Ja çfarë thotë Sylë Hoxha për raportin e ekspertëve të pavarur për rastin Dehari

Aktuale

Ja çfarë thotë Sylë Hoxha për raportin e ekspertëve të pavarur për rastin Dehari

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 dhjetor 2016 Në ora: 16:33
Sylë Hoxha

Tomë Gashi, avokat i angazhuar nga familja Dehari, ka thënë se sipas raportit të përpiluar nga ekspertët e pavarur që kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Deharit, ai është vrarë.

“Lëndimet në pjesën e kokës së Astrit Deharit janë të atilla që mund të jenë shkaktuar me të ashtuquajturin boks hekuri. Ekspertët e angazhuar nga ne thonë se janë asisojta që mund të shkaktohen vetëm me atë mjet. Në bazë të këtyre lëndimeve mund të thuhet që në atë moment Astrit e ka humbur vetëdijen. Po ashtu pjesa e dorës së Astriti mund të shihet në fotografi që është e shtrënguar. Këto lëndime janë shkaktuar sa ai ka qenë gjallë. Në qelinë e tij në tokë është gjetur një jastëk, që mund të jetë edhe mjeti i vrasjes”, ka thënë avokati Gashi.

Lidhur me këtë raport të publikuar, gazeta Bota sot ka kontaktuar kryeprokurorin Sylë Hoxha.

Ai nuk ka dashur që të komentojë shumë rastin, pasi ka thënë se nuk e ka parë ende çfarë është prezantuar, megjithatë ka thënë se nuk kanë marrë asnjë provë të re.

“Nuk i komentoj deklaratat e të tjerëve, unë vetëm për ato me të cilat merret prokuroria komentoj. Unë ende nuk kam shkuar në shtëpi, rrugës jam dhe nuk e kam parë çfarë kanë thënë, unë veç për punën tim përgjigjem, për punën e provave, ekspertizave që i kemi. Nuk e di çfarë prova tjera, le të na i sjellin në prokurori, i shohim i trajtojmë. Deri në këto momente ne nuk kemi pranuar diçka”, ka thënë kryeprokurori Hoxha për gazetën Bota sot.

Kujtojmë se aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat