Përfundon marshi në solidarizim me të burgosurit e Hagës

Aktuale

Përfundon marshi në solidarizim me të burgosurit e Hagës

Më: 2 prill 2023 Në ora: 07:29 Përditësuar në ora: 15:33 më 02.04.2023
Foto nga ‘Marshi për Drejtësi’

Përfundon marshi masiv në solidarizim me çlirimtarët

Ka përfunduar “Marshi për Drejtësi”, e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në solidarizim me ish krerët e UÇK-së në Hagë.

Në këtë marsh që po vlerësohet si ndër më të mëdhenjtë e pasluftës kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të partive politike.

Ky marsh u organizua një ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Hagë.

Hoxha: Para 24 vitesh Prishtina – qytet fantazmë, pa UÇK-në s’do të ishim mbledhur sot

Eliza Hoxha, një ndër organizatorët e platformës “Liria ka emër”, para mijëra të pranishmëve, ka thënë se marshi i sotëm është në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën, siç u shpreh ajo, as ky marsh nuk do të ishte i mundur.

Hoxha, lirinë ia ka kontribuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo ka thënë se “thirrja për drejtësi na bashkon të gjithëve”.

Para 24 vitesh Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Por, këto sheshe u mbushën prapë. Ne u kthyem! Kjo liri do të ishte e pa mundur pa ndihmën e djemve dhe vajzave më të mira”.

“Këto javët e fundit e kam ripërjetuar vuajtjen e nënave për humbjet e tyre, prandaj liria duhet të kërkohet”.

UÇK na bashkon të gjithëve, thirrja për drejtësi na bashkon të gjithëve”.

Hoti: Jemi këtu t’u tregojmë ish-krerëve të UÇK-së që janë padrejtësisht në burg

Mijëra qytetarë mbushën sot sheshet e Prishtinës, ku po marrin pjesë në marshin solidarizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në Hagë.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti u shpreh për KP se po merr pjesë në marsh për t’u treguar ish-krerëve të UÇK-së se po qëndrojnë brenda padrejtësisht dhe se Kosova është me ta.

Ai tha se Gjykata Speciale në Hagë është gjykatë e padrejtë, që nuk e ka për synim drejtësinë.

Hoti: Gjykata Speciale është gjykatë e padrejtë, s’e ka synim drejtësinë

"Jemi këtu t'i tregojmë botës që ajo gjykatë speciale në Hagë, është politike, është një gjykatë e padrejtë, një gjykatë që vetëm drejtësi nuk e synon, sepse nëse e synon drejtësinë duhet të dënohen kriminelët serbë dhe jo shqiptarët. Ne ende i kemi 1600 familje që kërkojnë të dalin para tyre pikërisht para tyre për shkak të krimeve serbe dhe sot gjykohen shqiptarët, gjykohen ata që të vetmin qëllim e kanë pasur lirinë e popullit, mbrojtjen e popullit dhe pavarësinë e këtij populli. Andaj, ne jemi këtu në mbrojtje të tyre, jemi në marsh dhe jemi krenarë që gati e gjithë Kosova ka zbarkuar sot këtu dhe u tregojmë edhe atyre që janë brenda padrejtësisht në burg, që ne jemi me ta", tha ai.

Ndryshe, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Lushtaku: Ky marsh është mesazh për Qeverinë që s’po bën asgjë për çlirimtarët

Ish-gjenerali i UÇK-së, Sami Lushatku, ka thënë se “ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e kanë vendin e në Hagë”, por sipas tij “vendin në burgje e kanë ata që kanë kryer krime në Kosovë”.

Më tutje, ai ka pasur një thirrje për Qeverinë e Kosovës.

“Ky është një mesazh fillimisht për Qeverinë e Kosovës, që nuk është duke bërë asgjë për atë që kanë luftuar për Kosovën dhe mesazh për drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë Sami Lushtaku.

Ndërkohë ka kërkuar nga politika që kur është në pyetje UÇK-ja, të mos ketë dallime.

“UÇK, UÇK, UÇK”, qytetarët nisin brohoritjet në mbështetje të Thaçit dhe të akuzuarve tjerë

Qindra qytetarë janë mledhur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, ku në ora 14:00 edhe do të nis marshi për drejtësi, i organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.

Qytetarët kanë vendosur pankarta të ndryshme, përmes të cilave kërkojnë lirinë e ish pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tashmë ata kanë filluar edhe brohoritjet e tyre në mbështetje të ish luftetëreve të Kosovës.

Organizimi i këtij marshi ka marrë mbështetjen e partive politike, shoqërisë civile, personalitete të ndryshme, bashkësi fetare dhe shumë qytetarë.

Ndryshe, Specialja pak më herët ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku kanë njoftur se më 3 prill do të hapet gjykimi kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë (DHSK).

Qytetarë nga Shqipëria u nisën për në Marshin e Drejtësisë

Një numër i qytetarëve të Shqipërisë janë nisur drejtë Kosovës për të marrë pjesë në Marshin e Drejtësisë, në Prishtinë.

Në një fotografi të shpërndarë nga faqja “Liria ka emër” bëhet e ditur kjo gjë.

Marshi do të fillojë nga ora 14:00, dhe do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ky marsh solidarizues është në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Bllokohet autostrada – Mijëra qytetarë drejt Prishtinës në përkrahje të krerëve të UÇK-së

Mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet kanë marrë rrugë drejt Prishtinës.

Kjo në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do ta nisin betejën me drejtësinë nesër në Hagë.

Më shumë se 15 autobusë u nisën nga Skënderaj, e qindra qytetarë të tjerë me vetura nga atje. Më shumë se 2 mijë qytetarë të tjerë janë nisur nga Mitrovica.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Media ka siguruar pamje nga hyrja e autostradës në Prizren, e cila gati është bllokuar e tëra.

Kjo pasi dhjëtra autobusë janë ndaluar skaj rrugëve. Disa nga pjesëmarrësit thanë se pjesëmarrja është masive nga rajoni i Gjakovës e Prizrenit.

Transport të organizuar ka pasur nga të gjitha komunat. Ky marsh është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

Sipas njoftimit për mediat të inciativës “Liria ka emër”, gjatë marshit do të ketë edhe fjalime të cilat do të mbahen të sheshi “Skenderbeu”.

“Nga ora 14:00, do të mblidhemi të gjithë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të marshuar drejt sheshit “Skënderbeu”. Në kuadër të Marshit për Drejtësi, janë organizuar edhe fjalime të pjesmarrësve të ndryshëm. Bina është vendosur te sheshi “Skënderbeu”, ku edhe do të mbahen fjalimet”, thuhet në njoftimin për media.

Përkrahje këtij marshi i kanë dhënë edhe një pjesë e partive politike në vend si AAK-ja, VV-ja, Nisma Socialdemokrate, PSD-ja.

Përkrahje marshit i kanë dhënë edhe këngëtarë, personalitete të ndryshme, e sindikata të punëtorëve në Kosovë.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojë nesër me datë 3 prill. Fillimisht fjalët hyrëse do t’i ketë Prokuroria për më shumë se 5 orë, e pastaj mbrojtja.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se nga kjo komunë do të shkojnë mbi 2 mijë qytetarë në Prishtinë.

Kjo për t’iu bashkuar Marshit për Drejtësi në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Hamza niset me qytetarë për Marshin e Drejtësisë

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, së bashku me qytetarë të shumtë janë nisur nga Mitrovica për të marrë pjesë në “Marshin për Drejtësi” të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.

Një numër i autobusëve shihen se janë nisur drejt Prishtinës.

Marshi do të fillojë nga ora 14:00, dhe do të nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Krasniqi: Sot Marshojmë për Drejtësi, krenarë me historinë tonë dhe themeluesit e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot, përmes Marshit për Drejtësi, bashkë me mijëra qytetarë do t’i tregojnë botës për krenarinë ndaj historisë tonë më të lavdishme dhe themeluesve të UÇK-së.

“Sot është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme. 

Bashkë me ju dhe me mijëra qytetarë nga gjithë Kosova e viset shqiptare, do t’i tregojmë botës se sa krenarë jemi me historinë tonë të lavdishme dhe me themeluesit e drejtuesit e UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi.

Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të takohen nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Me motoçikleta e autobusë nisen qytetarët nga Skenderaj për Marshin e Drejtësisë

Qytetarë të shumtë janë nisur nga Skenderaj për të marrë pjesë në “Marshin për Drejtësi” të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.

Një numër i madh janë nisur me autobusë dhe vetura, por disa persona janë nisur edhe motoçikleta.

Marshi do të fillojë nga ora 14:00, dhe do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ky marsh solidarizues është në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Në mbështetje të marshit kanë dalë parti politike, sindikata, organizata, si dhe qytetarë të shumtë. Ky marsh vjen një ditë para se të fillojë gjykimi në Hagë i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaqit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat