Dritan Abazoviq pran rrëzimit!

Aktuale

Dritan Abazoviq pran rrëzimit!

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 10:34 Përditësuar në ora: 19:21 më 03.08.2022
Fotografi nga nënshkrimi i Marrevëshjes Themelore mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë, më 3 gusht 2022.

Caktohet seanca e jashtëzakonshme për shkarkimin e Dritan Abazoviqit

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka caktuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për të premten, më 19 gusht, në të cilën deputetët do të shprehin qëndrimet e tyre për Nismën e Mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, raporton Vijesti.

Seanca e seancës së gjashtë të jashtëzakonshme në vitin 2022 do të mbahet me kërkesë të 36 deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Partisë Socialdemokrate (SDP), Partisë Liberale (LP), Socialdemokratëve (SD) dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (DUA).

Për votëbesimin e Qeverisë në Kuvend kërkohet shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve – 41 vota. Kjo do të thotë se nënshkruesit e nismës do të duhet të kërkojnë mbështetjen e të paktën pesë deputetëve të tjerë.

Nisma pasoi mëngjesin e sotëm pasi kryeministri Dritan Abazoviq dhe patriarku serb Porfirije nënshkruan Marrëveshjen Themelore ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Këto palë pretendojnë se “sjellja injorante” e Abazoviqit dhe vënia në plan të parë e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Serbe rezultoi në një humbje të pariparueshme të kohës së nevojshme për përmbushje cilësore të obligimeve nga agjenda evropiane.

​Më 19 gusht seanca për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Abazoviqit

Më 19 gusht është caktuar seanca e Kuvendit të Malit të Zi në të cilën do të votohet iniciativa për mosbesimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviq.

“Seanca e seancës së gjashtë të jashtëzakonshme në vitin 2022 do të mbahet më 19 gusht 2022. Seanca do të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Malit të Zi, me fillim nga ora 11:00”, është mesazhi që deputetët kanë marrë nga Shërbimi i Kuvendit të Malit të Zi.

Sot më herët, klubi i deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Partisë Socialdemokrate (SDP), Partisë Liberale (LP), Socialdemokratëve (SD) dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve (DUA), kanë dorëzuar në Kuvend një iniciativë për votim mosbesimi ndaj qeverisë së Abazoviqit, pas nënshkrimit të marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe (SPC).

Kreu i klubit parlamentar të DPS-së, Daniel Zhivkoviq, ka bërë të ditur se Qeveria e Malit të Zi, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka humbur legjitimitetin e saj, për këtë arsye kanë kërkuar një seancë ku do të votohet mosbesimi ndaj qeverisë.

Për rrëzimin e qeverisë së 43-të të Malit të Zi kërkohet shumica e numrit të përgjithshëm të 80 deputetëve ose 41 vota.

Dorëzohet mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Dritan Abazoviqit

Kryetari i klubit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviq, tha se kanë dorëzuar iniciativën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi.

Partia Demokratike e Socialistëve njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se do të nisë një iniciativë për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Malit të Zi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë  dhe Kishës Ortodokse Serbe, raporton Vijesti.

Përveç përfaqësuesve të asaj partie, në konferencë është e pranishme edhe Draginja Vuksanoviq Stankoviq, deputete e Partisë Socialdemokrate (SDP).

Zhivkoviq tha se nuk kontestojnë se çështja e Marrëveshjes Themelore duhet të zgjidhet, por se kryeministri është sjellë si njeri që nuk mund t’i besohet. 

Dritan Abazoviq: Jam i gatshëm të shkojë në shtëpi, por jo ta mbajë vendin peng

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se është i gatshëm të shkojë në shtëpi, por jo ta mbajë vendin peng.

Kjo pasi ka nisur iniciativa për rrëzimin e tij nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

Kryeministri Abazoviq tha se është një ditë e trishtuar për të gjithë ata që duan të jetojnë në të kaluarën, por një ditë e bukur për ata që duan të mbyllin çështjet e së kaluarës në mënyrë demokratike, raporton Vijesti.

“Duhet të ishte nënshkruar marrëveshja bazë që të vinte nga një shumicë prej 54 apo 49 dhe konsensus të plotë. E kam njoftuar një muaj më parë. Tani të gjithë do të kemi mundësinë në Parlament të votojmë për çështjet europiane”, ka thënë Abazoviq.

Partia e Milo Gjukanoviqit menjëherë ka nisur protestat, pasi sipas tyre kjo marrëveshje e rrezikon kombin e Malit të Zi.

Partia e Dritan Abazoviqit: Nuk ka shumicë parlamentare për ta rrëzuar Qeverinë

Partia “Ura” që drejtohet nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se nuk ka shumicë për ta rrëzuar Qeverinë.

Pas marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe të cilën e nënshkruajti Dritan Abazoviq, menjëherë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka nisur iniciativën për rrëzimin e Abazoviqit nga pushteti.

Por partia e tij s’është e shqetësuar, pasi thonë se s’ka shumicë për rrëzim.

“Ne besojmë se Parlamenti i Malit të Zi dhe partitë në të do të dinë të përcaktohen në mënyrën e duhur sipas një politike shtetërore të përgjegjshme dhe racionale kundër intolerancës, tensioneve të pabaza, problemeve dhe ekstremizmit”, thuhet në njoftimin e partisë.

Abazoviq deklarohet pas marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka reaguar pas marrëveshjes që e ka arritur me Kishën Ortodokse Serbe.

“Vazhdojmë, në fokus të një standardi jetësor më të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Por ndaj Abazoviqit ka nisur iniciativa për mocion mosbesimi.

Partia e Milo Gjukanoviqit është kundër kësaj marrëveshjeje dhe ka premtuar se Qeveria e re e Malit të Zi do ta pezullojë atë.

Kështu është e paqartë e ardhmja e Abazoviqit në krye të ekzekutivit të Malit të Zi.

Nisin protestat për rrëzimin e Abazoviqit

Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit malazez Millo Gjukanoviq do ta nisë sot një nismë për votëbesimin ndaj Qeverisë së Malit të Zi, të udhëhequr nga Dritan Abazoviq, ndërkohë që dhjetëra qytetarë tashmë janë grumbulluar për të protestuar kundër marrëveshjes së nënshkruar me Kishën Ortodokse Serbe.

Nga partia e Gjukanoviqit kanë deklaruar në llogarinë e tyre në Twitter se iniciativa është e hapur për të gjithë ata që besojnë se qeveria është e papërgjegjshme ndaj interesave kombëtare të Malit të Zi.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re”, theksuan ata.

Kontrata themelore ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe u nënshkrua në ora 10:00 në Podgoricë.

Ndërkohë Vijesti raporton se disa dhjetëra qytetarë po protestojnë në Podgoricë.

Aktivisti qytetar Alelsandar Sasha Zekoviq u tha gazetarëve se Abazoviq tregoi sot se udhëheq një politikë jotransparente dhe i trajton qytetarët në mënyrë tinëzare.

“Këtë nuk e bën qeveria që pretendon se është transparente. Abazoviq nuk ndjek opinionin ekspertëve. Kjo është diktatura gjithnjë e më e hapur e Abazoviqit. Këto nuk janë interesa të qytetarëve për të ndërtuar një Mal të Zi më të qëndrueshëm europian”, tha ai.

Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kishën Serbe, a do të rrëzohet Abazoviqi?

Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmoi të mërkurën se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e sotëm në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.

Vila Shtetërore Gorica, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ndodhet nën masa të rrepta sigurie nga policia.

Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore.

Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 gusht.

Për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore reagoi e para Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se sot do të nisë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.

DPS e Gjukanoviqit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviqit.Ajo gjithashtu ka dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.

Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik – që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes – të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviqit. Por, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat