“Pare kam dhanë, s’e kam ditë që është vepër penale”, e pranon fajësinë një i akuzuar në rastin “Subvencionet 1”

Aktuale

“Pare kam dhanë, s’e kam ditë që është vepër penale”, e pranon fajësinë një i akuzuar në rastin “Subvencionet 1”

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 17:53
Pamje nga gjykata

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Subvencionet 1”, të martën është dhënë fjala hyrëse nga palët në procedurë dhe është refuzuar pranimi i fajësisë ndaj të akuzuarit Florim Nimanaj.

Gjatë kësaj seance, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, 10 të akuzuar u deklaruan të pafajshëm, ndërkaq i akuzuari Florim Nimanaj tha se ndjehet fajtor lidhur me veprimet e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë pare kam dhanë, është e vërtetë që kam dhënë se s’e kam ditë që është vepër penale”, tha i akuzuari Nimanaj.

Prokurori special Rafet Halimi u pajtua me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Nimanaj, pasi që sipas tij, është në përputhje të plotë me aktakuzën e cila e ngarkon.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Nimanaj, avokatja Pranvera Ukaj, e ka mbështetur pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i saj, që sipas saj është bërë pas konsultimit me të dhe pas sqarimit për benefitet dhe të metat e pranimit të fajësisë.

“Pranimin e fajësisë e bën në mënyrë vullnetare dhe që në fazat fillestare të kësaj procedure e ka pranuar që ka ndërmarrë veprime të përshkruara në aktakuzë edhe pse pa dije që po kryen vepër penale”, tha avokatja Ukaj.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi e ka pyetur të akuzuarin Nimanaj nëse i njëjti e ka të qartë për çka akuzohet dhe për çka po e pranon fajësinë edhe pas leximit të dispozitivit, e që i akuzuari e pohoi këtë, duke shtuar se atij nuk i kishte kërkuar askush para, por i kishte dhënë vetë.

“Unë si i kam tërheq paret, Afrimin kam pas qejf me qarros, merri Afrim qito pare edhe shko kthejau nji drekë qatyne kolegëve, jo që m’kanë lyp mu. Mu pare nuk më ka kërku kurrkush, unë ia kam jep vetë, jam shku i kam nxjerrë në bankë dhe ato pare ia kam jep për nji drekë Afrimit, ndërsa personat tjerë unë s’i kam njohur fare”, tha i akuzuari Nimanaj.

Ndërsa, trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit, ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Florim Nimanaj, me arsyetimin se nuk i përkon përshkrimit faktik të dispozitivit të aktakuzës.

Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga palët, ku prokurori special Halimi fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim, duke e elaboruar në seancë.

Prokurori special Halimi tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, gjykata do të bindet se Prokuroria Speciale ka prova që vërtetojnë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të paraqitura në aktakuzë.

Sipas tij, në secilën pikë do të vërtetohet kryerja e veprave penale, mënyra e kryerjes, koha e kryerjes dhe do të paraqiten qartë provat që do të vërtetojnë dhënien e ryshfetit, marrjen e ryshfetit dhe ndihmësit në marrjen ryshfetit dhe se do të prezantohen metodat të cilat janë përdorur nga personat zyrtarë për të arritur deri te përfituesit e subvencioneve.

Tutje, sipas prokurorit Halimi, Qeveria e Kosovës përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë kishte ndarë buxhet për zhvillimin e bujqësisë, mirëpo gjatë procedurës së subvencionimit në këtë Agjenci, është keqpërdorur buxheti nga zyrtarët dhe të pandehurit, të cilët tha se kanë përfituar subvencione në mënyrë të kundërligjshme.

“Në bazë të provave, të pandehurit kanë përfituar duke mashtruar me subvencione në vlerë të përgjithshme rreth 646.250.00 euro, ndërsa të pandehurit në cilësinë e personave zyrtarë kanë përfituar ryshfet në vlerë rreth 316.650.00 euro”, tha në fund prokurori Halimi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, në fjalën e tij hyrëse tha se qëndron pranë kundërshtimeve të paraqitura me shkrim gjatë fazës së kundërshtimit të provave, duke ritheksuar se përshkrimet që ka ofruar Prokuroria në aktakuzë ndaj të mbrojturit të tij, kanë më shumë supozime dhe se ato që ka vendosur në aktakuzë nuk mund të vërtetohen me prova.

Sipas avokatit Rudari, Prokuroria në këtë proces gjyqësor e ngarkon Luan Statovcin me gjithsej 15 pika të aktakuzës dhe se për ta bërë sa më serioze çështjen proceduralisht është bërë një ekzagjerim aq i lartë, ku sipas tij në shumicën e pikave të aktakuzës janë nga 2 dispozitiva me të njëjtën përmbajtje.

Po ashtu, avokati Rudari ka kërkuar nga gjykata që të nxjerrë aktvendim dhe të shpallë si prova të papranueshme të gjitha bisedat që janë nxjerrë nga telefonat e Luan Statovcit me personat e tjerë, pasi që sipas tij gjykata asnjëherë nuk mund të mbështes aktgjykimin në prova të tilla.

I akuzuari Luan Statovci e ka mbështetur në tërësi fjalën e avokatit Rudari, duke shtuar se të gjitha pagesat që janë proceduar në sistem për fermerë dhe përfitues janë kryer në përputhje të plotë me dokumentacionin dhe kriteret sipas Udhëzimit Administrativ nr.03/2020 dhe sipas tij dëmi në buxhet është zero.

Fjala hyrëse ka vazhduar edhe në sesionin e pasdites, ku mbrojtësi i të akuzuarit Sedat Shkodra, avokati Faton Hyseni, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk do të mund të vërtetohet aktakuza e Prokurorisë Speciale, për shkak se sipas tij i akuzuari Shkodra ndihet tërësisht i pafajshëm dhe në asnjërën nga provat të cilat i ka prezantuar Prokuroria, nuk ka të bëjë me të.

Avokati Hyseni tha se do të kërkojnë nga gjykata që video-incizimet, ku pretendohet se shihet i akuzuari Shkodra, të prezantohen në ekranet e sallës.

“Aty do të vërtetohet se i mbrojturi im Sedat Shkodra nuk shihet fare me fytyrën dhe trupin e tij dhe nga ajo që kemi parë shihet vetëm dora e një personi tjetër, e që nuk mund të vërtetohet se ka qenë i mbrojturi im”, tha avokati Hyseni.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Salih Statovci, avokati Halit Shaljani tha se me aktakuzën e Prokurorisë Speciale shihet qartë se nuk ka asnjë element, i cili vërteton veprat penale me të cilat ngarkohet i mbrojturi i tij.

Sipas avokatit Shaljani, lidhur me veprën penale “Ndihmë në falsifikimin e dokumenteve” për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, përveç përshkrimit të kësaj dispozite, nuk ka asnjë provë tjetër e cila do të vërtetonte këtë vepër.

“Në të gjitha provat e bashkëngjitura, askund nuk vërtetohet e askund as nuk përshkruhen veprimet e të mbrojturit tim që ka përpiluar e ka përdorur apo ka ndryshuar ndonjë dokument, mirëpo këtu ka të bëjë me një dokument i cili është lëshuar nga subjekti juridik i licencuar dhe i njëjti është pohuar edhe nga vetë zyrtarët e atij subjekti juridik”, tha avokati Shaljani.

Po ashtu, edhe lidhur me pikën tjetër të aktakuzës, tha se nuk ka asnjë element me të cilin do të krijohet ndonjë provë që do të mbështes dyshimin e bazuar, duke mbetur edhe më tutje në kundërshtimin e aktakuzës.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Berat Nika, avokati Durim Osmani, tha se mbrojtja në këtë çështje penale juridike pret që të mos vërtetohen asnjë nga rrethanat kryesore të pikës së parë të aktakuzës dhe që gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Hasan Maxharaj, avokati Arianit Koci, fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar me shkrim. Ai shtoi se nga fjalia e prokurorit se të pandehurit kanë përfituar shumën prej 646 mijë e 250 euro, duhet të kuptohet fryma e hetimit, pasi që nuk mund të hamendësohet apo të supozohet se a i ka fituar klienti i tij dhe a do të nënkuptonte kjo që gjithkush përgjigjet për gjithkënd apo që përgjegjësia penale është individuale për secilin.

Avokati Koci tha se në këtë gjykim është i bindur që nuk do të vlerësohet standardi minimal për vërtetimin e fajësisë për klientin e tij.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Zogaj, avokati Granit Vokshi, fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se kjo aktakuzë në raport me të pandehurin Zogaj është tërësisht kaotike, sepse nuk ka kurrfarë konsistence në kuptim të pretendimeve dhe narracionit që ajo ka.

Sipas tij, kjo aktakuzë ka shumë mangësi si në aspektin formal ashtu edhe material, pasi që nëse shikohet në tërësi aktakuza dhe provat e listuara për secilin të pandehur, shihet se për të akuzuarin Zogaj nuk ka të propozuar as edhe një provë të vetme.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Sylaj, avokati Arbër Shala, tha se mbesin pranë pretendimeve të paraqitura me shkrim në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe sipas tij gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të dëshmohet se Sylaj nuk është kryerës i veprës penale për të cilën akuzohet nga Prokuroria Speciale.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Hajdaraj, avokati Xhemajl Ademaj, ka thënë se aktakuza nuk ka mbështetje në prova relevante dhe si e tillë është e ndërtuar vetëm mbi bazën e një dyshimi.

Sipas tij, nuk ka as prova në kuptimin formal e as material që vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokatja Ardiana Krasniqi, tha se qëndron pranë kundërshtimeve të aktakuzës dhe kërkesës për hudhjen e saj, duke konsideruar se aktakuza është e kundërligjshme dhe në kundërthënie me vetveten.

Sipas saj, kjo Prokurori nuk ka paraqitur asnjë provë që i mbrojturi i saj ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme qoftë nga Qeveria apo nga personat e tjerë.

Tutje, avokatja Krasniqi tha se PSRK është dashur që pas një hetimi profesional siç pretendon të përcaktonte saktë dëmin që është shkaktuar nga veprimet e kundërligjshme të të mbrojturit të saj, ndërsa tha se në rastin konkret ky dëm ka ndryshuar pas ngritjes të aktakuzës.

Krasniqi tha se vërtetohet qartë se i akuzuari Abdurrahmani nuk ka kryer asnjë lloj vepre penale dhe se mungojnë elementet inkriminuese dhe se veprimet e të mbrojturit të saj nuk përbëjnë vepër penale dhe konsideron se i njëjti është i pafajshëm.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Abazaj, avokati Fanol Krasniqi, tha se bazuar në përshkrimin dhe kualifikimin juridik, konsiderojnë që vepra penale “Ndihma në dhënie të ryshfetit” është vepër penale inekzistente.

“Inekzistente për faktin se dihet se cili është roli i ndihmësit në raport me kryerësit. Kryerësi në vazhdimësi duhet të jetë aktiv, kurse në rastin konkret se çka akuzohet Afrim Abazaj kryerësi është tërësisht pasiv”, tha ai.

Më pas, mbrojtësja e të akuzuarit Florim Nimanaj, avokatja Pranvera Ukaj, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të sqarohen pikat kundërthënëse të cekura në aktakuzë, në raport me të mbrojturin e saj dhe do të vërtetohet se cilat janë veprimet konkrete që i ka ndërmarrë Nimanaj pa dijeninë e tij.

Të akuzuarit, gjatë kësaj seance kanë mbështetur fjalët hyrëse të mbrojtësve të tyre.

Në fund, prokurori special Rafet Halimi tha se gjatë fazës së hetimeve Prokuroria ka paraqitur kërkesë përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar te autoritetet greke për marrjen e provave nga kompania “Bio Check” dhe se nga ato ka pranuar përgjigje përmes Ministrisë së Drejtësisë, e që do t’ia paraqesë si prova gjykatës dhe nga një kopje të gjithë mbrojtësve.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishin të pranishëm të akuzuarit Musa Nivokazi dhe Salih Kelmendi.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Nivokazi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi tha se të njëjtit i është dërguar ftesa në mënyrë të rregullt, por që në fletëkthesë është konstatuar se është shpërngulur, ndërsa nuk e ka njoftuar gjykatën për adresën e tij të re.

Nërkaq, për mungesën e Kelmendit, mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, tha se i njëjti ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një trajtim shëndetësor.

Për këtë, gjykata ka kërkuar nga prokurori special Rafet Halimi që të deklarohet lidhur me veçimin e procedurës për dy të akuzuarit që nuk ishin prezent, e për të cilët prokurori Halimi propozoi që të veçohet procedura me qëllim të efikasitet të procedurës.

Propozimin e tillë nuk e kundërshtuan as mbrojtësit e tyre, avokatët Alban Arifi dhe Besnik Berisha, ndërkaq trupi gjykues mori aktvendim për veçimin e procedurës për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje u caktuan të mbahen më 11 dhe 14 prill 2023.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Fuat Morina, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat