"Qeveria as në tokë as në qiell"

Aktuale

"Qeveria as në tokë as në qiell"

Nga: H.Orana Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 18:20
Qeveria Haradinaj

Ish këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj ka komentuar diskutimin e sotëm rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ishin vetëm propozimet e përfaqësuesit të LDK-së, Avdullah Hoti, që u shndërruan në bosht të diskutimeve të mëtutjeshme.

Gecaj thotë më tutje se përfaqësuesit e qeverisë nuk ishin “as në tokë as në qiell” dhe pritnin që dikush t’ua kryente punët me ndonjë ‘shkop magjik’.

Postimi i plotë:

QEVERI “AS NË TOKË E AS NË QIELL”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi sot një tryezë të diskutimit me temë, “Në kërkim të një konsensusi: Cili duhet të jetë Formati i Ri i Dialogut?”. Nga prezantimet e sotme të shefave të grupeve parlamentare të LDK, LVV, AAK dhe NISMA-s fitohej përshtypja se para të pranishmëve kishim ekskluzivisht përfaqësuesit e opozitës. Glauk Konjufca, si zakonisht kritik dhe sureal, na nxori sot një qëndrim të ri, të “paimagjinueshëm” deri më tani, se Kosova duhej të insistonte të mbahej brenda kornizave të Pakos së Ahtisarit, edhe pse këtë e kishin kundërshtuar dhunshëm në të kaluarën. Këtë qëndrim më-pastaj e sforcuan, si në kohën e “opozitës së bashkuar”, edhe Ahmet Isufi e Bilall Sherifi, të cilët dukej sheshazi se nuk kishin arrit ende të dalin nga lëkura e opozitarizmit. Ishin propozimet e Avdullah Hotit të cilat kishin një bazë reale e racionale, dhe që u shndërruan në bosht të diskutimeve të mëtutjeshme. Në këtë tryezë, u bë po ashtu e qartë se përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk ishin “as në tokë e as në qiell”, dhe fitohej përshtypja se pritnin që punët e mëdha t’ua kryej dikush tjetër përmes shkopit magjik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat