Paralajmërohen barrikada në veri, Kosova thotë se po zbaton ligjin sa i përket targave

Aktuale

Paralajmërohen barrikada në veri, Kosova thotë se po zbaton ligjin sa i përket targave

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 14:31
Fotografi e realizuar gjatë takimit në Beograd midis përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin.

Këto deklarata Rakiq i bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, teksa më 31 tetor pritet të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato RKS - Republika e Kosovës.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd.

Rakiq tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”.

"As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, shtoi ai.

Osmani: Serbia po kërcënon me dhunë, Kosova po zbaton ligjin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave, Kosova po zbaton ligjin.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 27 tetor, Osmani tha se Prishtina do të punojë me faktorin ndërkombëtar, që siç tha ajo, të parandalohen skenarët destabilizues në rajon.

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë më 27 tetor gjatë një ngjarjeje, u bëri thirrje sërish serbëve në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre.

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Pas këtij takimi, Serbia mbajti mbledhjen e Sigurisë Kombëtare.

Në takimin në Beograd ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si "Brezovica". Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të paligjshme në qendrën turistike Brezovica në Komunën e Shtërpcës.

Vuçiq paralajmëron "rezistencë" të serbëve

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiq deklaroi se do të mbeten në përdorin targat KM (Mitrovicë e Kosovës). Ai po ashtu paralajmëroi se populli serb do të bëjë "rezistencë" nëse Kosova pamundëson lëvizjen me targa të lëshuara nga Serbia.

“Plani i tyre [i Kosovës] është që ato vetura të lëshojnë [Kosovën] duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha ai.

Vuçiq tha se "ne jemi të gatshëm t'i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t'i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje".

Ai shtoi se Serbia pranon targat neutrale ndaj statusit të Kosovës - KS, por këto targa nuk po pranohen nga Kosova.

Në kuadër të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, që Kosova dhe Serbia arritën në dialog më 2011, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.

Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.

Procesi i riregjistrimit të targave

Që nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e shtetit e as të kalojnë kufirin.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, i thanë REL-it më 26 tetor, se synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Ndërkaq, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se autoritet në Kosovë ende nuk janë përgjigjur lidhur me kërkesën për shtyrje të riregjistrimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011.

Procesi i bisedimeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat