“Helmi” i Fatmir Limajt dhe lufta për pushtet / Trysnia ndërkombëtare për kompromise

Aktuale

“Helmi” i Fatmir Limajt dhe lufta për pushtet / Trysnia ndërkombëtare për kompromise

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 30 tetor 2022 Në ora: 18:26
Fatmir Limaj

Derisa Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, po tregohen më të matur në raport me vendimin e Qeverisë për një shtyrje të përkohshme të zbatimit të vendimit për targat e Millosheviçit, kanë jehuar kritika të ashpra nga një parti jashtë parlamentit, NISMA.

Aq i ashpër është treguar Fatmir Limaj, sa duket befasues qëndrimi i tij. Nuk është shquar prej vitesh për kritika kaq goditëse ndaj Albin Kurtit, Madje, ka ditur të tregohet i përmbajtur shpeshherë në situata mjaft delikate në këto 2-3 vitet e fundit.

Madje është habi se as PDK-ja nuk ka derdhur aq shumë akuza brenda një dite të vetme nga politikanë të ndryshëm, pavarësisht kritikave të ashpra që kanë pasur ndaj pushtetit.

Fatmir Limaj, në konventën e sotme të partisë së tij, është munduar ta krijojë një regjistër të dobësive të Qeverisë Kurti 2, që sipas tij, i dëshpëron qytetarët.

“Janë njerëz që flasin e mashtrojnë... Kosova qeveriset nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, pa vizion. Sot kemi qeveri pa plan e pa program. Qeveria e ka humbur komunikim me qytetarët e partnerët e vet. Unë bëj thirrje për një front të përbashkët politik. Na duhet ta shërojmë këtë helm që e ka ngritur kjo qeveri te qytetarët”, ka thënë Limaj.

Ndërsa, nuk ka shprehur ndonjë kërkesë të rëndësishme, që Qeveria apo institucionet të mos e shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, të paktën nga AAK-ja kanë kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës.

Por, asnjë nuk po flet nëse mund të shkaktojë ndonjë tronditje, qasja për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, meqenëse edhe trysnia për shtyrje 10 mujore të zbatimit të vendimit për targat ilegale serbe, lidhet me këtë.

Partitë opozitare vazhdojnë të tregohen të shkujdesura, ndërsa iu intereson mundësia për të shkuar në zgjedhje dhe arritur disi në pushtet.

Por, frika e Limës është indikative, mbase ka të bëjë më shumë me rrezikun nga ndonjë hetim potencial.

Rreziku nga kompromiset

Madje ndër reagimet e fundit është interesant se edhe reagimi i të dërguarit special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, është në nuanca më i ndryshëm, më kritik ndaj Kosovës dhe më kërkues apo insistues për arritjen e një pajtimi për Asociacionin?!

Image
Peach, “Negociatat kanë të bëjnë me kompromisin...”.

Gjenerali britanik është treguar shumë i qartë sa i përket pritjeve dhe vlerësimeve perëndimore për dialogun dhe rrjedhat e tij.

“Se si duket Asociacioni varet nga palët në dialog. Është gjithashtu e rëndësishme që palët të ndryshojnë narrativën dhe të hedhin poshtë disa nga mitet e “Republica Srpska” që e kanë bërë idenë e një Asociacioni një çështje kaq toksike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shkoi deri diku për të thënë atë se nuk ishte e mundur sipas legjislacionit ekzistues; megjithatë, tregoi gjithashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në tërësi nuk ishte kundër Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar gjenerali Peach.

Ai ka thënë se nuk ka rezultat ‘zero zero’ në bisedime, por sipas tij, “palët do të përfitojnë nga marrëveshja”.

Po ashtu sipas gjeneralit Peach, “Negociatat kanë të bëjnë me kompromisin...”.

Pra, situata është e qartë dhe duket sikur ne kemi rënë në një lloj kurthi, ndërsa e llogaritnim që me fillimin e luftës në Ukrainë, zhvillimet atje, ne do të mund të ishim në epërsi diplomatike ndaj Serbisë, situata po rezulton, njëherë përnjëherë në disfavorin tonë.

“Kush nuk ofrohet për marrëveshje është fajtor”

Për dallim nga perëndimorët zv.kryeministri i parë i Serbisë Ivica Daçiq, të njëjtën ditë, për dallim nga pretendimet perëndimore, ankohet para botës, se si Serbia po e humb mbështetjen ruse, dhe se të vetmit, që e kanë mbështetur në OKB kanë qenë rusët.

“Kë do ta telefonojë Vuçiq nesër kur rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë të jetë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai dhe unë u ulëm vetëm dhe shikonim se kë do ta telefononim. Ju e dini se kush ishte i vetmi që u përgjigj atëherë – Lavrov”, ka thënë Daçiqi.

Pra, serbët pavarësisht që po mbështeten aktualisht shumë nga perëndimi, ata vazhdojnë të vajtojnë për Rusinë.

Madje, me trysninë aktuale po merrë një korrelacion me bisedimet në Rambuje, se kush nuk ofrohet për marrëveshje është fajtor.

Si duket nën rrogoz situata është më ankthioze se sa që është paraqitur deri më sot në media, edhe nga vetë Perëndimi, në diplomaci dhe në publik.

Për herë të parë u kuptua se SHBA-të, kanë krijuar një strategji të re për luftën bërthamore në kundërpërgjigje të kërcënimit kinez dhe rus, duke e shpallur, se ajo do të godasë e para në rast të një rreziku të menjëhershëm për sulm nga ndonjëri prej dy vendeve të përmendura.

Megjithatë ky për ne është sërish një lajm ngushëllues, duke besuar në arsyeshmërinë amerikane, trysninë serioze që do të ushtrojë ky kërcënim amerikan për vendet potencialisht të gatshme për përdorim të armëve bërthamore, si Kina dhe Rusia.

Ne edhe njëherë ndihemi të lehtësuar se nuk jemi në anën e gabuar, dhe se me këtë edhe të mbrojtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat