​Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

Aktuale

​Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 12:27
Pamje nga Prishtina

Pritja e ndërrimit të mot-motit është një ndjesi e veçantë, por për shumicën e qytetarëve nuk festohet njëjtë si vitet e kaluara. Qytetarët thonë se nuk shpenzojnë shumë për shkak të kushteve të rënduara ekonomike.

Megjithatë disa restorante dhe klube të ndryshme në kryeqytet planifikojnë natë festive nga 30 dhjetori deri më 4 janar 2024, me oferta të ndryshme dhe këngëtarë të famshëm.

Qytetari Agim Fushtica thotë se ai shpenzon vetëm për dhurata për fëmijët, teksa shton se nuk është e njëjta atmosferë si përpara.

Fushtica: Nuk vjen “era” Vit i Ri

“Hiç asgjë... me të shoqen, harxhimet i bën djali. E presim Vitin e Ri në familje, me shpenzime, por unë nuk shpenzoj, sepse është buxheti i ndarë për familje. Shpenzoj për dhurata të fëmijëve, t’i gëzoj nipat, jo për vete time... Jo, nuk është as atmosfera e njëjtë, as “era” nuk po i vjen Vitit të Ri. A është mosha apo koha, nuk mund ta dalloj, por nuk është njëjtë. Më herët me një çokollatë jemi gëzuar, tash edhe dhuratë të madhe të ta japin, nuk është interesant,” tha Fushtica.

Ndërsa Ali Zhushi thotë se do të shpenzojë sipas mundësive, derisa Vitin e Ri do ta presë me të shoqen.

Zhushi: Me një grua plakë te shtëpia, s’kam ku e festoj tjetërkund

“Për Vitin e Ri, sa të kemi më shumë. Shfrytëzojmë më shumë... Me një grua plakë te shtëpia, s’kam ku e festoj tjetërkund,” tha ai.

Bajram Gashi thotë se shpenzon deri diku për festa, teksa Vitin e Ri do ta presë në shtëpi.

Gashi: Vitin e Ri do ta pres në shtëpi

“Ndoshta 10-15 për qind, diçka më tepër asgjë. Nuk i jap shumë rëndësi asaj pune ... Në shtëpi, me familje... Jo, njëjtë nuk është asgjë hiç askund, më së pari jam pensionist, e hetoj edhe në kurrizin tim. Prej 2013-së pensionet nuk janë rritur kurrë,” vijoi ai.

Ruzhdi Cakiçi ankohet për pagat e ulëta teksa standardi i jetës është rritur dhe shpenzimet janë të mëdha.

Cakiçi: Rrogat e vogla, shpenzimet e mëdha

“Nuk e di...Ka ndryshime, sepse janë pak rrogat më të vogla, shpenzimet më të mëdha,” theksoi ai.

Një qytetar tjetër që nuk deshi të identifikohej tha natën më të hareshme të vitit do ta presë së bashku me bashkëshorten e tij në familje.

Qytetari: Vitin e Ri do ta pres në shtëpi

“Jo shumë, Vitin e Ri e kam për çdo ditë gati, dhe nuk po e shoh një dallim e simbolikë të vogël. Sigurt do të marrë një shishe verë, do ta ndez dhe një qiri dhe me gruan time. Ky është ndryshimi që do ta bëj. (Vitin e Ri do ta pres) Me gruan time, se është më e mira...01:31 Çdo vit e bën të veten. Ajo kuptohet koha, moti, situata ekonomike, të gjitha këto përfshihen, nuk mund të jenë të gjitha njësoj,” u shpreh ai.

Ndryshe, çmimet për organizimet festive në diskoteka e restorante për Vitin e Ri variojnë nga 20-30 euro për hyrje në diskoteka, ndërsa oferta në restorante nga 60 euro për person. Në diskotekat e kryeqytetit do të këndojnë emra të njohur si Tayna, Capital T, Butrint Imeri, Yll Limani, Dafina Zeqiri e shumë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat