Presidenti Thaçi dekoron kryeministrin Rama me medaljen presidenciale

Aktuale

Presidenti Thaçi dekoron kryeministrin Rama me medaljen presidenciale

Nga: Bota sot Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 19:30
Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me medaljen presidenciale në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij kryeministrit Rama për vizitën në Kosovë, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kreu i shtetit tha se “Sot pata nderin dhe kënaqësinë në autoritetin tim kushtetues dhe ligjor që të ndaj medaljen presidenciale me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë për kryeministrin e Shqipërisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Duke e vlerësuar lartë kontributin e kryeministrit Rama, presidenti Thaçi tha se zëri i tij ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë, por edhe të shtetndërtimit.

“Duke çmuar dhe respektuar shumë angazhimet për konsolidimin e shtetit të Kosovës, në proceset më të vështira që ka kaluar vendi, zëri i Edit ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë së Kosovës, në mbështetje të procesit të shtetndërtimit, edhe tash të konsolidimit dhe të integrimit të Kosovës sa më të shpejtë edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se është një nga momentet më emocionuese të tij. 

“Është pa diskutim një nga momentet më emocionuese për mua. Është një nder i jashtëzakonshëm, dhe dua t’ju shpreh gjithë mirënjohjen time juve personalisht dhe dua të falënderoj Kosovën për këtë emocion kaq të paharrueshëm”, tha Kryeministri Rama.

Presidenti Thaçi tha se projekti i Kosovës së lirë dhe i pavarur, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian është edhe projekt i përbashkët.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat