A po tentohet ndarja e Mitrovicës për herë të dytë?

Aktuale

A po tentohet ndarja e Mitrovicës për herë të dytë?

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 10:01
ilustrim

Ajo që po ndodhë në qytetin e Mitrovicës, aty ngjitur me urën e Ibrit, mitrovicasit e konsiderojnë mashtrim të madh ndaj tyre, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.

Sipas tyre, kjo është hera e dytë që po tentohet ndarja e këtij qyteti, pasi një plan i tillë ishte provuar të realizohet edhe gjatë vitit 2001.

Xheladin Zeka, qytetar i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se ndërtimi i murit të betonit të lartë rreth dy metra, që do ta mbajë të ndarë pjesën veriore të Mitrovicës prej asaj jugore, nuk është ide e re e serbëve të veriut dhe Beogradit.

“Një plan i tillë që ndan qytetin e Mitrovicës ka ekzistuar qysh në vitin 2001, kur ishte planifikuar ndërtimi i mureve në të dyja cepet e urës mbi Ibër. Fatmirësisht, ky plan që ishte ideuar nga KFOR-i atëherë, nuk u realizua”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, KFOR-i atëherë pretendonte se siguria në qytetin e Mitrovicës do të arrihej vetëm përmes ndërtimit të mureve tek ura e Ibrit, dhe jo ndryshe.

Ai për situatën e krijuar ka fajësuar qeverinë e vendit dhe bashkësinë ndërkombëtare, për të cilët tha se kanë lejuar ndarjen de fakto dhe de jure të qytetit të Mitrovicës.

Zhelko Tvërdishiq, analist nga veriu i Mitrovicës, tha për KosovaPress se Mitrovica është ndarë shumë më herët, me krijimin e dy komunave.

Ai tha se e gjithë kjo situatë është rezultat i mos transparencës së duhur të marrëveshjes së Brukselit, ndërsa, akuzoi bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritetet lokale për gjendjen e krijuar.

“Me krijimin e dy komunave qyteti i Mitrovicës është ndarë faktikisht shumë më herët. Mos transparenca e marrëveshjes së Brukselit ka dhënë si rezultat këtë që sot po ndodhë në qytetin tonë. Andaj, bashkësinë ndërkombëtare, por edhe autoritetet lokale i shoh si përgjegjëse kryesore për gjendjen më të re të krijuar në Mitrovicë. Kam frikë se qytetarët për të satën herë do të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë së dikujt”, ka thënë Tvërdishiq.

Ndryshe, gjatë vitit 2001, ishte raportuar rreth planit për ndërtimin e mureve tek ura e Ibrit, të hartuar nga kontingjenti francez i KFOR-it, që duhej të realizohej nga KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë UNMIK, ndërsa, ndërtimi i sotëm i murit në veri nuk është bërë sipas planit të vitit 2001.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat