“Mos u shqetësoni, ne jemi këtu - Brigada e Veriut”! / Me kë janë SBASHK-u dhe ‘komandantët’?!

Aktuale

“Mos u shqetësoni, ne jemi këtu - Brigada e Veriut”! / Me kë janë SBASHK-u dhe ‘komandantët’?!

Nga: Idriz Morina Më: 18 gusht 2022 Në ora: 18:46
KFOR-i amerikan duke monitoruar në veri

Derisa në Bruksel po bisedohej për të arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Serbia u kujdes, që ta jepte një mesazh publik për Brukselin dhe Uashingtonin, në Kosovë.

Mëngjesi i gdhiu banorët e Mitrovicës në veri, me parullat: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu – Brigada e Veriut”!, të shkruara në rrugë, në mure dhe thuaja kudo!

Nëse shteti nuk shkon me polic në veri, me çka shkon?

Mesazhi është i qartë, Serbia tashmë ka krijuar një brigadë lufte, me të cilën beson se mund t’i kundërvihet forcave policore të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

Ndoshta, opozita kthjellohet dhe e sheh “armikun ante Portas”! Por, meqë është Serbia, ata mund të thonë, se nuk janë armiqtë tanë.

Dhe realisht kur e lexon si reagojnë disa politikan, si Isa Mustafa, Vlora Çitaku, apo ‘komandant’ si Sami Lushtaku, vërtetë duket se është gënjeshtër, si ajo përralla kur dy herë gënjeu bariu “ujku ndër dele”!

Një ditë më parë, Sami Lushtaku e kishte hallin, se çfarë do t’i ndodhte policisë nëse vritet ndonjë prej tyre nga serbët!

Madje, sipas tij nuk shkohet me policë në veri të Mitrovicës, që është një frazë e pamenduar fare.

“Nuk ka pas nevojë me shku me policë në veri të Mitrovicës. Unë mendoj se meqë ka vendos me shku, ka qenë dashur që me vendos ata për të cilën ka shku atje. Jo me luajt me ndjenja të policëve. Me i rreziku policët pa nevojë”, ka theksuar Lushtaku.

Nëse shteti nuk shkon me polic në veri, me çka shkon? Me samilushtakët apo me kë? Nëse shteti nuk shkon në veri me policë me kë shkon? Me bandat shqiptare që bashkëveprojnë, sidomos në veri të Mitrovicës a?

Shteti i ka dy mekanizma të përdorimit të forcës, policinë dhe ushtrinë (FSK-në), nëse nuk e dërgon policinë duhet ta dërgojë FSK-në, por shefi yt i madh Sami, ia pat ndaluar duke e nënshkruar ‘një dreq” akt, me NATO-n, që me gjasë edhe ata mund të jenë penduar, se si ia ka dalur t’i mashtrojë lobi serb me shefin tuaj!

Nëse “nuk ka pas nevojë me shku me policë në veri të Mitrovicës”, pse nuk e ke ndryshu t’i situatën me ‘shokët’ tuaj! Pse dilshe me protestu në Drenicë, kur donte të vinte në vizitë Vuçiqi, dhe nuk dilnit me protestu në kufi apo mbi Mitrovicë të veriut?

Nuk ua mbante Sami, apo edhe më keq, se konsideronit pjesë të Kosovës, veriun mbi Ibër, apo të paktën jo Leposaviçin dhe Leshakun, se ashtu ju kishte udhëzuar shefi, t’mos e doni tokën e Kosovës, sepse na paska dhuruar një kryekriminel serb Rankoviçi, ani se ajo tokë, për nja 10 mijë vjet ishte e jona!

Vrasjet e policëve

Brengoseni se po rrezikohet policia në veri! Pse a nuk i rrahu kushëriri yt policët, a nuk shtiu mbi ta, për pikë qejfi? Pse a nuk i vriste SHIK-u edhe policët edhe në detyrë, edhe në shkëmbim zjarri (Arsim Rrustollin, 2004)?! Si Hajdar Ahmeti, Sebehate Tolaj, Jusuf Haklaj e të tjerë!

Apo ato vrasje nuk ishin të “dëmshme”, prandaj ju nuk i zbuluat kurrë. Nëse vritet polici me serbë jeta qenka shumë e dhimbshme, por të vritesh nga shqiptarët, s’paska dhimbje për ju!

Image
Policët e vrarë Jusuf Haklaj e Sebehate Tolaj, 2003

Por, të gjithë e dimë, se nëse vritesh në përballje me serbët, veçanërisht në veri, jeni hero! Por, kur vritesh si Hajdari, Sebehatja apo Jusufi, nuk jeni hero, nuk bëheni hero, por një martir, dhe një imazh për profesionistët, por është e vështirë të bëheni një hero kombëtar, në kuptimin e plotë konceptual!

Prandaj, një vrasje e atillë (Ahmeti, Tolaj, Haklaj) është edhe më e dhimbshme!

Pra, ky sofizëm i juaji “me i rreziku policët pa nevojë” është hipokrizi, nuk ka asnjë kuptim! Policia dhe shteti na mbrojnë nga krimet dhe nga luftërat. Në të gjithë botën kjo ndodhë, edhe në shtetet me demokracinë dhe zhvillimin më të madh!

Fatmirësisht këto s’kanë ndodhur së fundi në veri, pavarësisht sulmeve, që do të thotë se edhe kujdesi profesional i policisë është rritur, edhe mbrojtja me makineri!

Këta që nuk duan të shohin policinë në veri duke vepruar, janë pjesë e bandave ose e logjikës serbo-shqiptare, dhe madje që po vetidentifikohen! Edhe ata që gënjejnë dhe thonë se po rrezikohet policia e Kosovës, shtiren, sepse nuk kërkuan kurrë llogari për aksionin e dështuar e të paplanifikuar, kur u vra polici Enver Zyberi!

Image
KFOR-i monitoron edhe me helikopterë situatën

Skandal, grevë para 1 shtatorit!

Ndërkohë, që Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka premtuar gatishmërinë e Aleancës për të ndërhyrë, nëse Serbia provokon dhunë, dhe se janë ndërmarrë masat nga KFOR-i, si shtimi i patrullimeve në veri, dhe rritja e gatishmërisë, janë ngritur në këmbë edhe sindikalistët.

Madje dëgjuam, atë që nuk ka ndodhur asnjëherë, grevë para 1 shtatorit, kur ende shkollat janë në pushime, dhe vetë një pjesë e madhe e sindikalistëve etj.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Sindikalistët pa fije turpi paralajmëruan grevë nga 25 gushti! Ndërsa, sindikalistët e arsimit nga 1 shtatori!

Pra, një rrjet dhe një bllokim i strukturuar mirë, me bashkëpunim të paimagjinueshëm, por kësaj radhe hapur në krijimin e një klime në favor të Serbisë!

Më saktë një pengesë serioze në përballjen me Serbinë në veri, ku duket qartë se shërbimet sekrete ruso-serbe, do të provokojnë dhunë dhe gjakderdhje!

Pra, një bllokim total i jetës dhe mundësisë për t’iu kundërvënë Serbisë. Atëherë është e pashmangshme pyetja, se në anën e kujt janë sindikatat, e duan sovranitetin dhe integritetin e Kosovës mbi të gjitha, apo vetëm paranë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat