“Balotazhi në Drenas, fillimi i fundosjes së PDK-së”

Aktuale

“Balotazhi në Drenas, fillimi i fundosjes së PDK-së”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 dhjetor 2016 Në ora: 11:55
Ilustrim

Data e 4 dhjetorit befasoi Partinë Demokratike të Kosovës, pasi në zgjedhjet që u mbajtën në Drenas, kjo parti shkoi në balotazh me Nismën për Kosovës, diçka që ndodhi për herë të parë paslufte.

Zgjedhjet për kryetar komune të Drenasit po dëshmohen si një test serioz dhe mostër që paralajmëron fillimin e shthurjes se bastioneve dhe se fati i njëjtë  e pret PDK-në edhe në komunat tjera.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se ky refuzim qytetar i shqiptarëve në Kosovë  i shprehur hapur, është reagim dhe demonstrim i përbuzjes së qytetarëve ndaj klasës politike dhe ndaj përfaqësuesve të cilët vet shpallen si të tillë, pasi ata nuk janë zgjedhje e popullit.

Sipas tyre, këto zgjedhje ishin një test edhe për zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe ky rezultat i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Drenas, i cili çoi në balotazh PDK-në dhe Nismën për Kosovën, janë vetëm fillimi i fundosjes së PDK-në.

Analisti politik Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën Bota sot, ka pohuar se PDK-ja është pehar atje dhe deri me tash asnjëherë nuk ka pasur kryetar që vie nga inteligjenca, andaj sundimi i gjatë partiak ka bërë që atje të humb durimin e qytetarëve.

Burjani  këtë votim e ka quajtur relevant të qytetarëve të Drenasit i cili u teprua me interesa nepotiste dhe partiake dhe me njerëz me probleme elementare të shkollimit.

“Mendoj se kjo ka ndodhë si rezultat i mos qeverisjes  së drejtë dhe krijimin e një barazie qytetare dhe trajtim të barabartë në punësim dhe shërbime tjera profesionale që shërbimi civil i komunës është dashur të jetë shumë më serioz. Madje në disa fshatra të Drenasit ka ende probleme me ujë të pijshëm, siç është fshati Abrijë i cili mjerisht është ende me bunarë pa ujësjellës a kanalizim. Pra ky bastion u luhat dhe kjo komunë mund të ik në balotazh PDK,”, është shprehur Burjani.

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi thotë se për herë të parë në historinë e pasluftës do të ketë balotazh në komunën e Drenasit, sepse asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk arritën të fitojnë mbi 50 për qind të votave.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme lokale në Drenas, ishte testi i parë për Kadri Veselin dhe PDK-në.

‘Këto zgjedhje ishin një test edhe për zgjedhjet e ardhshme nacionale, kurdo që do të mbahen ato. Dhe ky rezultat i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Drenas, i cili çoi në balotazh PDK-në dhe ''Nismën për Kosovën’'', është vetëm fillimi i fundosjes së PDK-në’, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, analisti politik, Rexhep Shahu thotë se ky refuzim qytetar i shqiptarëve në Kosovë  i shprehur hapur, është reagim dhe demonstrim i përbuzjes së qytetarëve, ndaj klasës politike, dhe ndaj përfaqësuesve të cilët vet shpallen si të tillë, pasi ata nuk janë zgjedhje e popullit.

“Me të drejtë mund të them se mos dalja e qytetareve në votim është refuzim edhe ndaj zullumeve të politikës, pasi populli është lodhur me gënjeshtra e mashtrime. Popullit i ka humbur shpresa dhe besimi  tek politika dhe kjo vrasje e shpresës dhe besimit, është një nga krimet më të rënda, kundër demokracisë dhe votës që bëhet nga komandantet dhe nga haraçistat nga hajnat”, ka thënë analisti politik Shahu për gazetën Bota sot.

Sipas tij, qytetarët duhet ta dinë një gjë, se në ligj më shumë thirren mafiozët, sepse mafiozet flasin për zgjedhje.

“Mafiozët e tillë në realitet duan që të dalin në zgjedhje vetëm votuesit e tyre, familjarët e tyre, pra ata të cilët ua kanë blerë votën. Edhe nëse dalin në zgjedhje tre votues, kushdo që  fiton dy vota është fitues. Dhe në këtë aspekt them se mafiozëve u intereson dhe u vlen mospjesëmarrja në zgjedhje”, ka thënë Shahu.

Ndërsa, Islam Krasniqi, njohës i çështjeve politike ka pohuar se mbi 60% të qytetarëve shprehen pakënaqësinë e tyre duke refuzuar që të dalin në zgjedhje, si pasoj e  keqe qeverisjes në këtë komunë.

Ai ka pohuar se refuzimi i qytetarëve që të dalin në zgjedhje  në Drenas, për ta votuar të parin e kësaj Komune, na jep të kuptojmë një dëshmi të fuqishme së votuesit janë lodhur nga premtimet e kota, të cilat nuk u përmbushen asnjë herë.

“Qytetarët janë lodhur nga  korrupsioni i cili po lulëzon çdo ditë e më shumë, ku si pasoj e tij humbën edhe të drejtën e  lëvizjes së lirë në Eurozonë. Qytetarët presin diçka të re dhe kërkojnë ndryshime me  një elitë të re politike, më një frymë të re, e cila  do ta  kthejë besimin e qytetarëve, në këtë vend, ku si shpresë të vetme, shohin një alternativ të re, e  cila do të përmirësoj gjendjen e qytetarëve  në këtë komunë”, ka thënë njohësi i çështjeve  politike Islam Krasniqi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat