Ramiz Tafilaj, shqiptaro-amerikani i jashtëzakonshëm, nderohet për ndihmën atdhetare dhe për rikuptimin e historisë shqiptare

Aktuale

Ramiz Tafilaj, shqiptaro-amerikani i jashtëzakonshëm, nderohet për ndihmën atdhetare dhe për rikuptimin e historisë shqiptare

Nga: Idriz Morina Më: 2 tetor 2022 Në ora: 16:41
Ramiz Tafilaj, për SHBA-në Kosova dhe Shqipëria janë partnerë strategjik në gjeopolitikën botërore

Një shqiptar i jashtëzakonshëm, me sukses krejtësisht të veçantë në Amerikë në biznes, kurrë nuk e la anash veprimtarinë atdhetare. Po ashtu kurrë nuk iu largua atdheut. Kur Kosova ishte e robëruar, ai shkoi të investonte në gjysmën tjetër të atdheut në Shqipëri, atje u mundua dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në disa fusha, nga politika deri tek sporti, që të ndiheshin disa impulse zhvillimi në Shqipërinë thuajse të shkatërruar.

Ndërsa, Kosovës kurrë nuk i qe ndarë asnjëherë, gjithmonë në përpjekje të gjetjes së përkrahjes amerikane, për ta ndihmuar atdheun e vet.

Për Ramiz Tafilajn, thuajse nuk kishte institucion politik në SHBA, që mund t’i mbante dyert mbyllur, që ai të mos e plasonte me patriot të tjerë, gjendjen e rënduar në Kosovë, nga shtypja tek okupimi klasik nga Serbia.

Ai dekada para luftës madje, arriti të depërtonte në struktura dhe qarqe vendimmarrëse amerikane.

Ramiz Tafilaj është njëri nga të paktët njerëz të suksesshëm, që janë të thjeshtë në jetën e tyre.

Image
Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj ia jep dekoratën Ramiz Tafilajt

Njohje dhe miqësi me të gjithë presidentët amerikan

Prej gati gjysmë shekulli në SHBA, duke takuar njerëzit më me ndikim dhe më të pushtetshëm, me të drejtë ai mund të vlerësohet ndër shqiptarët më me ndikim në SHBA, i cili përveç me organizime, ka arritur ta takojë çdo president amerikan. Presidenti i parë amerikan, të cilin e takoi ishte Xhimi Karter (1977-1981), për të vazhduar me të famshmin Donald Regan, dy presidentët e familjes Bush, Xhorxh Bush, plakun dhe të riun, presidentin që urdhëroi bombardimin e Serbisë, Bill Klinton, demokratin Obama, presidentin Tramp, i cili madje e nderoi në mënyrë të veçantë me një dekoratë.

Por, ai ka pasur një miqësi të hershme dhe të kultivuar e që vazhdon edhe sot, me presidentin mik të shqiptarëve, Joe Biden. Po ashtu me presidentin Biden, takime thuajse të përhershme ka edhe vajza e tij, Besa Tafilaj.

Ai ka dhënë një kontribut të veçantë në krijimin e një shtrese elitare shkencore, veçmas në mjekësi, dekada më parë. Ka ndihmuar dhjetëra veta të specializojnë në mjekësi, duke ua ofruar këtë mundësi edhe emrave të shquar, si të ndjerit Gazmend Shaqiri, Faik Himës, Hilmi Dautit etj. Duke qenë një filantrop ka ndihmuar shkollimin e shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri me bursa nga studimet themelore tek doktorata, dhe po ashtu edhe jashtë atdheut.

Ndihma qenësore e tij, llogaritet të jetë së bashku me emra të mëdhenj nga bota e biznesit në SHBA, si Xhim Xhema, por edhe të tjerë, përshpejtimi i proceseve politike për Kosovën, ndërtimin e rrugës paqësore politike, deri në bombardimin e Serbisë në vitin 1999. Po ashtu kanë ndihmuar në hapjen e Shqipërisë ndaj demokracisë dhe në vijim në demokratizimin e saj.

Por, sot është duke e treguar edhe një përkushtim të veçantë, në realizimin e ndikimit, për ta kuptuar ndryshe, që në SHBA e më tej të kuptohet e vërteta historike shqiptare, që para Homerit, të shtresave kulturo-historike, të iliricitetit dhe të pellazgjisë.

Po ashtu fëmijët e tij kanë ndjekur shtigje të veçanta suksesi. Vajza e tij Besa, që e përmendëm më sipër ka punuar gazetare në televizionin e njohur amerikan CNBC. Duke pasur dashuri të pashtershme për Kosovën, dhe duke qëndruar afër atdheut, ai e kishte sjellur djalin e tij të luante basketboll në Kosovë, i cili më pas është rikthyer në SHBA dhe vazhdon me sukses karrierën si bankier.

Një meritë të veçantë, e ka për themelimin e LDK-së, dhe fuqizimin e saj, por, disa hollësi ende do të mbesin “nën embargo”, që nënkupton se janë dokumente të klasifikuara!

Për disa nga këto veprimtari, që i njeh edhe publike dhe të tjera, ai u nderua me disa çmime, si në qershor të këtij viti, me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Metaj.

Sigurisht se çmimin më të rëndësishëm deri më sot, ia dha sa ishte president Tramp, “Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore” (President’s Lifetime Achievement Award), i cili konsiderohet si shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”.

“Në emër të një Kombi mirënjohës, ju falënderoj për shërbimit tuaj jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerikanë dhe atyre që më së shumti kishin nevojë… Keni siguruar vazhdimësinë e përkushtimit të pashoq të Amerikës për të përmirësuar jetët e të tjerëve”, thuhej në arsyetimin e presidentit Tramp.

Image
Pamje nga ceromia e ndarjes së titullit "Qytetar nderi i Pukës" për z.Tafilaj

Nderimi në Pukë

Por, Tafilaj sikur ndihet më i lumtur, kur e nderojnë shqiptarët, në vende dhe zona, ku vërtetë është ndjerë pak dora e shtetit.

Bashkia e Pukës, më 12 shtator zhvilloi një ceremoni të veçantë, enkas për ta nderuar shqiptaro-amerikanin, Ramiz Tafilaj me titullin "Qytetar Nderi i Pukës".

Këshilli Bashkiak i Pukës, në vendimin e tij, thekson se shpallja e Ramiz Tafilajt qytetar nderi të Pukës, bazohet në kontributin e çmuar të tij të dhënë në demokratizimin e Shqipërisë, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, humanitetin e tij për të shkolluar qindra shqiptarë, si dhe për promovimin e vazhdueshëm të vlerave kombëtare kudo në botë.

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, tha se Vendimi i Këshillit Bashkiak për ta shpallur qytetar nderi të Pukës Ramiz Tafilajn, është nder për Pukën, “kur i dimë vlerat atdhetare të shpërfaqura nëpër vite".

Vetë Tafilaj, nuk i ka shmangur emocionet, ndjeshmërinë që ia krijojnë nderimet që i bëhen nga shqiptarët, ndërsa tri prej tyre i ka veçuar.

"Ndër vlerësimet dhe nderimet e shumta të bëra në Kosovë, Shqipëri, e deri te dekorimi që më është bërë nga Presidenca e ShBA-ve, për mua janë tri më të rëndësishmet. E para është nderimi që më kanë bërë intelektualët e Komunës sime të lindjes, të Deçanit. E dyta është dekorimi i bërë nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë. Kurse, ky nderim që më bën Puka, është në mesin e nderimeve më të mëdha gjatë jetës sime. Tashmë, në qytetin e bukur të Pukës, po bëj një strehë, po bëj një shtëpi. Po bëhem qytetar i Pukës me tradita atdhetare", ka thënë Tafilaj, në fjalimin e tij plot emocion.

Miqësi jetike

Tafilaj ka dhënë mesazhin shumë interesant, duke ua zbuluar shqiptarëve, se Shqipëria dhe Kosova janë partnerë strategjik të Amerikës. “SHBA-ja, si Kosovën, ashtu edhe Shqipërinë i sheh si partnerë strategjik në gjeopolitikën botërore. Kontributi ynë në demokratizimin e Shqipërisë, është i lidhur me interesin e përbashkët të SHBA-së dhe Shqipërisë. Njëjtë është edhe me Kosovën që tashmë është e pavarur falë Amerikës dhe sakrificës së popullit shqiptar”, ka theksuar Tafilaj.

Ai porositi, që të ruhet miqësia me SHBA-të, si nga Kosova dhe Shqipëria, sepse është jetike për shqiptarët.

“Miqësinë me SHBA-në duhet konsideruar jetike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet dyshuar në përkrahjen amerikane për shqiptarët. Lobi shqiptar në Amerikë punon shumë për të mbajtur këtë miqësi, që falë amerikanëve dhe partnerëve të tyre, Kosova është e lirë dhe po ec drejt zhvillimit dhe demokratizimit", ka thënë Tafilaj.

Image
Tafilaj nderohet edhe nga Kryetari i Këshillit Bashkiak të Pukës, Enver Sylejmani, i cili ia dorëzon vendimin

Ramiz Tafilaj, në këtë ngjarje qe shoqëruar edhe nga shkrimtari dhe botuesi Nazmi Rrahmani, shkrimtari, historiani e gazetari Jusuf Buxhovi, ish-ambasadori në SHBA Avni Spahiu, botuesi Milaim Abdullahu.

Ai dhe shoqëruesit e tij janë pritur edhe në Lezhë nga Kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, me të cilin kanë vizituar edhe monumentin historik të Lezhës dhe sheshin e këtij qyteti.

Tafilaj kishte miqësi dhe respekt të madhe për ish-Presidentin, Dr. Ibrahim Rugova.

Vitin e kaluar është nderuar edhe në Hjuston të Teksasit.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në vitin 2020 e ka nderuar atdhetarin Ramiz Tafilaj, me çmimin “Idriz Seferi”!, me rastin e 12-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Komuna e Vushtrrisë vitin e kaluar e ka shpallur qytetar nderi, Ramiz Tafilajn.

Ndërsa, Shoqata e Intelektualëve të Deçanit, e ka nderuar me mirënjohje.

Tafilaj ishte vendosur në SHBA në vitin 1973. “Ai ka sponsorizuar mbi 100 studentë shqiptarë dhe nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve kanë banuar në shtëpinë e tij”.

Diku në fund të viteve të ’80-ta, ai ishte një promotor nga kryesorët shqiptarë në SHBA, që të përkrahej Kosova, dhe të themelohej Lidhja Demokratike Kosovës.

Tafilaj e drejton në SHBA një biznes shumë të suksesshëm për kontrollin e cilësisë së derivateve, nxjerrjen e derivateve të naftës, dhe një produkt teknologjik krejtësisht të veçantë në SHBA dhe më tej.

Kosova është vendi pa të cilën nuk mund ta kaloj kohën, dhe po ashtu Shqipëria, ku prej shumë miqve, ai e shquan miqësinë e jashtëzakonshme me prof.Dr. Mentor Petrelën, njërin ndër 5 neurokirurgët më të famshëm në botë për vite të tëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat