Kush është Shkumbin Mehmeti, të cilin Nazim Bllaca e quante “Diamant”? - Bota Sot
Kush është Shkumbin Mehmeti, të cilin Nazim Bllaca e quante “Diamant”?

Aktuale

E martë, 16 tetor 2018

Kush është Shkumbin Mehmeti, të cilin Nazim Bllaca e quante “Diamant”?

Më: 12 janar 2018 Në ora: 18:52
Nazim Bllaca dhe Shkumbin Mehmeti

Nazim Bllaca e quante “Diamant”. Edhe u fotografuan duke ngrënë bashkë peshk brenda burgut. EULEX’i nuk e mori për bazë pretendimin e tij për të hetuar rastin e njohur si “Nish-Express”, kur ai kërkonte që të bëhej dëshmitar bashkëpunues e të lirohej nga burgu. Por, intervista e parë televizive e Shkumbin Mehmetit bëri buj kur tha që ai di shumë për vrasjet politike të pasluftës. Express sjell një anë tjetër të këtij dëshmitari, i dënuar për vrasje policësh

Është mesi i vitit 2015 dhe ish dëshmitari bashkëpunues i EULEX’it për një seri krimesh të pasluftës, Nazim Bllaca, po komunikonte me zyrtarë të organeve të drejtësisë në Republikën e Serbisë. Nga pavijoni “D” i burgut të Dubravës po shkruante me “Kujtim Shehun”, një emër fiktiv i personit kontaktues të tij.

“Kujtim Shehu” pranon një raport te detajuar nga Bllaca, për kontaktet që ai kishte vendosur dhe po tentonte ta rekrutonte për një nga rastet më të mëdha të krimeve të pasluftës kundër minoritetit serb në Kosovë, sulmi ndaj autobusit “Nish-Express”. Këtij personi Bllaca i referohet si “Diamanti” në letërkëmbimet, një kopje të të cilave e ka.

“Diamanti” del të jetë Shkumbin Mehmeti, një dëshmitar që të enjten mbrëma në “Klan Kosova” tronditi opinionin përsëri me deklaratat e tij se e di kush i ka kryer disa nga vrasjet më të bujshme të pas luftës, dhe pretendohet që ai mund të jetë edhe një dëshmitar i Gjykatës Speciale që aq shumë i druhet klasa aktuale politike kosovare me prejardhje nga ish-Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mehmeti edhe vite më parë në një intervistë në “Koha Ditore” kishte bërë një sërë akuzash të ngjashme.

Por, kush në fakt është Shkumbin Mehmeti?

Ajo që dihet pak më me siguri për këtë person është se ai tash është në burg duke vuajtur dënimin prej 30 vjetësh për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK’ut dhe njëri i Kosovës pas një shkëmbimi zjarri afër Podujevës. Në këtë krim Mehmeti tha më vonë në media se ka qenë pjesëmarrës, por jo kryesor.

Historitë e tjera të marra përsipër nga ai, dhe të rrëfyera si njohuri të tij për krimet, janë marrë me pikëpyetje deri tash, sikurse edhe vullneti i tij për të dëshmuar në rastin e njohur “Nish-Express”.

Për këtë rast, duke e kodifikuar si “Diamanti”, Nazim Bllaca kishte tentuar ta rekrutonte Shkumbin Mehmetin që të punonte si dëshmitar për Policinë Kundër Krimit të Organizuar në Beograd, por i njëjti rast të hetohej paralel edhe nga EULEX’i. U bënë shumë tentativa, por më 9 qershor 2015 krejt kjo histori mbyllet si e dështuar.

“Qellimi im ka qen me ofru dëshmitarin tek Eulex­i, dëshmitarin i cili ishte në gjendje të tregojë çdo gjë që ka nodhur në ngjarjen e Nish Expressit. Eulex­i së pari është dashur me pyet Shkumbin Mehmetin se çka po kërkon e pastaj të kërkojë Eulex nga Shkumbin Mehmeti deklarat apo prova fizike. Këtu ishte problemi askush nuk është budall me dhan dëshmi pa ja plotsuar kërkesat.Unë z.Gjinoviç e kam ofru dëshmitari tek Eulex­i kjo ishtë detyra ime (fjalitë janë të cituara saktësisht siç janë në komunikime, pa u lekturuar)”, i shkruante Bllaca punëdhënësit të tij në Beograd.

Në një komunikim tjetër ai i jep më shumë detaje.

“Përfundimisht  sot  Alani (prokurori Allen Cansick) e  ka  njoftuar  Shkumbin Mehmeitn se nuk  mund  me  nis   rastin  e   Nish Expressit sepse  nuk  ka  prova  shtes  fizike  kështu  që   veç  me  dekleratën  e  një  dëshmitari  nuk  munden  me  fillu  rastin. Unë e kam  lexuar sot  përmbajtjen e   e­mailt  që  Alani  i ka  dërguar   Shkumbin Mehmetit. Unë  desha  të  njoftoj  ty  se  Shkumbin Mehemti  mua  më tha  sot  pasi  ka  pranuar  e­mailin  se  nuk  është  i  gatshëm  me vazhdu  rastin e  Nish  Expressit. Si  përfundim  tema  lidhur  me  Nish  Expressin  mbyllet sot dhe përfundon”, shkruan Bllaca në komunikimet e tij me punëdhënësin në Beograd, një zyrtar i organeve të sigurisë.

Në një komunikim tjetër mes Blacës dhe kontakteve të tij në Beograd bëhet me dije se prokurori i EULEX’it, Allen Cansick  dhe Shkumbin Mehmeti janë takuar më një qershor 2015 dhe Mehmeti ndaj prokurorit ndërkombëtar ka pasur kushte, para se ai të fillojë ta ri-hap hetimin e rasti të njohur si “Nish-Express”.

“Në  këtë rast së  pari  duhet  të  bëhet  një marrveshje  me  shkrim  lidhur me  dy  pika: lirimi, statusi i dëshmitarit  e  pastaj  ky  djali  ta  filloj  procesin”, thuhet në një raport të detajuar që ishte dërguar nga Bllaca në Beograd.

Ky dëshmitar, sipas dokumenteve ishte përpunuar gjatë.

Në një raport të detajuar që dëshmitari i EEULEX’it u dërgon punëdhënësve të tij në Republikën e Serbisë e ku shpjegohet në detaje njohja dhe puna e tij në rekrutimin e Mehmetit, përmenden edhe atë që ai e quajti “çështja e pagës mujore”, që në një komunikim tjetër e sqaron duke kërkuar një pagë mujore prej 500 eurosh nga organet e hetuesisë në Beograd, pagë që do ti vinte përmes të afërmeve të tij që jetojnë në Perëndim. Në e-maila të tjerë ai edhe ankohet që paga nuk po i vije më kohë.

Në rastin e njohjes me Shkumbin Mehmetin, Bllaca e nis rrëfimin kësisoji: “Pasi  jam  vendos në  Burgun e  Dubravës jam  takuar  me  Shkumbin Mehemtin i cili  është i dënuar  për  një   veper  penale  të  kryer  me 23.03.2004  në  afërsi  të  Podujevës  ku  ishin  vrarë  dy polic  njëri  i UNMIK-ut  dhe  tjetri  i  SHPK-së. Për  këtë vepër  penal  në fillim  ishin  akuzuar  13  përsona  më  vonë janë  liruar  12  vetëm  Shkumbin  Mehmeti  ishte  dënuar  me  30 vjet  burg”.

Në këtë raport ai ndanë me punëdhënësit e tij në Beograd edhe një foto personale me Mehmetin e shkrepur më 7 prill 2015, e ku kanë të servuar ushqim peshku.

Bllaca shkruan se “Shkumbin Mehmeti  i  takon  grupit  të  Florim Ejupit, Agron Sylejmenit( i vrarë),Bajram Kiqmarit , Alban Dizdarit, Ruzhdi Shaqirit ( i vrarë) Qerim Kelmendit ,Ibrahmi Kelemndit Xhavit Kosumit etj.”, dhe thotë se Shkumbin Mehmeti “ka  një  prove  që  e  lidh eksplozivin e  përdorur  kundër  Nish Expressit  me një  ngjarje   tjetër  pastaj  Shkumbin   Mehemeti  thot  se  Florim Ejupi  ka  pas mbështetjen  direkt   nga Kadri Veseli   për  rastin e Nish Expressit”, shkruan Bllaca në raportin e tij prej 14 faqesh.

Shkumbin Mehmeti, dëshmitar që mbrëmjen e së enjtes u paraqit në “Klan Kosova” ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë dhe ka folur për veprimtarinë e një grupi të njerëzve, që ai ka thënë se kryen disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë vrasjet politike.

Ai që ka thënë se ishte anëtar i këtij grupi, bashkë me vëllezërit Kelmendi, ka thënë se Kelmendët kanë urdhëruar vrasjen e deputetit të LDK’së, Smail Hajdaraj, dhe të Tahir Zemajt.

Tutje Mehmeti akuzoi se Kelmendët kanë ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasjen e Xhavit Halitit, deputet i PDK’së - por se plani për vrasjen e tij ka ngecur.

Mehmeti ka thënë gjithashtu se vrasja veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa, është bërë nga dora e Agron Sylejmanit, tash i vdekur.

Dëshmitari po ashtu e ka përmendur si të përfshirë në vrasjet e pasluftës edhe vëllain e Lahi Brahimajt, ish-deputet i Kuvendit, nga radhët e AAK’së dhe familjar i Ramush Haradinajt nga ana e nënës.

Shkumbin Mehmeti në një intervistë dhënë shumë vite më parë do të shfaqej me pretendime për njohuri të mëdha në botën e krimit të pasluftës në Kosovë, duke pretenduar se ka informacione për së paku 6 vrasje e kidnapime, derisa rekrutuesi i tij, Nazim Bllaca, kishte pretenduar që ishte pjesë e 17 aksioneve kriminale si vrasje, kidnapime, tentim-atentate, shantazhe etj.

Pas daljes publike të Nazim Bllacës në sheshin në mes Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës në nëntorin e viti 2009 me këto akuza ishte bërë e zakonshme që njerëzit të shfaqeshin në publik me pretendime për të qenë dëshmitarë krimesh, e deri tek personat që besonin që dinin aq shumë informata sa do ta rrënonin krejt skenën politike nëse flasin, siç ishte rasti i Naim Miftarit, për të cilin një panel gjyqtarësh në rastin “Bllaca” pati vendosur se ishte i pabesueshëm, ani pse hapësira mediale për të ishte tepër e madhe./Express

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test