtyhet vendimi për zbatimin e reciprocitetit për dy vendimet e Qeverisë në shtator në momentin që largohen të gjitha barrikadat.

Kurti në konferencën e përbashkët për medie me ministrin e Mbrojtjes, Xhelal Sveçla ka thënë se dhuna nuk do të tolerohet.

“Asnjë masë e marrë nga organet tona nuk merret në bazë të identifikimit etnik. Dhuna nuk do të tolerohet”, ka thënë Kurti.

Kurti duke falënderuar angazhimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, ka thënë se kupton shqetësimin e ngritur edhe nga BE-ja i cili sipas tij ka ardhur nga propaganda serbe për vendimet e Qeverisë.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të dënojë veprimet e grupeve kriminale në veri.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojw dhunën dhe agresionin e bandave të nxitura nga Serbia”, tha Kurti.

Kurti thotë se s’ka marr ftesë nga Borrelli për takimin me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marr ftesë nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla për zhvillimet në veri, kreu i qeverisë kosovare, tha se me Vuçiqin është dashur të takohen më 19 korrik, takim për të cilin Kurti tha se e shtyu presidenti serb.

Me presidenti Vuçiq është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje, sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret,Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel”.

“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë”.

Kurti: Presim që barrikadat të hiqen gjatë ditës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovës, siç tha “me njerëz të armatosur”, që mbrëmë sipas tij kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Gjatë një konference për media, Kurti tha më 1 gusht se strukturat ilegale serbe në Kosovë po bëhen më agresive.

“Janë gjithsej nëntë barrikada. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria përsërit zotimin se kur të hiqen të gjitha barrikadat, do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të ekzekutimit për targat dhe dokumentet serbe.

Këto dy vendime nxitën pakënaqësi te serbët lokalë të cilët bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kurti tha se këto dy pikëkalime ende janë të mbyllura sepse “ende mbeten të bllokuara rrugën që shpien atje”.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se 11 qytetarë kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

Po ashtu janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, nga siç tha Sveçla, “strukturat kriminale, ilegale të armatosura”.

Kurti: Nëntë barrikada janë ende në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe minsitri i Brendshëm po mbajnë konferencë për media.

Kurti ka thënë se "mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe nëntë barrikada me njerëz të armatosur që i kanë ndaluar qytetarët me automjete dhe këmbësorë".

"Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si asnjëherë më parë. Janë me dhjëtëra shkelje të rënda të ligjit, me të cilat po merret Policia”, ka thënë Kurti duke shtuar se nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç ishte raportuar nëpër disa media.

Qeveria e Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë”, ka konfirmuar kryeministri Kurti.

Kurti e Sveçla dalin në konferencë për media në orën 13:00

Pas tensioneve në veri Kryeminsitri dhe ministri i MBP-së do të mbajnë konferencë për media.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të mbajnë konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

Siç thuhet në njoftimin dërguar mediave, “konferenca do të mbahet sot më 01.08.2022 në orën 13:00, në objektin qendrorë të MPB-së në sallën P-02”.

Kjo konferencë, vjen pas ngjarjeve në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat