Rrëfimi i gruas që për vite me radhë kërkoi lëmoshë rrugëve bashkë me katër fëmijët e saj

Aktuale

Rrëfimi i gruas që për vite me radhë kërkoi lëmoshë rrugëve bashkë me katër fëmijët e saj

Më: 24 qershor 2023 Në ora: 11:06
Kumrije Gashi

Për vite me radhë, Kumrije Gashi ka shtrirë dorën ndaj të panjohurve për të kërkuar ndihmë.

38-vjeçarja nga Fushë-Kosova bashkë me katër fëmijët e saj ka qëndruar në temperatura ekstreme, verë e dimër në rrugë për të siguruar kafshatën e gojës.

Tashmë ajo ka vendosur që fëmijët të vijojnë mësimin, e ajo të sigurojë të ardhura përmes punës. Përkundër vështirësive për mbijetesë, ajo rrëfen se nga e hëna deri të premten po troket në derën e Qendrës Ditore për Fëmijët ne Situatë Rruge, ku mund të shërbehen prindër e fëmijë që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Si këta të fundit nuk e kanë fatin edhe fëmijë të tjerë. Vetëm vitin e kaluar, Policia e Kosovës ka evidentuar 488 persona lëmoshë kërkues. KOMF vlerëson se për fëmijët e kësaj kategorie nuk ekziston ende asnjë shërbim dhe janë prej grupeve më të cenueshme.

Gruaja rreth të dyzetave që vjen nga komuniteti ashkali, rrëfen për jetën e vështirë që ka bërë dikur, duke shtrirë dorën për ndihmë.

“Shkojshim prej orës 8 në mëngjes, deri në 18 në mbrëmje nuk shkojshim në shtëpi. Edhe pasha Allahun, nuk nxjerrshim. 10-15 euro i nxjerrshim po a me ble me hongër apo të paguaj rrymën, ilaçe. Shumë vështirë…(18:20) Kemi dalë me lyp nëpër rrugë, djali, unë, fëmijët, burrin e kam të sëmurë, ai nuk ka mundur që të punojë. Ne jemi dalë me lyp, por me mbështetjen e tyre shumë jemi të kënaqur, shumë. As fëmijët nuk po dalin në rrugë, as unë. Kam punë, më gjejnë nganjëherë punë, shkoj në punë, punoj… Më ne nuk dalim në rrugë, as fëmijët nuk po dalin edhe fëmijët me mbështetjen e tyre po më shkojnë në shkollë”, rrëfen Kumrija për KosovaPress.

Kumrija shton se ka vendosur që të mos kalojë më ditën rrugëve me dorën shtrirë para kalimtarëve, përkundër që jeton me asistencë sociale.

“Shumë pak po marrim, 110-120 euro. Neve nuk na dalin as për rrymë, as për barna, as të paguajmë mbeturinat, ujin. Shumë kushtet e vështira i kemi… Por, ne kemi vendosur që të mos dalim më, ndoshta na ndihmojnë edhe këta. Na qesin nëpër puna, që të na ndihmojnë më ne nuk dalim rrugëve”, shton Gashi.

Kumrija është nënë e tre djemve dhe një vajze, me ç’rast, kjo e fundit po ndjek kursin për floktare, ndërkaq djemtë kanë filluar të vijojnë mësimin.

Shumë fëmijë ende po i ekspozohen rrezikut, duke kërkuar lëmoshë në shumë rrugë të qyteteve. Vetëm vitin e kaluar, Policia e Kosovës ka evidentuar 488 persona të tillë.

“Në vitin 2022 janë evidentuar 488 persona lëmoshëkërkues. Vendi që më së shumti frekuentohen nga personat kërkues lëmoshë janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Ferizaj etj. Nëse personat janë nga shtetet e tjera e të cilët hasen duke kërkuar lëmoshë Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në bazë të ligjit për të huaj i largon nga territori i Republikës së Kosovës. Pas përfundimit te raporteve periodike mund te merrni te dhënat edhe për 2023”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Bukureza Surdulli nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thotë se për fëmijët lëmoshëkërkues nuk ekziston ende asnjë shërbim nga shteti.

“Për fëmijët lëmoshëkërkues në Kosovë nuk ekziston ende asnjë shërbim. Janë një prej grupeve më të cenueshme në Kosovë. Çfarë duhet të bëjë shteti për këta fëmijë, është një model që “Terre des hommes”, ofron në Kosovë. E kanë qendrën ditore në Prishtinë, ku fëmijët mund të shkojnë të marrin shërbime gjatë ditës deri në orën 16 apo pasdite dhe kjo mund të aplikohet dhe të bëhet edhe në komunat tjera. Është një model shumë i mirë që mund të bëhet me investim edhe me përkrahje të komunës, por gjithashtu edhe të nivelit qendror. Përveç kësaj, fillimisht duhet të themelohen shërbime për fëmijët në situatë rruge, sepse momentalisht nuk ekziston asnjë shërbim që ofrohet për fëmijët në situatë rruge”, deklaron ajo.

Pranë qendrës së qytetit në Prishtinë, katër vjet më parë është hapur Qendra Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge dhe funksionon në kuadër të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “Terre des hommes – Kosova”. Mbështetja për fëmijët dhe gratë tashmë ka tejkaluar numrin 300.

E para e këtij lloji në Kosovë, siç tregon koordinatorja e kësaj qendre, Egzona Gashi ofron mundësi për pastrim, ndërrim të rrobave, lojëra edukative e aktivitete të tjera.

“Vetëm vitin e kaluar kemi pasur një numër prej 210 fëmijë, të cilët kanë marrë shërbime nga qendra ditore, do të thotë direkte. Shërbimet e qendrës janë themeluar për të plotësuar nevojat me të cilat vijnë fëmijët në situatë rruge dhe familjet e tyre. Duke nisur nga plotësimi i nevojave tejet bazike, siç është të ushqyerit, kujdesi i higjienës, një tush për fëmijët që kanë nevojë që nga situata ose rreziqet dhe rrethanat që vijnë nga rruga, pastaj të mbështeten me ndërrimin e atyre rrobave në momentin që pastrohen, ju jepen ato rroba me i vesh, ju pastrohen ato të kaluarat, në këtë formë për t’ju shërbyer herën tjetër ose fëmijëve të tjerë për të kryer këtë shërbim”, thekson Gashi.

Në kuadër të shërbimeve, Gashi shton se në bazë të rregullt po ofrojnë edhe mësimin mbështetës përmes mësueseve të angazhuara.

“Për faktin se shumica e fëmijëve që janë në rrugë, nuk e vijojnë shkollën e rregullt. Çka ne po bëjmë dhe si objektiv që e kemi është paralelisht t’i përgatisim, t’u ofrojmë shërbime edukative dhe t’i përgatisim për t’i integruar në shkollë të rregullt. Gjë që e kemi bërë edhe nga fillimi, vlen të theksohet që vitin e kaluar kemi regjistruar dy vajza nga rruga në shkollën ‘Emin Duraku’ në Prishtinë, e që vazhdojnë me qenë pjesë e shkollës, madje njëra vajzë është edhe ndër vajzat shembullore të klasës. Pastaj me tre fëmijë nga Obiliqi, i kemi regjistruar në klasën intensive dhe po ashtu një në shkollë të rregullt në klasën e parë. Për të shtuar mandej shumë raste që vitet paraprake në komunën e Fushë-Kosovës për faktin se pjesa më e madhe e fëmijëve që janë në rrugë të Prishtinës, në fakt vijnë nga Fushë-Kosova, qytet ku janë me lagje në numër më të madh të banimit, me komunitetin rom dhe ashkalinj. Në bashkëpunim me shkollën ‘Selman Riza’ ne kemi arritur, paraprakisht t’i fusim në klasë intensive 25 fëmijë të rrugës edhe t’i regjistrojmë në klasë të parë një numër të konsiderueshëm çdo vit me radhë”, thekson Gashi.

Sipas saj, arsyet pse fëmijët dhe prindërit janë në rrugë është për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale. Koordinatorja e kësaj qendre thekson se ofrohen edhe shërbime psiko-sociale me qëllim të zhvillimit të fëmijës.

“Një ndër segmentet kryesore përmes së cilës identifikohet fëmijët është edhe ekipi mobil i qendrës ditore, i përbërë nga psikologja dhe punëtorja sociale, të cilët bëjnë punë të rregullt nëpër rrugët e qytetit, si ditën po ashtu edhe orëve të mbrëmjes, përmes të cilit aktivitet identifikohen por edhe monitorohen fëmijët që janë në rrugë. Dhe kur vërehen fëmijët që janë pa përkujdesje, janë në rreziqe në orë të vona, në situata të ndryshme, atëherë raportohen dhe referohen në institucionet përkatëse: Polici, Qendra për Punë Sociale, më pastaj rastet e vlerësuara për nevojë për mbrojtje trajtohen përmes qasjes multi-disiplinare që ne si qendër dhe si organizatë ‘Terre des hommes’ e promovojmë dhe fuqizojmë edhe në institucionet për mbrojtjen e fëmijëve”, thekson Gashi.

Gratë e burrat po përfshihen në zanate, që përmes saj të bëjnë një punë të rregullt. Me përfundimin e zanatit, të njëjtit mbështeten përmes granteve të vogla, në ngritjen e ekonomisë familjare, që fëmijët të mos dalin në rrugë. Paralelisht me fëmijët, prindërit janë të përfshirë me programin e “sesionit të prindërimit pozitiv”, që synohet edukimi i tyre dhe ngritja e vetëdijes mbi zhvillimin e fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat