Quni: Ushtarët e UÇK-së u trajnuan në Bosnje - Bota Sot
Quni: Ushtarët e UÇK-së u trajnuan në Bosnje

Aktuale

Quni: Ushtarët e UÇK-së u trajnuan në Bosnje

Më: 16 prill 2018 Në ora: 21:22
Anton Quni

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh deputet aktual i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur gjerësisht për Betejën e Koshares dhe përgatitjet për të, gjatë një interviste në emisionin “Pressing”, në televizionin T7.

Quni ka treguar për takimet me ministrin e parë të Mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi, në Laprakë.

“Jam lajmëruar tek kolonel Ahmet Krasniqi. E kam njohur nga Zvicra. Menjëherë pas ngjarjeve të marsit, i kemi pasur dy takime të rregullta në Zvicër”, ka rrëfyer Quni në T7.

“Aty i kemi marrë instruksionet kryesore që të përgatitemi, sepse shumë shpejt do të kërkohet nga ne që të marrim detyra dhe përgjegjësi”, ka treguar ish-komandanti.

Quni ka zbuluar edhe detaje të padëgjuara më parë.

“Një pjesë e ushtarakëve kanë vijuar disa trajnime dhe shkollime intensive në Bosnjë e Hercegovinë, kryesisht për udhëheqës të njësive në nivel të brigadave”, ka zbuluar ai.

“Nuk është folur për këtë punë. Ka qenë një aktivitet konfidencial, duke e pasur parasysh se Bosnja e Hercegovina është e përbërë prej disa kombeve, edhe sot ende të armiqësuara”, ka theksuar ai.

Quni ka bërë të ditur se një strukturë e Bosnjës e Hercegovinës ka ofruar trajnimin e ushtarëve të Kosovës.

“Është zhvilluar kurs intensiv i disa ushtarakëve, për t’i udhëhequr brigadat brenda Kosovës”, ka treguar ai.

“Duhet t’i jemi falënderues strukturave ushtarake të Bosnjës që kanë përkrahur kauzën tonë”, ka thënë Quni, duke theksuar se bëhet fjalë për myslimanët dhe kroatët e Bosnjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test