Pse nuk hetohet SHIK-u dhe shërbimet tjera? Kjo është enigmë e madhe! - Bota Sot
Pse nuk hetohet SHIK-u dhe shërbimet tjera? Kjo është enigmë e madhe!

Aktuale

E shtunë, 17 nëntor 2018

Pse nuk hetohet SHIK-u dhe shërbimet tjera? Kjo është enigmë e madhe!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 qershor 2018 Në ora: 20:59
Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë politik që ka kërkuar të bëhet themelimi i një Komisioni hetimor Parlamentar për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Një kërkesë e tillë ishte bërë shumë herë në legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, mirëpo asnjëherë nuk u realizua.

Deri më tani nuk është përkrahur një nismë e tillë as nga grupet Parlamentare por as nga shoqëria civile.

Është jetike që qytetarët e Kosovës të kenë përgjigje rreth vrasjeve politike që janë bërë gjatë periudhës së pas-luftës. Secili hetim i mundshëm jo vetëm ndaj SHIK-ut, por edhe ndaj secilës organizatë që ka dyshime për të do të ishte e mirëpritur, por kjo që ndodh nga disa deputet të caktuar mendoj se është paska e tepërt politizimi.

Flitet dhe është shkruar shumë se SHIK-u mund të jetë i involvuar në vrasjet me motive politike, por është tërësisht e papranueshme, është terrorizuese ndaj qytetarëve që tani të bëhet politikë me gjakun e atyre viktimave politike të vrarë pasluftës dhe të thuhet në publik se ky është i dyshimtë, ose ai është i dyshimtë, pra secili që ka prova duhet të shkoj në Prokurori dhe mund ta padis qoftë në atë vendore apo në atë ndërkombëtare.

Siç dihet kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ishte shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK. Organizatë kjo për të cilën flitet se është e zhytur në krime të ndryshme gjatë veprimtarisë së sajë disa vjeçare. Misioni i saj ka qenë mbrojtja e interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, por dyshimi për një organizatë kriminale është mjaft i madh.

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik Faik Krasniqi thotë se, hetimi ndaj SHIK-ut është dashur të fillojë shumë më herët, edhe pse kjo duket e vështirë të ndodhë pasi SHIK-u ka futur njerëzit e saj në drejtësi.

“LDK-ja ka qenë gjithmonë në pushtet dhe askush nuk e ka penguar që ta bëjë një komision në Kuvend për hetimin e kësaj organizate. Madje, Vetëvendosje patë kërkuar shumë herë një hetim të tillë, por që nuk gjeti përkrahjen e LDK-së”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, ngritja e këtij komisioni në Kuvend do të ndodh vetëm atëherë kur PDK-ja do të jetë në opozitë.

“Njëkohësisht do të ishte mirë të hetohet kjo organizatë, në mënyrë që të pastrohet dhe opinioni ta di se kush kanë qenë pjesëtarët e saj dhe çfarë veprimtari ka bërë. Por duhet të hetohen edhe shërbimet e tjera ilegale që kanë shërbyer për partitë e tjera, si ''Shërbimi i Atdheut'' që ka qenë shërbim i LDK-së”, potencon Krasniqi.

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër politik Leon Duhanaj thekson se kjo puna e SHIK-ut, është bërë tashmë sikur tregimi për nusen ktyneherë kur kanë jetuar në shtëpinë e madhe me shumë anëtarë. “Pa marrë parasysh çfarë ka ndodhë ndonjë lëshim në shpi, pa marrë parasysh nga kush, çdoherë fajin ia kanë lënë nuses”.

Ai thotë se, është e vërtetë që ka pasë SHIK, por nuk është ënde e çartë se krejtë kush ka punuar për të, qoftë në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo edhe jo të drejtëpërdrejtë.

“Pos kësaj, nuk kemi informacione, mbi informacionet që ka mbledhur kjo organizatë. Kush janë njerëzit që mund të jenë të shantazhueshëm, apo që mund të kenë pengesa me zbulimin e informatave të grumbulluara”, shton Duhanaj.

“Pra, ne kemi shumë çarqe individ apo parti, që publikisht vazhdimisht therrasin në hetimin e SHIK-ut por që nuk shkojnë përtej deklaratave. Pastaj e kemi edhe fenomenin tjetër, atë të alibisë dhe, zhvendosjes së vëmendjes së opinionit publik, duke akuzuar SHIK-un për çdo gjë, veç hajt. Ose siç njihet vitëve të fundit fraza e "Klanit Pronto"”, thekson ai.

“Vërtetë duhet të zbardhen aktivitetët e SHIK-ut, ashtu siç duhet të hapën të gjitha dosjet tjera. Por, kujt i konvenojnë e kujt i pengojnë këto informacione, vërtetë është enigmë e madhe. Kjo vlenë posaçërisht për klasën politike të këtyre tri dekadave”, përfundon Leon Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test