Deminohet një granatë dore në Mitrovicë, detajet e fundit pas shpërthimeve të njëpasnjëshme

Aktuale

Deminohet një granatë dore në Mitrovicë, detajet e fundit pas shpërthimeve të njëpasnjëshme

Nga: Bota sot Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 15:29 Përditësuar në ora: 17:52 më 06.12.2022
Pamje nga sulmi në veri të Kosovës

Situatë e tensionuar në veri, Sveçla jep detaje: Zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba!

Nga: A.M.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas disa shpërthimeve dhe të shtënave me armë në veri të Kosovës.

Sveçla përmes një postimi në Facebook njoftoi se “nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik.

Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.

Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.

Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush.

Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit.

Serbia akuzon Kurtin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, "terror" ndaj serbëve.

Në një postim në Twitter, ai publikoi disa fotografi ku, siç tha, duken ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor na Mitrovicë të Veriut, "të shkatërruara nga forcat speciale" të Kosovës.

REL nuk e konfirmoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e atyre fotografive.

Përmes një komunikate për media, të publikuar më herët, Petkoviq tha se qëllim i Kurtit është që "me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri" dhe "në to të instalojë përfaqësues shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime".

"Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor", tha Petkoviq.

Osmani: Bandat kriminale synojnë destabilizimin e Kosovës

Ndërkaq, e pyetur për situatën në veri pas raportimeve për shpërthime, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se edhe në rastet e mëparshme, situata në këtë pjesë të shtetit përshkallëzohet, për shkak se, sipas saj,

“bandat kriminale, të përkrahura politikisht dhe financiarisht nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, kanë për qëllim përshkallëzimin e situatës, kanë për qëllim destabilizimin e tërë Kosovës”.

“Rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetarë tanë pavarësisht etnisë”, tha Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të mbajtur midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pas shpërthimeve në veri, reagon Policia e Kosovës

Në veri të Kosovës këtë të marët janë dëgjuar shpërthime e të shtëna me armë.

Për këtë Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se “deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”.

"Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës", thuhet tutje në komunikatën e Policisë.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Prishtinë, më 6 dhjetor 2022

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Shpërthim i ri tek Tre Rrokaqiejt

Një shpërthim i ri është dëgjuar këto momente tek Tre Rrokaqiejt në Mitrovicë të Veriut.

Edhe gjatë ditës ka pasur të shtëna dhe shpërthime në pjesën veriore dhe këto i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Në njoftimin e policisë është theksuar se nuk ka persona të lënduar si pasojë e shpërthimeve.

---------------

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, kanë hyrë në ndërtesën e komunës së Zubin Potokut.

Më herët gjatë ditës së sotme, u njoftua se oficerët do të hyjnë në zyra për të pasur akses në listat zgjedhore në veri.

Kosova Online raporton se depërtimi ka ndodhur rreth mesditës dhe se kanë rënë dy shpërthime.

I njëjti portal, referuar informacioneve nga terreni, bën të ditur se punonjësit e KQZ-së kanë ndërruar bravat pasi kanë thyer dyert e zyrave në bashki.

Sirena që ka rënë ka zgjatur për disa minuta dhe mësohet se qytetarët janë mërzitur shumë.

Siç ka konfirmuar për portalin Nova.rs një qytetar nga Zubina Potok, në një moment para ndërtesës së komunës kanë arritur pesë vetura, tre prej të cilave xhipa të njësive speciale dhe dy automjete të rregullta policore.

Në momentin që efektivët e KQZ-së po largoheshin nga bashkia, forcat speciale kanë zbritur nga automjetet e tyre dhe janë siguruar që të mos ndodhin incidente të mëdha.

Më pas ka rënë sirena e alarmit.

Menjëherë pas kësaj, forcat speciale dhe zyrtarët u larguan nga kjo komunë.

Portali Nova.rs ka tentuar të kontaktojë me drejtuesit e kësaj komune, por deri në publikimin e këtij teksti askush nuk iu përgjigj thirrjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat