“Djajtë” që tronditën Kadri Veselin në Drenas

Aktuale

“Djajtë” që tronditën Kadri Veselin në Drenas

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 dhjetor 2016 Në ora: 08:39
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën  e Drenasit, kishte deklaruar se kjo komunë do të jetë paralajmërim i fitoreve të mëdha të PDK-së, që do të përcillen në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Por kështu nuk doli në zgjedhjet e mbajtura dje, ku për herë të parë në historinë e pasluftës do të ketë balotazh në komunën e Drenasit, kjo pasi që asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk kanë arritur mbi 50 përqind të votave për kryetar të kësaj komune.

Kandidati për kryetar të PDK-së Ramiz Lladrovci ka marrë 46 përqind të votave ose mbi 9 mijë vota, i pasuar nga rivali i tij Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën me 27 për qind të votave, ose 5255 vota.

Duhet kujtuar që në vitin 2013, në zgjedhjet lokale në Drenas, PDK kishte 13, 550 vota, apo 64,7 përqind, ku sipas këtyre të dhënave, rezulton se PDK ka humbur mbi 4 mijë vota, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013.

Kryetari i PDK-së, gjatë fushatës zgjedhore kishte qenë shumë i ashpër, ku Veseli kishte thënë se vota në Drenas do të jetë përgjigje ndaj të gjithë atyre që e duan rrënimin e fitoreve të PDK-së, dhe janë bërë bashkë edhe me djallin vetëm që ta pengojnë fitoren e subjektit që ai drejton.

Por, atij i ishte kundërpërgjigjur ashpër ish-kryetari i Kuvendit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se me djallin është bashkuar vet PDK-ja, e cila ka votuar një gjykatë, që do ti dënojë ushtarët e lirisë.

“Vërtetë dikush është bashkuar me djallin, por kush?! Dikush u bashkua me djallin për t’i dënuar Ushtarët e Lirisë. Në vend që ata dekoroheshin! Dikush u bashkua me djallin për ta votuar një gjykatë që do ta dënoj vetëm një etni! Një gjykatë që do të vazhdoi dënimin e Kryevlerës Kombëtare – UÇK-së! Dikush u bë bashkë me djallin për të sjellë më shumë Serbi në Kosovën e Pavarur. Dikush u bë bashkë me djallin për të falur mbi 8200 hektarë tokë stërgjyshore! Vërtetë, kush është djalli dhe pse bëhen bashkë djajtë?”, ishte përgjigjja e Krasniqit për Veselin.

Lidhur me ‘djajtë’ e Veselit, për gazetën “Bota sot” ka komentuar analisti politik Skender Zogaj.

Ai ka theksuar se Kadri Veseli dhe PDK-ja janë në hall të madh me vetveten, prandaj siç ka thënë ai, ata kanë nevojë për ta kërkuar fajtorin diku tjetër, pra jashtë vetvetes. Sipas Zogajt, ata shpresojnë që kështu mund të vazhdojnë të kalkulojnë me elektoratin e lodhur nga rrenat dhe mashtrimet.

Por, Zogaj ka theksuar se PDK-ja është vet çerdhja e djajve.

“Nëse duhet kërkuar djallin, atëherë të gjithë e dimë se, djajtë që i kanë bërë të gjitha të zezat dhe ia kanë ndal Kosovës rritën dhe shëndetin historik, janë brenda PDK-së, që është çerdhja e djajve!”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas Zogajt, një djall vithkuq është edhe vet Jakup Krasniqi.

“Ai pasi e ka kullotë atdhetarinë e rreme, ia ka kthyer shpinën PDK-së, me shpresën se kështu mund të gjej ndonjë livadh tjetër për me kullotë. Edhe Kadri Veseli edhe Jakup Krasniqi janë duke parë ndryshimin që po ndodh, sepse, drenicakët e shumëvuajtur nuk do të qëndrojnë gjithmonë nën tutelën e kriptopolitikanëve, dhe ky zgjim ndodhi këto ditë me rastin e fushatës parazgjedhore”, ka thënë Zogaj, duke theksuar se ky është qëllimi edhe i debatit ndërmjet Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

“Veseli dhe Krasniqi po shesin dushk për gogla, por, tashmë, gjithmonë e më pak kanë për të gjetur blerës, sepse, zullumi këputet prej së trashi, thotë fjala e urtë popullore dhe, zullumet e e mëkatareve janë në ekstrem, gjë që, ka mbetur vetëm këputja, e cila shpresojmë se do të fillojë të ndodh në Gjykatën Speciale që e ka votuar Parlamenti dhe e cila do të shpresojmë se do t'i dënojë kriminelët e luftës, dhe jo ushtarët e lirisë, siç po përpiqet të propagandojë Krasniqi”, ka shtuar Zogaj për “Bota Sot”.

Ndërsa sipas politologut Islam Krasniqi, qytetarët janë mësuar me deklarata bombastike të liderëve dhe grupeve partiake në fushata zgjedhor, të cilat i kanë drejtuar gishtin njëra-tjetrës, duke u quajtur edhe kriminel dhe vrasës.

Ai ka thënë se në Drenas nuk është bashkuar askush për ta mposhtur PDK-në, meqë nuk ka pasur asnjë marrëveshje parazgjedhore, por partia e Veselit është përçarë përbrenda PDK-së, për postin e të parit të kësaj komune.

Por, sipas Krasniqit, edhe kundërpërgjigjja e Jakup Krasniqit ndaj Veselit është deklaratë vetëm sa për të bërë shou.

“Shumë marrëveshje të dëmshme për Kosovën që janë bërë më herët, siç është rasti i Fusnotës, i ka nënshkruar vet z.Krasniqi sa ka qenë pjesë e PDK-së. Edhe këtë do ta nënshkruante pa problem sikur të ishte ende në PDK”, ka thënë ai.

Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura dje, për herë të parë në historinë e pasluftës do të ketë balotazh në komunën e Drenasit, kjo pasi që asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk kanë arritur mbi 50 përqind të votave për kryetar të kësaj komune.

Kandidati për kryetar të PDK-së Ramiz Lladrovci ka marrë 46 përqind të votave ose mbi 9 mijë vota, i pasuar nga rivali i tij Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën me 27 përqind të votave, ose 5255 vota./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat