Hajdari: Industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht

Aktuale

Hajdari: Industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 17:40
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se deri në vitin 2030, industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht. Kështu u shpreh ajo në shpalosjen e “Strategjisë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030”, ku shtoi se ky sektor do të jetë në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.

Hartimi i këtij dokumenti strategjik, siç tha Hajdari, tregon rëndësinë që Kosova po i kushton sektorit prodhimit.

Në anën tjetër, u tha se sektori i prodhimit në dekadën e fundit nuk ka arritur të shndërrohet në një shtysë së sektorit social ekonomik e mjedisor të Kosovës.

Po ashtu, u theksua se pjesëmarrja e punësimit në industrinë prodhuese është e ultë, po ashtu edhe ajo e grave.

Ministrja Hajdari tha se kanë filluar me zbatimin të disa nga masave me këtë plan për tri vitet e ardhshme, ku shtoi se dje janë aprovuar 11 milionë euro për përkrahje të Fondit për Garanci Kreditore.

Hajdari: Hartimi i këtij dokumenti strategjik shpreh rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton sektorit të prodhimit

“Hartimi i këtij dokumenti strategjik shpreh rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton sektorit të prodhimit me arritjen e një transformimi strukturor të ekonomisë së vendit tonë, me një ekonomi me të ardhura më të larta dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve tanë. Gjatë hartimit të strategjisë janë konsultuar edhe përfaqësues tjerë, siç përmenda edhe komunat, ekspertë të subjekteve të ndryshme të specializuara të qeverisë, nivel qendror, qeverisjes komunale, pastaj janë konsultuar edhe partnerë ndërkombëtarë të ndryshëm nga ambasadat, nga bankat, nga këshilli i investitorëve evropianë, Komisioni Evropian, agjencitë ndërkombëtare për zhvillim dhe bashkëpunim, për më tepër përfshirja aktive e biznesit në nivel komunal”, tha Hajdari.

Hajdari shtoi se logjika e ndërhyrjes së politikës industriale është zhvilluar në disa hapa, duke përcaktuar objektivat strategjike përkatëse të strategjisë kombëtare për zhvillim.

Hajdari: Strategjia për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030 ofron një kornizë strategjike për politik-bërësit

“Strategjia për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030 ofron një kornizë strategjike për politik-bërësit, për partnerin dhe dialogun me komunitetin e biznesit dhe për koordinim me partnerët zhvillimor në Kosovë për të lehtësuar zhvillimin e sektorit të prodhimin në republikën tonë. Politika industriale është hartuar duke përdorur një metodologji të njohur si ‘rritja e cilësisë së politikave industriale’, e cila është krijuar për të mbështetur vendet me zhvillimin e politikave industriale gjithëpërfshirëse të bazuara në diagnostikimin e fuqishme apo të bazuara në evidencë. Dhe logjika e ndërhyrjes së politikës industriale është zhvilluar në disa procese, ose hapa”, shtoi Hajdari.

Tutje, theksoi se kjo politikë është e përkushtuar për të mbështetur sektorin e prodhimit për të kontribuar në zhvillimin ekonomik.

Hajdari: Industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht

“Deri në vitin 2030, industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar të lartë dhe të ofrojë punësim të denjë. Për të lehtësuar shpalosjen e potencialit zhvillimor të sektorit të prodhimit në Kosovë dhe për të kontribuar në arritjen e qëllimeve strategjike të strategjisë kombëtare zhvillimore 2030, në përmbushjen e vizionit kjo strategji është e fokusuar në pesë objektiva: objektivë e parë është zgjerimi i prodhimit industrial, objektivë e dytë është zvogëlimi i deficitit tregtar industrial, objektivë e tretë është gjenerimi i punësimit më të mirë dhe gjithëpërfshirës, objektivë e katërt është lehtësimi i industrisë së gjelbër dhe objektivë e pestë është maksimizimi i rritjes së vlerës së brendshme, në këtë rast rritjes së vlerës së resurseve natyrore, minierat, pyjet dhe më shumë”, deklaroi ministrja Hajdari.

Ajo tha se arritja e këtyre objektivave të politikës industriale varet nga ndryshimet e rëndësishme që duhen bërë në 16 nën objektiva, duke filluar nga përmirësimi i qasjes në financa dhe inovacioni i produktit.

Përveç strategjisë, Hajdari tha se do të themelohet edhe Fondi për Inovacion.

Në anën tjetër, Valdona Dushi, e cila udhëheq grupin punues për “Strategjia për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030”, theksoi se gjatë dekadës së fundit sektori i prodhimit nuk ka arritur të shndërrohet në shtytës dominant të zhvillimit social.

Dushi: Sektori i prodhimit nuk ka arritur të shndërrohet në një shtysë së sektorit

“Ka qenë analiza e industrisë prodhuese, në analizë do të thotë zbulon që gjatë dekadës së kaluar sektori i prodhimit nuk ka arritur të shndërrohet në një shtysë së sektorit social ekonomik mjedisor të Kosovës. Ku pjesëmarrja e industrisë përpunuese në bruto-produktin vendor është më e vogël se vendet e rajonit, është vetëm rreth 13,5 për qind. Ne jemi fokusuar jo vetëm në analizën e sektorit të industrisë prodhuese në Kosovë, por kemi bërë krahasime edhe me vendet e rajonit dhe me dy shtetet tjera, apo model shtetet e synuara me Slloveninë dhe Estoninë. Rritja e eksporteve çdo vit është e lartë sa i përket te industrisë prodhuese. Tani në këtë kohë industria prodhuese merr pjesë me 84 për qind të eksporteve në totalin e përgjithshëm të eksporteve të Kosovës. Por prapë mbesin të ultë, në krahasim me vendet e rajonit. I kemi 22 për qind pjesëmarrje të eksporteve në bruto produktin vendor, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit që është 35 për qind”, theksoi Dushi.

Po ashtu, Dushi shtoi se edhe punësimi është i ultë në këtë sektor, po ashtu edhe pjesëmarrja e grave.

Dushi: Pjesëmarrja e punësimit në industrinë prodhuese është vetëm 12 për qind

“Pjesëmarrja e punësimit në industrinë prodhuese është vetëm 12 për qind. Çka është më karakteristike këtu apo karakterizohet, kemi pjesëmarrjen e grave në punësim në industrinë prodhuese është shumë e ultë. Kemi rreth 16 për qind, nëse e krahasojmë me vendet e Ballkanit i kemi 37 për qind mesataren, Maqedonia i ka 50 për qind dhe Shqipëria 60 për qind. Shihet që tregu i punës po ashtu karakterizohet me paga të ultë edhe pse kohëve të fundit trendet janë ndryshuar, sektori privat i ka rritur pagat por prapë janë të ultë. Kemi informalitet të lartë dhe pjesëmarrje të ultë të grave në prodhimtari”, vijoi Dushi.

Sipas saj, industria prodhuese është një transmetues i substancave helmuese.

Drejtoresha e Departamentit të Industrisë, bëri të ditur se strategjia është në harmoni me trendet globale.

Ajo tha se kanë paraparë krijimin e një skeme që bizneset që janë inovative dhe korporatat e mëdha, të lirohen nga tatimi në vlerë deri në 300 mijë euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat