Asnjë kompromis më me Serbinë / Jo marrëveshja pa njohjen reciproke, dhe jo asociacion antikushtetues

Aktuale

Asnjë kompromis më me Serbinë / Jo marrëveshja pa njohjen reciproke, dhe jo asociacion antikushtetues

Nga: Idriz Morina Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 17:52
Presidenti Amerikan Biden i zotuar se sovraniteti, integriteti dhe njohja reciproke me Serbinë janë zgjidhja e vetme

Beteja e vërtetë politike për institucionet tash fillon. Targat ishin thjeshte një çështje, që duhej kaluar. Por, si gjithmonë si për fat të keq, nuk u shfrytëzua për unitet, por për rritjen e agresivitetit në komunikim, aq sa në disa raste ai është përshkallëzuar nga disa figura të opozitës.

Pra, në vend të arritjes së unitetit u pa hapur tendenca e rritjes së rrezikut për përplasje të brendshme, rritje armiqësish, dhe grumbullim pakënaqësish.

Këto vinin dhe vazhdojnë të vijnë nga njerëz që kanë humbur pushtetin apo ndikimin dhe nga të tjerë, që mund të jenë në rrezik për humbjen e ndikimit të tyre ekskluziv, në të gjitha shtyllat e pushtetit.

Pretendimi iluzor

Sidoqoftë, kritikat partiak në përgjithësi nuk ishin të rënda, dhe dy partitë kryesore opozitare e pranonin të drejtën legjitime të shtetit për t’i dhënë fund ilegalitetit të targave serbe.

Por, amerikanët ishin këmbëngulës që të ndryshonte qasja e Qeverisë për targat dhe që të shkohet më shpejt në bisedime për zgjidhjen e përhershme apo përfundimtare me Serbinë, edhe pse duket një lloj pretendimi iluzor.

Në fakt, po të kishte vendosur Serbia ta pranonte realitetin me kohë, këto çështje as që do të diskutoheshin tani. Por, përveç se Serbia e refuzon realitetin ajo pandërprerë nëpërmjet institucioneve akademike dhe të sigurisë, vazhdon të hartojë projekte dhe programe se si ta shkatërrojë Kosovën, se si një ditë të mund ta rrisë ndikimin dhe që të mund ta pushtojë vendin.

Por, rrethanat aktuale, megjithatë nuk flasin për një favorizim të Serbisë, përveç kur aksidentalisht apo pavetëdijshëm, merren vendime acaruese, që mund ta ndihmojnë Beogradin.

Siç ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano, BE-ja u ka dërguar tashmë ftesë liderëve të Kosovës dhe Serbisë për takim në Bruksel, që të vazhdohet me bisedime për hapat e mëtejshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Image
Pamje nga njëri prej takimeve në Bruksel, Kurti, Borell, Lajçak e Vuçiq

Sipas kryeministrit Albin Kurti, edhe para takimit të së hënës ka pasur një dakordim, që marrëveshja të arrihet para marsit të vitit të ardhshëm, që nënkupton, që bisedimet të mos zgjasin më shumë se tre muaj, dhjetor, janar dhe shkurt.

Por, përpjekja për normalizim apo normalizimi nuk arrihet pa një marrëveshje. Aktualisht nuk është e qartë përmbajtja e marrëveshjes së ofruar nga BE-ja, si thuhet e sponsorizuar nga Gjermania dhe Franca. Megjithatë shumë nga detajet dihen.

Madje njëra prej gjërave kyçe që mungon dhe shihet si pikë e dobët e saj është mungesa e njohjes reciproke.

Kjo shihet si mundësi kompensimi me lejimin e të drejtës së Kosovës për anëtarësim në OKB e NATO, pa u penguar nga Serbia.

Por, pasi Serbia si duket ia ka arritur që ta heq nga propozimet aktuale çështjen e njohjes reciproke, tani po e kundërshton edhe anëtarësimin në OKB.

“Ne themi se nuk e duam Kosovën në Kombet e Bashkuara, atëherë çfarë – a do të na bombardoni, të na kërcënoni me sanksione, çfarë”, ka thënë Vuçiq sot, duke iu drejtuar shteteve perëndimore.

Ndërsa, një mundësi tjetër është që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë me arritjen e marrëveshjes, si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja. Po ashtu përveç se do t’i hapnin rrugë Kosovës këto njohje në procese të tjera, ato nuk do të ishin pengesë për anëtarësim në NATO, pjesë e të cilës nuk është vetëm Qipro.

Një çështje tjetër esenciale që është kundërshtuar nga ekspertë të së drejtës, është se dokumenti mbështetet mbi modelin e dy gjermanive. Kjo i referohet një dokumenti, që dy gjermanitë, ajo federale-perëndimore dhe ajo komuniste (demokratike) -lindore, kishin nënshkruar një traktat për mospengimin e njëra-tjetrës në funksione shtetërore, dhe që kishte çuar më pas në bashkimin e dy shteteve.

Mbështetja e tillë, qoftë edhe në aspektin më periferik apo vetëm të emërtimit, mendohet se do t’i jepte Serbisë, mundësinë, që siç pretendohet pas 10 vitesh, që ta shtrojë çështjen e ‘ribashkimit’, ndërsa shqiptarët përherë kanë ëndërruar një bashkim me Shqipërinë, shtetin amë.

Me sa duket, kjo buron edhe nga ajo, që kryetari i Kuvendit e quajti e drejta e vetëvendosjes së dy vendeve, që ai e lavdëronte apo e shihte, si një mundësi më të mirë se vet deklarimi verbal i njohjes nga Serbia.

“Serbia pajtohet që të respektojë sovranitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes", atëherë, sipas tij, “kjo është më e rëndësishme sesa njohja verbale (nga Serbia)”, ka deklaruar Konjufca në një intervistë, citat që e risjellë Rel.

Presidentja Osmani e ka quajtur propozimin, “si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme në dialog”.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti i revoltuar me Borellin pas takimit të së hënës në Bruksel, e ka vlerësuar, si një plan tek i cili duhet të shkohet apo realizohet, pasi ka lënë të nënkuptohet se ai është i gatshëm për një plan të atillë ose ta pranojë.

Image
Vjosa Osmani e pritur nga ushtria amerikane, sot në Bondstill

Refuzimi nga Serbia

Kurti, ditëve pasuese, përfshirë sot në Kuvend ka dhënë më shumë informacione për bisedimet dhe për dokumentin, në fakt, sërish më shumë si fragmente mozaikësh.

Por, sipas tij, deri në diskutimet paraprake janë ofruar për marrëveshje tetë variante të planit, nga të cilët, ai ka thënë se pesë i ka pranuar, ndërsa Vuçiqi asnjë.

Sipas asaj, që ka thënë ai, palëve u është kërkuar, që të diskutonin për arritje të marrëveshjes, nëse palët do të pranonin një variant. Sipas asaj që ka lënë të kuptohet ai, del se në tavolinë sërish janë tetë variante, pasi që janë refuzuar të gjitha nga Serbia, ose do të bëhet një variant i ri, mbështetur edhe në pesë variantet e pranuar nga Kurti.

Por, as institucionet si Kuvendi, as ato akademike, dhe as mediat, e as publiku, nuk e kanë në duar asnjë variant, prej atyre që i ka preferuar Kurti.

Disa nga drejtuesit e partive opozitare kanë thënë se e kanë parë dokumentin, pa dhënë shumë kritika si Ramush Haradinaj, që përgjithësisht dukej i kënaqur, ndërsa sot, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka kërkuar, që plani ta përmbajë njohjen reciproke me Serbinë.

Ndërkohë, që në mesin e mbështetësve të vendimeve të fundit të qeverisë, kanë kërkuar shkarkimin e kryenegociatorit Besnik Bislimi, pas arritjes së marrëveshjes për targat.

Prandaj, si kemi thënë që në fillim ishte dhe është esenciale, që shqiptarët, institucionet, Qeveri, Presidencë, Kuvend, parti politike, opinioni publik të përqendrohen te çfarësia e marrëveshjes, pavarësisht propozimit nëse është franko-gjerman apo jo, pastaj se çfarë statuti do të ketë asociacioni, që në asnjë rast këto zgjidhje të mos bien ndesh me Kushtetutën e vendit, integritetin dhe sovranitetin.

Mbi të gjitha duke pasur mbështetjen amerikane që marrëveshja ta përfshijë njohjen reciproke, dhe një asociacion kushtetues. Këto mesazhe për zgjidhjen përfundimtare janë dhënë nga presidenti amerikan Joe Biden, nga sekretari i Shtetit Blinken, nga ambasadori amerikan Hovenier, nga i dërguari special Escobar etj. Prandaj, nuk duhet të tolerohet asnjë kompromis në favor të Serbisë lidhur me këto çështje.

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Stano ka paralajmëruar se pas targave pritet formimi i asociacionit dhe se në këmbim do të jetë kthimi i serbëve në institucione.

“Natyrisht ne jemi duke punuar dhe kemi punuar për një kohë të gjatë që nga kriza e fundit dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës ishte një nga pritjet themelore nga ana e Bashkimit Evropian, e njëjta gjë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, u shpreh Stano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat