Zgjedhjet e brendshme në LDK, Abdixhiku: Ftoj secilin që ka ambicie të marrë pjesë

Aktuale

Zgjedhjet e brendshme në LDK, Abdixhiku: Ftoj secilin që ka ambicie të marrë pjesë

Më: 24 maj 2023 Në ora: 17:19
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shpallur zgjedhjet e saja të brendshme. Këtë e bëri të ditur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili tha se kryesia ka votuar në mënyrë unanime për mbajtjen e tyre.

Propozimi pastaj sipas Abdixhikut, do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm, për formalizimin e mbajtjes së tyre.

“LDK ka marrë vendim në mënyrë unanime që t’i shpallë zgjedhjet e brendshme dhe që këtë propozim t’ia dërgojë këshillit të përgjithshëm, i cili do të mblidhet këtë të premte për t’i formalizuar zgjedhjet e brendshme”, thuhet në njoftim.

Ai bëri të ditur se zgjedhjet e brendshme pritet të fillojnë më një qershor të këtij viti.

Abdixhiku u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të LDK-së që nëse kanë ambicie për kryetar të partisë të garojnë.

“Ftoj secilin pjesëmarrës që ka ambicie, plan, ide të qarta, që ta shtrojë platformën në anëtarësi, dhe vendos tani anëtarësia”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se brenda LDK-së nuk ka mospajtime, dhe se sipas tij, partia është më e bashkuar se kurrë.

“Nuk ka mospajtime brenda partisë, partia është më e bashkuar se kurrë, kryesia pa asnjë votë kundër ka votuar parimet që i kam prezantuar, janë të interesuar që të kemi një proces të hapur, që është më tepër mobilizues, për LDK-në është i rëndësishëm të ketë mobilizim”, deklaroi ai

Ai bëri të ditur se Këshillit të Përgjithshëm do t’ia paraqesë shtatë parime, një nga to është barazia gjinore, ku sipas tij, në çdo degë pozita e nënkryetarit të jetë e garantuar për një grua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat