AGK dhe KMShK: Qeveria po na injoron, synon t’i vë nën kontroll mediat

Aktuale

AGK dhe KMShK: Qeveria po na injoron, synon t’i vë nën kontroll mediat

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 12:55
Imer Mushkolaj e Shkëlqim Hysenaj

(E plotësuar) - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), përmes një konference për media, kanë reaguar duke shprehur shqetësim lidhur me nismën ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në mediat e shtypura dhe online.

Kjo nismë është ndërmarrë nga UNICEF-i, në emër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës (ZKM), e cila sipas tyre synon t'i vejë nën kontroll mediat në Kosovë.  

Imer Mushkolaj, kryetar i bordit KMShK-së, tha se Rregullorja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në transmetime audivizuele, media të shtypura dhe media online, ka probleme serioze ligjore. Sipas tij, secila rregullore duhet të ketë si bazë ligjore një ligj. Ndërsa kjo rregullore, edhe pse e përmend Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve si bazë ligjore, nuk është bazuar askund, pasi që ky ligj ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe si i tillë nuk ekziston.

Mushkolaj tha se tash e një muaj kanë kërkuar nga Zyra e Kryeministrit sqarime rreth kësaj rregulloreje dhe ndonëse është premtuar se do të marrin një përgjigje deri më 7 korrik, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. AGK dhe KMShK shprehin shqetësimin për injorimin e bërë nga ZKM-ja, të kërkesave për të marrë informacione rreth kësaj rregulloreje.

Mushkolaj: Kryeministri synon t’i vë nën kontroll mediat

“Të provojmë që ta ndalojmë këtë rregullore, për shkak se konsiderojmë se synon t’i vë nën kontroll mediat, synon që të vë nën kontroll një aspekt të rëndësishëm të raportimit që ka të bëjë me fëmijët. Këshilli dhe AGK konsiderojnë se zyra e kryeministrit i ka injoruar. Pra shprehim shqetësimin e bërë nga zyra e kryeministrit, rreth kërkesave për të marrë informacion rreth kësaj rregullore. Dhe ky veprim i kryeministrit është vazhdimësi e qasjes jo transparente dhe injoruese ndaj gazetarëve që mbizotëron, respektivisht vazhdon të mbizotëroj në vite në këtë institucion. Asociacioni dhe Këshilli e kundërshtojnë fuqishëm idenë e Unicef-it dhe zyrës së kryeministrit, që të filloi të kontrolloj mediat online dhe të shtypura, të cilat janë kompetencë e këshillit të mediave të shkruara dhe kundër praktikave të shteteve të BE-së“, tha Mushkolaj.

Edhe Shkëlqim Hysenaj, kryetar i AGK-së, tha se janë të dëshpëruar me veprimet e zyrës së kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, sa i përket kësaj çështje. Ndërsa kërkon nga Qeveria, të mos injoroj mediat dhe gazetarët.

Hysenaj: Kryeministër mos na injoro

“Kabineti i kryeministrit nuk e ka parë të arsyeshme të kthej përgjigje, qoftë dhe një e-mail përmes së cilës do të na tregonte çfarë po ndodh me këtë iniciativë që është ndërmarrë dhe nga kush është ndërmarrë. Ne jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me veprimet e zyrës së kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës, sepse ky dokument në fund mban emrin e kryeministrit dhe për të cilin pritet nënshkrimet. Duke marrë parasysh të gjitha aspektet dhe efektet ligjore që ka kjo rregullore, ne e konsiderojmë të papranueshme dhe brenda 10 ditësh, kërkojmë një përgjigjej nga Qeveria e Kosovës, se çfarë është ndërmarrë me këtë rregullore, si e ka paraparë dhe të mos  i injoroj gazetarët dhe të mos injoroj mediat”, tha ai.

Ndryshe, AGK dhe KMShK kërkojnë që mediat audivizuele të vazhdojnë të rregullohen nga KPM-ja, e cila tashmë ka një rregullore për mbrojtjen e fëmijëve në media. Po ashtu kërkojnë nga Zyra e Kryeministrit që brenda 10 ditësh pune, t'i informojë rreth veprimeve të bëra me qëllim që të mos lejojë zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj iniciative.

Gazetarët e shqetësuar për nismën ligjore për mediat lidhur me raportimin për fëmijë

Gazetarët e Kosovës janë shqetësuar me një nismë ligjore e ndërmarë nga Zyra e Kryeministrit me anë së cilës pretendohet që të kontrollohen mediat online në lidhje me raportimin për fëmijë.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga UNICEF-i dhe është përkrahur nga zyra e Kryeministrit.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara tha se kjo nismë është kundër mediave sepse Qeveria nuk mund ta rregullojë mënyrën e raportimit për fëmijë.

“Kemi analizuar rregulloren dhe ka probleme ligjore. Është absurde që një rregullore të hartohet para se të ekzistojë ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Është hera e parë që Qeveria do të vë nën kontroll mediat online dhe të shtypura. Nëpërmjet kësaj rregulloreje Qeveria do t’ia marrë kompetencat e Komisionit të Pavarur për Media”, tha Mushkolaj.

Sipas tij Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë kërkuar  sqarim nga zyra e kryeministrit por një gjë e tillë sipas Mushkolajt nuk ka ndodhur.

“Kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që brenda 10 ditëve të na informojë për këto veprime. Dëshpërimi jonë është edhe më i madh pavarësisht se është hartuar një rregullore për mediat dhe  mediat nuk janë konsultuar”, tha Mushkolaj.

Edhe kryetari i AGK-së  Shkëlqim Hysenaj tha se  duke marrë parasysh defektet ligjore të rregullores e konsiderojnë të papranueshme atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat