Kush mori medalje për jubileun e pavarësisë nga Hashim Thaçi

Aktuale

Kush mori medalje për jubileun e pavarësisë nga Hashim Thaçi

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 18:52
Hashim Thaçi dhe Bujar Bukoshi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë sot dekorata për “jubileun pavarësisë” për personalitet që sipas vlerësimit të kreut të shtetit kanë shërbyer në periudhat më të vështira për Kosovën, e deri në liri.

Dekorata morën Gjergj Dedaj dhe gjithë familja Dedaj, për siç tha presidenti, “veprimtarinë dhe sakrificën e vetëmohimin e tyre.

“Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si lider politik, Gjergj Dedaj ka internacionalizuar kauzën e Kosovës në botë, ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe është kontribuues i pashoq për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në tri dekada. E madhe është edhe veprimtaria e familjes Dedaj. Për angazhimin e tyre, shumë anëtarë të familjes kanë paguar me jetë në Mejë të Gjakovës, në vitin 1999”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Medalje të dekoratës për Jubileun e Pavarësisë ka marrë edhe Baton Haxhiu nga gjenerata e gazetarëve që raportuan gjatë luftës, si dhe stafi i Radio Televizionit 21.

“Gjenerata e gazetarëve që raportuan gjatë luftës, përveç që kanë informuar qytetarët tanë dhe botën demokratike, kanë qenë edhe diplomatë e politikanë në mbështetje të luftës sonë për liri dhe pavarësi. I tillë ka qenë edhe gazetari dhe intelektuali Baton Haxhiu, të cilin për kontributin e dhënë, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë”, ka thënë Thaci.

Radio Televizioni 21 ka shënuar edhe 20 vjetorin e themelimit të tij. “Në 20 vjetorin e themelimit, prita përfaqësuesit e Radio Televizionit 21 dhe u dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, në shenjë nderimi për kontributin e tyre në sensibilizimin e opinionit publik gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë presidenti.

Medalje mori edhe kryeministri i parë i Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili ishte edhe iniciues i nënshkrimit të apelit të intelektualëve kundër suprimimit të autonomisë dhe pjesëmarrës në Rambuje.

“Sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Ish-kryeministri Bukoshi ka dhënë kontribut të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe punën e përbashkët në institucionet e Kosovës”, ka thënë  Thaçi, i cili dekoroi edhe njërin ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtarin e delegacionit të bisedimeve në Rambuje dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë, Xhavit Halitin.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat