Kurti tregon dy temat kryesore që do të diskutohen në Bruksel

Aktuale

Kurti tregon dy temat kryesore që do të diskutohen në Bruksel

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 20:10 Përditësuar në ora: 20:38 më 17.08.2022
Albin Kurti

Këto janë temat kryesore që do të diskutohen nesër në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është deklaruar, pas takimit në Bruksel. 

Teksa ka vlerësuar se takimi ka shkuar mirë, ka treguar se takimi ishte përgatitor për takimin e nesërm, transmeton Gazeta10. 

“Janë dy tema të rëndësishme. E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë në mes të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me njohje reciproke, dhe tjetra është çështjet aktuale, ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilateral me të gjitha vështirësitë që janë shfaqur kohëve të fundit”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Lajçak pas takimit me Kurtin: Presim marrëveshje për të shmangur krizën

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se kanë folur për takimin e nesërm të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

“Takova si gjithmonë të dy partnerët për të folur për pritjet. Dua të sigurohem që të kemi diskutime për marrëdhëniet për të ardhmen dhe normalizimin”, ka thënë Lajçak për Kanal10.

“Presim të të dy palët të jenë të dedikuara për marrëveshje për të shmangur krizën”, ka shtuar ai.

Escobar: Presim marrëveshje e cila ruan sovranitetin e Kosovës

I dërguari i  Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë bisedime produktive të enjten në Bruksel.

Escobar ka theksuar se pritjet janë që të arrihet një marrëveshje e cila e ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, po ashtu që parandalon dhunën.

“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira”, ka deklaruar Escobar.

Nesër në Bruksel kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen me përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së në kuadër të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat