Reagon një komision i Kuvendit për arrestimin e Nehat Thaqit

Aktuale

Reagon një komision i Kuvendit për arrestimin e Nehat Thaqit

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 17:38
Nehat Thaçi

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në lidhje me arrestimin e Nehat Thaçi, drejtor i Policisë Rajonale në Mitrovicë, ka dërguar një reagim.

“Ne, anëtarët e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, me shqetësim morëm lajmin për arrestimin arbitrar dhe kundërligjor të z. Nehat Thaçi, drejtor i Policisë Rajonale në Mitrovicë. Serbia, në vazhdimësi po ndjek metodat më të mbrapshta të arrestimit dhe frikësimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, gjithnjë sipas akuzave false dhe të pabazuara”, thuhet në reagim. 

Sipas këtij reagimi, Republika e Kosovës në vazhdimësi, përmes akteve të shumta ligjore por edhe përmes procesit të bisedimeve në Bruksel, po e jep kontributin e vet në funksion të fqinjësisë së mirë dhe të avancimit të bashkëpunimit rajonal, ndërsa në anën tjetër, shteti serb, assesi të mësojë nga qasja dhe nga praktikat e fqinjësisë së mirë, që në çdo fazë, promovon Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, në partneritet me SHBA-në dhe BE-në. 

“Të mos harrojmë se lëvizja e lirë e njerëzve është njëra nga komponentët më fondamentale të parimeve të civilizimit evropian dhe në përmasa globale. Kërkojmë nga mekanizmat ndërkombëtarë, që të bëjnë presion mbi shtetin serb, në mënyrë që z. Nehat Thaçi, të lirohet menjëherë dhe pa asnjë kusht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat