Krerët shtetërorë thonë se lufta kundër korrupsionit është në rrugë të duhur

Aktuale

Krerët shtetërorë thonë se lufta kundër korrupsionit është në rrugë të duhur

Më: 4 prill 2018 Në ora: 07:41
Mbledhja e Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit

(E plotesuar) - Kosova ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por duhet të punohet edhe më shumë, ndërkohë që vendi ynë ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Kështu thanë krerët e shtetit në takimin e sotëm të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Presidenti Hashim Thaçi tha se janë bërë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizim të vizave.

Ai tha të jetë i vetëdijshëm që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por që duhet të ecet përpara dhe që sfidat të tejkalohen në bashkëpunim.    

Thaçi: Kemi bërë hapa konkret në forcimin e luftës kundër korrupsionit

“Konsideroj se kemi bërë hapa konkret në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave prej 95 kritereve të parashtruara çfarë i janë parashtruar Kosovës me kalimin e demarkacionit dhe nga vizita që kam zhvilluar edhe në Bruksel është konkludim i përbashkët se Kosova ka plotësuar 95 kriteret e nevojshme, të domosdoshme për liberalizim të vizave. Natyrisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një betejë permanente, e vazhdueshme, të cilën e zhvillojnë të gjitha shtetet, madje edhe ato që janë brenda familjes evropiane, por edhe ne në perspektiven tonë konkrete që e kemi”, tha presidenti Thaçi.

Ai është zotuar se Kosova do të vazhdojë edhe më tej të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj përmendi faktin se Qeveria që ai drejton, deri tani ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë për sundim të rendit dhe të ligjit, në të cilat  kryesuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit kanë raportuar për të arriturat, sfidat, por edhe kanë nxjerrë objektiva për të ardhmen, shumica e të cilave ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit.

Haradinaj: Kosova vërtet është serioze në luftën kundër korrupsionit

“Vërtetohet që Kosova vërtet është serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër të gjitha llojeve të krimeve, të kërcënimeve të shoqërisë tonë. Po ashtu, se në këtë proces pra kemi garanci se do të jemi në vazhdimësi të suksesshëm, pra jo vetëm një akt i sotshëm por një proces i garantuar, i suksesshëm, për shkak se po ndodh konsolidimi i institucioneve të rendit dhe të ligjit. Kuptohet, ndjenja dhe përgjegjësia e madhe që kanë bartësit në këto institucionet, po ashtu është garanci e kemi marrë konfirmimin e tyre qoftë për rastet e veçuara ose të shënjestruara, por po ashtu edhe në përgjithësi për luftën kundër korrupsionit. Duke dashur me e konfirmua këtë si proces dhe si garanci, pra që ka përkushtimin e institucioneve të nivelit më të lartë, ashtu siç vërtetohet sot, të bartësve të institucioneve, përkrahjen buxhetore atëherë jam thellë i bindur se Kosova do të kthehet në storie të suksesit në luftën kundër korrupsionit”, tha ai.

Haradinaj ka folur edhe për liberalizimin e vizave të cilën e ka quajtur një çështje më urgjente për të cilën qytetarët e vendit kanë pritur gjatë, ku ai tha se shpreson shumë që në ditët që vijnë Bashkimi Evropian do të mundet të japë lajmin për liberalizimin e vizave.

Në këtë takim, pjesëmarrës ishte edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme dhe duhet të trajtohet çdo ditë nga institucionet kompetente për ndjekjen dhe ndëshkimin e këtij fenomeni.

Lumezi u shpreh se lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme edhe në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe se është një kusht thelbësor për të plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.

Për të treguar rezultate më të mira në luftën kundër korrupsionit Lumezi u shpreh se Prokuroria Speciale duhet të ketë numër më të madh të prokurorëve, si dhe prokuror të specializuar, të cilët janë të përgatitur në aspektin profesional.

Lumezi: Gjatë vitit 2017 ka zgjidhur 412 kallëzime penale për vepra penale të korrupsionit

“Prokuroria e Shtetit gjatë vitit 2017 ka zgjidhur 412 kallëzime penale me 902 persona për vepra penale të korrupsionit, si dhe 402 raste me 550 persona për raste të krimeve ekonomike dhe të krimeve financiare. Të gjithë ne duhet të japim kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha institucionet publike duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e komunikimit me prokurorin e Shtetit për lajmërimin e veprave penale kundër detyrës zyrtare. Sepse kjo është edhe obligim ligjor i të gjitha institucioneve e që në disa raste mos lajmërimi i këtyre veprave penale bart në vete edhe ndëshkimin penal. Institucioni i Prokurorit të Shtetit tashmë ka marrë veprime konkrete në luftën kundër kësaj dukurie dhe ka themeluar mekanizmin që quhen shenjëstërimi i krimeve më të rënda në krye të të cilit mekanizëm është kryeprokurori i Prokurorisë Speciale. Deri më tani në kuadër të këtij mekanizmi kemi shenjëstruar 42 raste të profilit të lartë dhe të cilat janë ngritur 31 aktakuza dhe tashmë jemi në pritje nga ana e gjykatave për trajtim më prioritet të këtyre rasteve”, tha ai.

Kryeprokurori Lumezi tha se kanë intensifikuar luftën që ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, ku sipas tij vetëm në vitin 2017 Prokuroria e Shtetit ka sekuestruar pasuri që kapin shifrat prej 15 milionë eurove. Ndërsa konfiskimet përfundimtare Lumezi tha se ka pasur vetëm për 1 milion e 330 mijë euro.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se janë rritur rastet e shqyrtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që Kodi i ri Penal pritet të miratohet shumë shpejt.

Tahiri: MD ka pasur gjithsej tri obligime të cilat tashmë i ka përfunduar

“Sa i përket përmbushjes së agjendës së reformave evropiane ministria që unë drejtoj ka pasur gjithsej tri obligime të cilat tashmë i ka përfunduar. Të dy ligjet, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe ligji për Prokurorinë e Prokurorin e Shteti siç jeni në dijeni tashmë ka marrë fund në formën vendimtare dhe kanë kaluar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, sa i përket koncept dokumentit për suspendimin e zyrtarëve të lartë publik nga puna në rast të ngritjes së aktakuzës kjo është përfshirë në Kodin e ri Penal”, tha ai.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e ka cilësuar të rëndësisë se madhe miratimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik si dhe Ligjit për Prokurorin e Shtetit, pasi sipas saj, të dy këto ligje kanë qenë kërkesa specifike nga BE dhe miratimi i tyre shënon progres në konsolidimin e kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit.

Hoxha: Progresi i Kosovës në luftën kundër korrupsionit është i pamohueshëm

“Ne kemi kritere dhe kërkesa të qarta sa i përket intensifikimit të luftës kundër korrupsionit dhe është e qartë se lufta kundër korrupsionit do të jetë një ndër sfidat dhe kritere që do të na përcjellë gjatë gjithë rrugës drejt integrimit në BE. Kërkesat në fjalë kanë të bëjnë me ndryshime në legjislacionin në fuqi për të fuqizuar kornizën ligjore kundër korrupsionit por edhe implementimin efikas të këtij legjislacioni. Progresi i Kosovës në luftën kundër korrupsionit përgjatë 10 viteve besoj se është i pamohueshëm, por mbetet ende punë për të bërë. Në këtë drejtim, vlerësoj se institucionet e vendit kanë ndërmarrë iniciativa të ndryshme legjislative që deri më sot kanë mundësuar luftën kundër korrupsionit, por edhe organet e rendit kanë zbatuar ato. Megjithatë, progresi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe kjo është njëra nga kërkesat e BE, që të vazhdohet me punë në këtë drejtim dhe të prodhoj më rezultate konkrete gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Takimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit është ftuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Ka progres në luftën kundër korrupsionit, Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se vendi ynë është duke e kaluar një periudhë të rëndësishme në reformat që janë të domosdoshme dhe që e kanë në fokus sistemin e drejtësisë.

Ai këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit, me ç’rast ka folur për punën e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.    

“Kosova vërtet është serioze në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe se në këtë proces kemi garanci se në këtë proces do të jemi të suksesshëm. Pasi që po ndodh konsolidimi i institucioneve të ligjit. Kosova do të kthehet në storie të suksesit”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu theksoi se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente dhe shpreson se gjatë ditëve në vijim BE-ja do të japë lajmin për liberalizimin e vizave.

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit dhe se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por ka ende për të bërë në këtë drejtim.

Ai gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit e pranoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por ka ende punë për të bërë.

“Gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kosova ka marrë një sërë veprimesh për sundimin e ligjit. Kosova ka miratuar legjislacion për këtë fushë. Kosova ka pasur sfida në zbatimin e legjislacionit. Ky proces që ka për qëllim forcimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit do të ketë mbështetjen time dhe të zyrës sime”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe është rritur buxheti për institucionet e sundimit të ligjit.

Ndër ligjet e miratuara deri më tash në luftën kundër korrupsionit, ai përmendi ligjin për kodin penal, kodin e procedurës penale, ligji për gjykatat, ai për këshillin prokurorial, për policinë, Agjencinë Kundër korrupsionit, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe ligje të tjera.

Kreu i shtetit po ashtu tha se Kosova ka plotësuar tashmë 95 kriteret e domosdoshme për liberalizmin e vizave.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledh Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

I pranishëm në takimin e Këshillit kombëtar kundër korrupsionit është edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat