Kurti lë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri

Aktuale

Kurti lë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri

Më: 31 maj 2023 Në ora: 18:07
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, gjatë konferencës globale të sigurisë “Globsec” në Bratisllavë, la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja në veri.

Ai tha se është i përgatitur të marrë në konsideratë zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës, nëse ndalet dhuna.

“Sapo diskutoja me Borrell dhe Lajçak duke thënë që po të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishte mirëkuptimin tim, por jo me turma me shkronjën Z, që gjuajnë granata dhe thonë  “vrite vrite’”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se protestat e dhunshme nga njerëz të armatosur dhe me simbole të Rusisë janë të papranueshme.

“Ne nuk e dorëzojmë Republikën tonë demokratike tek këta fashistë, nëse duan protesta paqësore me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, e kanë kryeministrin që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është shumë i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta edhe të pajtohem me ta”- tha Kurti gjatë fjalës së tij në Bratisllavë.

Kurti theksoi se situata në veri është tensionuar për shkak se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe se sipas tij Vuçiq i ka rënë pishman se e ka nënshkruar marrëveshjen pasi nuk do ta zbatojë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat