Presidentit Thaçi i dështon keq diplomacia, ja sa prapa e ka lënë Jahjaga

Aktuale

Presidentit Thaçi i dështon keq diplomacia, ja sa prapa e ka lënë Jahjaga

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 janar 2017 Në ora: 14:16
Hashim Thaçi e Atifete Jahjaga

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, për dhjetë muajt e parë të mandatit të saj në këtë pozitë, ishte më e suksesshme se presidenti i tanishëm Hashim Thaçi në përfaqësimin e jashtëm të vendit.

Kështu ka vlerësuar ish-drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Në statistikat e publikuara nga Demi, shihet se gjatë periudhës prill 2011- janar 2012, Jahjaga kishte përfaqësuar shtetin e Kosovës në 6 konferenca ndërkombëtare, kishte 13 takime me liderë botërorë, dhe poashtu 6 takime me udhëheqës të organizatave ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, presidenti Thaçi, gjatë periudhës prill 2016 – janar 2017, përfaqësoi vendin në 5 konferenca ndërkombëtare, kishte 9 takime me liderë botërorë dhe vetëm 3 takime me udhëheqës të organizatave ndërkombëtare, shkruan Bota sot.

“Jahjaga ka mund me dal nga zarfi, por së paku ai zarf ka qenë i bardhë, dhe kjo është vlerësu shumë ma shumë se sa përvoja e zezë e Thaçit”, ka thënë Agron Demi.

Jahjaga me mbështetje të madhe nga SHBA-ja

Sipas Afrim Krasniqit, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, presidentja Jahjaga ka qenë zgjedhje konsensuale dhe me mbështetje të fortë ndërkombëtare, një imazh i ri dhe ndryshe i Kosovës (pa CV politike të mëparshme), gjë që e ndihmoi atë të promovohej dhe të ishte një presidente e respektuar në kancelaritë e shteteve partnere.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Krasniqi ka thënë se Jahajaga ishte konsensuale jo vetëm në zgjedhje, por edhe në stafin e saj politik, në deklarime dhe në lidhjet indirekte me partitë politike.

Por, një gjë e tillë, siç ka theksuar ai, nuk ndodh me presidentin aktual, lider historik i një partie politike.

“Unë kam pasur rast të jem i pranishëm me delegacionin zyrtar shqiptar në Samitin e presidentëve të ELQ në Poloni ku ndodhej edhe Presidenti Obama, dhe respekti e vëmendja që u shfaq aty për Presidenten e re të Kosovës ishte jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër, sipas tij, Presidenti Thaçi është një figurë me CV politike në disa nivele (partiake, si kryeministër dhe ministër), ndaj partnerët ndërkombëtarë kanë pak pritshmëri për takime e shkëmbim pikëpamjesh me një politikan që e kanë njohur prej kohësh dhe që i njohin kapacitetet dhe pikëpamjet e tij politike.

“Gjithashtu zoti Thaçi nuk ishte një zgjidhje konsensuale, nuk ka mbështetjen politike diplomatike që kishte zonja Jahjaga si dhe më shumë se trendin e imazhin e saj (një presidente femër e një shteti të ri me shumicë myslimane në Evropë) ka imazhin e një ish luftëtari, një figure partiake me jetëgjatësi në politikë, me ulje e ngritje, pjesë e suksesit, por edhe bilancit të dështimeve të deritanishme në Kosovë. Së fundi, kanë ndryshuar rrethanat: Kosova e përpara disa viteve është pjesë shumë më aktive e agjendave politike dhe lobingut për njohje e mbështetje sesa është tani. Ka ndryshuar rajoni, kanë ndryshuar prioritetet perëndimore, kanë ndryshuar edhe raportet e besimit tek elita politike në Kosovë. Kosova nuk është më headline për zhvillime pozitive, por vetëm për incidente që provohen nga pala tjetër ose për raste incidentesh e skandalesh”, ka thënë tutje Afrim Krasniqi.

Ai ka shtuar se imazhi i qeverisë dhe institucioneve përfaqësuese është më pak popullor dhe se partneriteti aktiv i Kosovës shtetërore me vendet partnere është më shumë e natyrës protokollare sesa e shpejtësisë për të fituar kohën e humbur historike.

Përvoja e dështuar e Thaçit

Vlerësim të njëjtë ka dhënë edhe njohësi dhe magjistri i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, i cili ka thënë se për të qenë në krye të shtetit dhe për të qenë i sukssesshëm në udhëheqjen e tij, nuk nënkupton domosdoshmërisht të qenurit politikan me përvojë të gjatë politike.

Përkundrazi, sipas tij, “një president i mirëfilltë dhe fuqiplotë është ai burrështetas që ndër të tjera bartë në vete integritet të lartë personal, është autoritativ, unifikues dhe i pranueshëm për të gjithë, si brenda shoqërisë dha faktorit vendor, njashtu edhe brenda faktorit të jashtëm ndërkombëtar”.

“Përndryshe, si do të ishte e pakuptimtë dhe e palogjikshme të mendohet se një kryetar shteti i cili nuk arrin që brenda vendit t'a përfaqësojë unitetin qytetar, i njëjti të jetë i pranueshëm dhe të gëzojë mbështjeje në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë Blakaj.

Ai ka theksuar se pikërisht ky është dallimi dhe arsyeja e suksesit presidencial që e sjellë në epërsi ish presidenten Jahjaga nga presidenti aktual z. Thaçi.

“Znj. Jahjaga, edhe pse nuk vinte nga jeta politike dhe nuk kishte përvojë në politikë, megjithatë ajo vinte nga një institucion i pavarur dhe i besueshëm policor, ishte e paanshme politikisht dhe mbi të gjitha brenda vetës kishte një biografi të pastër dhe të ndershme. Si e tillë ajo ishte e pranueshme për spektrin e gjerë politik në vend, por që padyshim se gëzonte edhe mbëshetjen e ndërkombëtarëve, veçmas të SHBA-së. Prandaj, mbi këtë bazë vlerësimi dhe mbështetje, znj. Jahjaga arriti që me sukses t'a përfaqësojë vendin edhe në politikën e jashtme”, ka thënë Blakaj për “Bota sot”.

Sipas tij, për dallim nga ish-presidentja Jahjaga, presidenti Thaçi vie nga jeta politike, më saktësisht nga një kryetar partie, i cili edhe sot e kësaj dite nuk po gjenë mbështetjen e gjerë politike dhe mbi të gjitha nuk po arrinë t'a përfaqësojë unitetin politik dhe qytetar në vend. “Kjo padyshim se është një hendikep i madh për z. Thaçi dhe në të njëjtën kohë e bënë atë të pasuksesshëm si president qoftë në rrafshin kombëtar, njëashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka shtuar Sami Blakaj.

Pazaret me postin e presidentit

Ndërsa, sipas Eugen Cakollit, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, posti i Presidentit të Kosovës, qysh prej vitit 2001, ka qenë subjekt i pazareve të shumta politike, kryesisht për shkak të krizave institucionale.

 “Si rezultat i një krize të tillë, në Prill të vitit 2011, pas presionit dhe ndërmjetësimit të ambasadës amerikane, si presidente konsensuale e vendit u zgjodh Atifete Jahjaga, përkundër mungesës së përvojës në jetën politike. Sidoqoftë, konsideroj se pikërisht për shkak të mbështetjes nga ambasada amerikane, por edhe faktit që ishte presidente grua, ka ndikuar në përmisimin e ndjeshëm të pozitës së Kosovës planin e jashtëm”, ka thënë Cakolli, duke shtuar se si rezultat i këtyre dy komponentëve, pa anashkaluar edhe faktorët tjerë, puna e Presidentes Jahjaga në ushtrimin e funksionit të përfaqësimit të jashtëm mund të vlerësohet si e suksesshme.

“Në anën tjetër, për shkak të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit Thaçi, sidomos skenat e dhunshme dhe ato të gazit, por edhe publikimin e raporteve të ndryshme negative që target kishin pikërisht Presidentin, vlerësoj se ka ndikuar që ai të mos jetë aq i suksesshëm në planin e jashtëm”, ka thënë Cakolli për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat