Hovenier i prerë: Nuk mbështesim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Aktuale

Hovenier i prerë: Nuk mbështesim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Më: 31 janar 2023 Në ora: 08:04 Përditësuar në ora: 16:08 më 31.01.2023
Ambasadori ameirkan, Jeff Hovenier

Ambasadori amerikan zbulon detaje nga takimi për Asociacionin: SHBA s’mbështet asgjë kundërkushtetuese

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka folur për media pas takimit që ka pasur sot me përfaqësues të qeverisë, partive opozitare e organizatave jo-qeveritare për të diskutuar rreth Asociacionit.

Hovenier ka thënë se disa zyrtarë të SHBA-së e kanë bërë të qartë dhe se edhe vetë si ambasador e thekson që SHBA-ja nuk mbështet një Asociacion që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës apo që do të kërcënojë sovranitetin  e Kosovës, pavarësinë, karakterin multi-etnik apo institucionet demokratike.

Gjithashtu Hovenier ka thënë se Washingtoni kundërshton fuqishëm krijimin e ndonjë entiteti që ngjason me “Republika Srpskan” në Bosnje e Hercegovinë. 

 “Disa zyrtarë të lartë të SHBA-së e kanë qartësuar. Dhe unë dua të jem shumë i qartë për pozitën e SHBA-së. Ne nuk mbështesim ndonjë angazhim që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që s’është në përputhje me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese apo që do të kërcënojë sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, karakterin multi-etnik apo institucionet demokratike. 

Në kundërshtojmë fuqishëm krijimin e ndonjë etniteti që ngjan me “Republika Srpskan” në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Hovenier. 

Ai tutje ka thënë se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të ndajë vizionin e saj për Asociacionin, një Asociacion që Kosova mendon se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik, multi-etnik e që ofron të drejtat për minoritetet në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të japë vizionin e saj për Asociacionin, që ajo beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet multi-etnike, sovrane dhe demokratike dhe që ofron të drejtat për minoritetin në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar tutje ambasadori Hovenier. 

Ai thotë se themelimi i Asociacionit është çështje urgjente dhe e rëndësishme dhe se SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë Kosovën edhe me ekspertizë dhe përkrahje politike. 

 “Kjo është urgjente dhe shumë e rëndësishme. Ne jemi të gatshëm që të japim ekspertizë dhe përkrahjen politike që të sigurohemi që kjo funksionon në shërbimin më të mirë për të gjithë kosovarët”, ka potencuar ai. 

Hovenier ka deklaruar se Qeveria tashmë ka mundësinë të marr atë çfarë kanë dëgjuar në diskutim në mënyrë që të rinisin përpjekjet për themelimin e Asociaciont, duke theksuar se krijimi i Asociacionit është krucial derisa Kosova ndërton të ardhmen e saj drejt BE-së dhe institucioneve euro-atlantike. 

Ambasadori Hovenier thotë se SHBA ndanë këtë vizion me Kosovën dhe se do të vazhdojë të qëndrojë aleat dhe shtet mik i Kosovës.

“Anëtarët e Qeverisë tashmë kanë mundësinë që të marrin çfarë dëgjuan këtu. Ne shpresojmë që ky diskutim të inspirojë rinisjen e angazhimit për të punuar drejt themelimit të Asociacionit që ne e konsiderojmë krucial derisa Kosova ndërton të ardhmen e saj si shtet demokratik, multi-etnik dhe shtet i pavarur që është plotësisht i integruar në Bashkim Evropian dhe strukturat euro-atlantike. SHBA-ja e ndan këtë vizion me popullin e  Kosovës dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me ta si miq si aleat”, ka përfunduar Hovenier.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KETU

Hovenier: Nuk mbështesim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se "nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës" ose që "kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik" të saj.

"Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë", tha Hovenier.

Ai i bëri komentet pas një diskutimi të mbyllur që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që "Kosova t'i përmbushë obligimet e saj".

"Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës", tha Hovenier.

"Kjo është vendimtare, kjo është e rëndësishme, kjo është urgjente", theksoi ai.

"Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike, për t'u siguruar se ai funksionon në interes të të gjithë kosovarëve", shtoi ambasadori amerikan.

Ai, po ashtu, theksoi se partneriteti i SHBA-së me Kosovën "është i palëkundur".

"Diskutimi i sotëm reflektoi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës. Ne donim t’i kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për Asociacionin, çfarë mund të jetë, si mund të realizohet për qytetarët e Kosovës, por edhe çfarë kapacitetesh nuk mund apo nuk duhet të ketë", tha ai.

Sipas ambasadorit, diskutimi në ambasadë, ku morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë, u përqendrua në tri gjëra.

“Së pari, si mund të funksionojë një asociacion në praktikë? Pjesëmarrësit në këtë takim ngritën një sërë temash, përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të Asociacionit. Së dyti, si mund të funksionojë një asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës? Sërish, dëgjuam opinione të ndryshme, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës] të vitit 2015. Së treti, si mund të kontribuojë një asociacion në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve të Qeverisë për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë? Dëgjuam pikëpamje sesi Asociacioni mund të ndihmojë t’i adresojë çështjet dhe nevojat që janë thelbësore për çdo komunitet”, tha Hovenier.

Çka u diskutua në takimin për Asociacionin, përfaqësuesja nga shoqëria civile jep detaje

Ka përfunduar diskutimi për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Pjesë e diskutimit përpos përfaqësueseve të Qeverisë, Presidencës e përfaqësuesve të partive opozitare, ishin edhe pjesëtarë nga shoqëria civile.

Pranë Ambasadës amerikane ishte edhe gazetari Venhar Jusufi, ku Millica Andriq Rakiq nga organizata Iniciativa e Re Sociale në Mitrovicë të Veriut, pas takimit ka thënë detaje se çka është diskutuar.

Ajo ka thënë se në takim është diskutuar për mënyrën se si do të mund të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Rakiq thotë se nuk ka pasur konkluzione përfundimtare nga takimi dhe se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë paraqitur qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje që tashmë është publik.

“Kemi biseduar për atë  se si do të mund të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Nuk mund të them se ka diçka përfundimtare nga takimi. Kishte mendime të ndryshme dhe debate kishte debat të civilizuar, çka është më e rëndësishmja. Përfaqësuesit e institucioneve kishin qëndrimin e tyre që tashmë është publik, se ende nuk e kuptojnë nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe se plani i Ahtisaarit u përgjigjet nevojave të komunitetit. Kishte shumë diskutime rreth asaj se si do të zbatohet Asociacioni, çfarë kompetenca do të ketë, korniza ligjore e të tjera”, u shpreh ajo para mediave.

Pak më parë, edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane.

Hovenier ka shkruar se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut.

“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.

Ambasada amerikane: Vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut

Ka përfunduar takimi në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në të cilin është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas përfundimit të takimit, nga Ambasada amerikane përmes një deklarate në Facebook, thonë se do të vazhdojnë që të avokojnë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut.

“Sot gjatë ditës, mbajtëm një seancë dëgjimore për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. U jemi mirënjohës palëve të interesuara të që ishin të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut”, thuhet në deklaratë.

Përfundon takimi për Asociacionin në Ambasadën Amerikane

Ka përfunduar takimi për çështjen e Asociacionit i thirrur nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Kryeministria e Presidenca, përfaqësues të partive opozitare, diplomatë e pjesëtarë të shoqërisë civile.

Takimi ka zgjatur rreth dy orë.

Në takim nuk ishte prezent kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti gjatë javës së kaluar tha se nuk ka marrë ftesë për takim, gjersa sot nuk komentoi shumë, por tha se kabineti i tij është prezent aty.

Ftesa për takim e Ambasadës amerikane, takim ky i iniciuar nga ambasadori Jeff Hovenier, u bë publike një javë më parë.

Nga Ambasada bënë të ditur se po thirrin një takim me ekspontentë nga sfera politike në Kosovë, liderë e përfaqësues nga shoqëria cilvile që të diskutohet për një “çështje me rëndësi”, pra themelimin e Asociacionit.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar përmes një teksti autorial, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po e cilësojnë si detyrë kritike të Kosovës, por që duhet të bëhet.

Nis takimi për Asociacionin, Kurti s’e komenton

Pas homazheve te shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë pyetur në lidhje me takimin në ambasadën amerikane.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti nuk ka komentuar këtë takim, përveç që u shpreh se i njëjti tashmë ka filluar.

"Vetëm sa ka filluar takimi, besoj që ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre", ka thënë Kurti.

Presidentja Osmani është deklaruar para takimit për Asociacionin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar para takimit që pritet të mbahet në Ambasadën amerikane ku kryetemë është çështja e Asociacionit.

Osmani ka thënë që “gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë”.

Ndryshe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë sot i ka thirrur në takim përfaqësues të pozitës, opozitës dhe të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasada amerikane tha përmes një postimi në Twitter se pret të dëgjojë "opinione të menduara mirë".

Ambasada amerikane e gatshme për takimin për Asociacionin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot do të mbajë diskutim, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasada ka publikuar një fotografi të sallës, ku pritet të mbahet takimi.

“Sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (ASM) në Kosovë. Ne mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë.”, është shkruar në postimin e ambasadës në Twitter.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë mbrëmë se Zyra e presidentes Vjosa Osmani dhe ajo e kryeministrit Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutim.

Gjithçka gati për takimin e sotëm, Ambasada amerikane: Mezi presim të dëgjojmë perspektivat për Asociacionin

Ambasada amerikane në Prishtinë është deklaruar në lidhje me takimin e thirrur për sot e që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi se mezi presin që të dëgjojnë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë.

Mëngjesin e sotëm, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ne mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderët politikë”,thuhet në reagim.

Ndryshe Qeveria e Kosovës në këtë takim do të përfaqësohet nga shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi ndërsa presidenca nga shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Po ashtu pjesë e këtij takimi do të jenë përfaqësues të partive politike opozitare dhe ata nga shoqëria civile.

Bekim Vela e Bekim Sejdiu nga Presidenca shkojnë në takimin e ambasadës amerikane për Asociacionin

Shefi i stafit Blerim Vela dhe Këshilltari i Jashtëm Bekim Sejdiu janë duke e përfaqësuar Presidencën në takimin që nisi në ambasadën amerikane në Prishtinë për të diskutuar mbi çështjen e Asociacionit.

Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të partive politike, zyrtarë qeveritarë, ambasadorë e pjesëtarë të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat