Mes akuzave dhe ‘përplasjeve’, mbyllet seanca në Kuvend - Kurti ua bën të qartë deputetëve: ‘Zajednica’ nuk kalon

Aktuale

Mes akuzave dhe ‘përplasjeve’, mbyllet seanca në Kuvend - Kurti ua bën të qartë deputetëve: ‘Zajednica’ nuk kalon

Më: 2 mars 2023 Në ora: 22:39 Përditësuar në ora: 02:41 më 03.03.2023
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca pas katër orësh debat për dialogun dhe planin evropian

Pas katër orëve debat ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku është debatuar për dialogun me Serbinë dhe planin evropian.

Kjo seancë ka nisur në orën 22:00 dhe ka përfunduar pas orës 2:00 pas mesnatës.

Ku gjatë kësaj kohe pushteti është përplasur me deputetë opozitarë për planin evropian, për të cilin është pajtuar të hënën në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti pasditen e së enjtes u largua nga seanca, por propozoi që të ktheheshin në orën 22:00.

Abdixhiku: Serbia mbi 10 herë e ka njohur de facto Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën e dialogimit me Serbinë.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i pari i LDK-së ka thënë se Kurti po mundohet që ta shesë ujdinë me Serbinë kinse ajo e ka njohur de facto Kosovën, mirëpo sipas tij, Serbia disa herë e ka njohur de facto Kosovën.

“Në një proces më të rëndësishmin që po ndodhë në Evropë, Kuvendi i Kosovës e ka detyrë që ta trajtojë një çështje si kjo. Fatkeqësisht kemi mosmarrëveshje të mëdha. Duket se kemi harruar se nevojitet uniteti i brendshëm dhe sjellja në mënyrë të përgjegjshme ndaj shtetit”.

Sipas tij, Kurti nuk deshi të sqarohej apo të përgjigjej për dilemat e ngritur në kuvend rreth propozimit të BE-së.

“Këto vërejtje që dhamë ne, tejkalimi i trashëgimisë së të kaluarës dhe palët nuk paragjykojnë çështjen e statusit përbën një rast të paprecedent të pranuar nga një kryeministër i Kosovës”.

“Mbi 10 herë Serbia e ka njohur de facto Kosovën, por kemi humbur një momentum për njohjen në qendër”.

Lushtaku për Haxhiun e Nagavcin: Shpresoj që nuk keni ardhur nën ndikim të alkoolit nga ndeja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka ironizuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe atë të Arsimit, Arbërie Nagavci, që u bashkuan në seancë nga një ndejë në një lokal nate në Prishtinë.

Lushtaku, gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se shpreson që ministret nuk janë nën ndikimin e alkoolit.

Madje, Lushtaku tha se duhet t’ju kërkojnë falje ministreve që ua ndërprenë një ndejë mbase shumë të rëndësishme.

“Ju kërkojmë falje që ua kemi prishur ndejën ku e kanë pasur në “Ministrinë e Kënaqësisë”, mbase ka qenë ndeje e rëndësishme shpresoj që nuk keni ardhur nën ndikimin e alkoolit”, tha Lushtaku.

Kujtojmë se Haxhiu e Nagavci shkuan në Kuvend pas orës 23:00 teksa seanca e thirrur për në ora 22:00 nisi në 22:15,

Klankosova.tv siguroi pamje nga qëndrimi i ministreve në një lokal e edhe të përgatitjeve të tyre për të shkuar në kuvend.

Shabani, Kurtit: Çka nëse të them se ti ke pasur qëndrim të njëjtë me Millosheviqin për Rambujenë?

Seanca ku po diskutohet rreth Planit Evropian po vazhdon.

Në këtë seancë ka folur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani.

Ai i tha kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se kishte pasur qëndrim të njëjtë me “ish- Kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, lidhur me Marrëveshjen Rambujesë.

“Çka do të thoshit ju nësë unë ju them se për bisedimet në Rambuje ti kishe qëndrim të njejtë më Millosheviqin. Kur ne e dimë se kjo marrëveshje ka sjellur bombardimet e Serbisë dhe ndaljen e gjenocidit në Kosovë e më vonë edhe pavarësinë duke falënderuar këtë marrëveshje”, tha Shabani.

Kurti tha se nuk ka ndryshuar, Abdixhiku: Ai është përralla e ‘mosndryshimit’ në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti është përralla e “mosndryshimit” në Kosovë.

Këto komente Abdixhiku i bëri në seancën e natës ku po debatohet për dialogun, derisa komentoi deklaratën e kryeministrit Kurti kur tha se ai nuk ka ndryshuar përmbajtësisht, por opozita ka ndryshuar deklarativisht. 

Sipas tij, “tregimet në orët e vona bëhet shumë të rrezikshme sepse shndërrohen në përrallë”. 

Abdixhiku: Nëse ndryshimi ka formë duket si Kurti 

“Tregimet në orët e vona shumë bëhen të rrezikshme sepse shndërrohen në përrallë, dhe ne sapo pamë një përrallë mbi atë se kryeministri Kurti nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar pra njeriu që ka kërkuar ‘jo negociata – vetëvendosje’, njeriu që ka kërkuar ‘kërkim falje para dialogut’ e që ka përfunduar në një dialog tërësisht pa kushte, njeriu që ka kërkuar ballafaqimin me të kaluarën e ka përfunduar në tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës si objekt ose subjekt pa dallim, por si vlerë për marrëveshjen e tij. Njeriu që ka kërkuar ‘njohjen në qendër’ e ka përfunduar në neutralitet rreth paragjykimit të statusit politik të shtetit të vet, njeriu që i ka pasur 6 kushte 6 muaj më parë e ka përfunduar pa asnjërën prej tyre, dhe kjo është përralla e mosndryshimit në Kosovë. Nëse ndryshimi ka formë ‘kështu duket’”, ka thënë Abdixhiku derisa ka treguar nga Kurti. 

Bekim Haxhiu: Si të diskutohet në mes të natës për dialogun, kur qytetarët janë në gjumë

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se refuzon të flasë në orën 1:35 të natës për çështje kaq substanciale siç është dialogu me Serbinë.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës janë në gjumë kur po zhvillohet ky debat.

“Refuzoj të vazhdoj debatin për dy arsye: [1] A është e mundur të vijë Kurti të diskutojë për marrëveshje me Serbinë pa iu ofruar deputetëve zyrtarisht një draft-dokument?”.

“Si mund të diskutohet me armikun tonë, e ne nuk jemi në gjendje t’i shohim as dhjetëra shkronja të shkruara. Kjo është tallje”.

“Si mundem të diskutoj në ora 1:35 të natës për çështje kaq substanciale ku gjysma e kabineti janë duke folur jerm, e qytetarët janë në gjumë”.

E thotë Kurti: Dialogu s’është prioriteti numër një

Po vazhdon ende raportimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me Planin Evropian dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti duke iu përgjigjur replikave të deputetëve opozitarë tha se dialogu s’është prioriteti numër 1.

“Dialogu s’është prioriteti numër 1. Marrëveshja është shumë e rëndësishme por dialogu s’është numër 1. Kurgjo nuk i ndihmon dialogut se sa forcimi i vendit”, tha Kurti.

Ndërkaq më herët, Kurti tha se “Zajednica nuk kalon”.

Kryeministri Kurti: “Jo Negociata, Vetëvendosje” ra si strategji në vitin 2014

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish e mori fjalën në Kuvendin e Kosovës për të adresuar komentet e deputetëve opozitarë. 

Kësaj here, z. Kurti u mor me ndryshimet e partisë së tij. 

“Nëse ka një moment ku ka ndryshu strategjia jonë në mënyrë cilësore është data 12 qershor 2010 kur kena marrë vendim me hy në zgjedhjet e sistemit që e kanë për bazë planin e Ahtisaarit.” 

Ai tha se prej 2014-s VV kishte ndryshuar strategji për negociatat, duke u futur në to përmes koalicionit VLAN dhe duke dashur të merrte negociatat në dorë. 

Kurti vazhdoi të pretendonte se nuk kishte ndryshuar asnjë qëndrim dhe se dialogu nuk ishte prioriteti i tij numër 1. 

“Është e vërtetë që ka fjali që janë te marrëveshja e dy gjermanive e që nuk janë te propozimi evropian. Unë i kam dërguar komentet e mia, por nuk mund ta zbuloj tash se sa e qysh janë përfshirë,” - u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kurti ia përmendi gruan, deputeti i PDK-së: Po na e krijon hapësirën me u marrë me gra

Kryeministri i Kosovës në orët e para të 3 marsit ka përmendur në fjalimin e tij edhe emrat e disa deputetëve që kanë votuar marrëveshjen e 27 qershorit. Mes tyre ishte edhe çifti Ferat Shala dhe Sala Berisha Shala. Por, kjo ka nxitur replikën e të parit. 

Kurti përmendi emrat e Ganimete Musliut, Arben Gashit, Blerta Deliut dhe Ferat Shalës të cilit i kërkoi falje. Por, në vend të tij ai e përmendi Sala Berisha Shalën, gruan e tij. 

Kjo e nxiti replikën e Ferat Shalës. 

“Gruaja jem Sala nuk e ka votuar Zajednicën. Kërko falje kryeministër. As unë nuk e kam votuar. Po na e krijon hapësirën me u marrë me gra,” – u shpreh z. Ferat Shala, deputet i PDK-së. 

"Merre procesverbalin, këqyre. Kërko falje," - vazhdoi ai.

Musliu, Kurtit: Ti nuk ke guxu me marrë automatin në luftë, ke thanë po shkoj në Prishtinë se i kam do punë

Debati në Kuvend po vazhdon, e Ganimete Musliu që u etiketua nga Kurti si deputete që po bën garë për zhurmë me Arben Gashin iu hakërrye ashpër. 

“Ti je frikacak. Ti je shkatërrues.Ti nuk ke guxu me marrë automatin në Qirez. Ke thanë po shkoj në Prishtinë se i kam do punë.” – tha Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, ndaj kryeministrit Albin Kurti.

“Po po, është e vërtetë,” – i tha ajo Kurtit, derisa u duk se ky e kundërshtoi. “Ka edhe dëshmitarë për këtë punë,” – vazhdoi Musliu. 

“Unë jam krenare për çdo vendim që e kam marrë Albin. Ju jeni frikacaka.” - vazhdoi znj. Musliu në fjalën e saj. 

Kurti i kishte përmendur Musliut emrin si votuese e marrëveshjes së 27 qershorit 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat