Hoxhaj takon Mogherinin dhe Hahn, diskutojnë liberalizimin e vizave dhe MSA-në

Aktuale

Hoxhaj takon Mogherinin dhe Hahn, diskutojnë liberalizimin e vizave dhe MSA-në

Më: 2 maj 2017 Në ora: 17:27
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj me komisionarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn

(E plotësuar) - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot në Bruksel shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn.

Në të dyja takimet u diskutua për procesin e liberalizimit të vizave, ku u theksua progresi i arritur në plotësimin e kritereve për liberalizim nga ana e Kosovës gjë që solli edhe rekomandimin pozitiv nga Komisoni Evropian, si dhe për demarkacionin si kriteri i vetëm i mbetur.

Në anën tjetër, kryediplomati kosovar i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica dhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini ka folur edhe për MSA-në dhe punën në kuadër të zbatimit të saj, si një hap i rëndësishëm i përafrimit me BE-në.

Ministri Hoxhaj u ka shprehur Mogherinit dhe Hahn interesimin e Kosovës që këtë vit të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, pasi që të zbatohet agjenda e reformave evropiane.

“Gjatë ditës së sotme takova zonjën Mogherini dhe zotin Hahn, ku tema qendrore ishte liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në atë moment kur deputetët e Kosovës do ta ratifikonin marrëveshjen e demarkimit me Malin e Zi. Po ashtu, kemi biseduar për zbatimin e agjendës evropiane të reformave dhe të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe mundësinë që të aplikojmë për statusin e kandidatit në fund të një procesi të tillë dhe për çështje të tjera të karakterit bilateral në mes të Kosovës dhe BE-së”, ka thënë Hoxhaj.

Në takimet e sotme, palët kanë biseduar edhe për temat dhe zhvillimet e fundit në rajon, si dhe tendencat për ndikime të forcave anti-evropiane në Ballkan. Hoxhaj ka theksuar se pavarësisht sfidave Kosova është e palëkundur në orientimin e saj euro-atlantik.

Gjatë ditës së nesërme, Hoxhaj do ta takojë Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), të cilët do t’i njoftojë për të arriturat e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave dhe agjendës evropiane të Kosovës në përgjithësi, thuhet në komunikatën për media.

Image
Enver Hoxhaj dhe Federica Mogherini

Hoxhaj jep detaje nga takimi me Hahn në Bruksel 

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i cili po qëndron për një vizitë dyditore  në Bruksel është takuar me komisionarin e Bashkimit Evropian, Johannes  Hahn.

“Takimi i shkëlqyer me Komisionerin  Hahn. Kosova  ka bërë arritje të mëdha deri më tani dhe ne jemi të gatshëm për të lëvizur në hapin e ardhshëm drejt BE-së”, ka shkruar kryediplomati kosovar në llogarinë e tij në Twitter.

Hoxhaj gjatë ditës ka konfirmuar për klankosova.tv se pjesë e agjendës së vizitës së tij në Bruksel do të jetë edhe diskutimi për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Atje, kreu i diplomacisë kosovare do të takojë edhe shefen për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat