Ambasadori i Suedisë në Prishtinë Henrik Nilsson gjatë një takimi me ministrin e Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha i dorëzoi letrën e ministrit të Mbrojtjes suedeze, në të cilën ai shpreh falënderimin për ngritjen e monumentit në Prishtinë për ushtarët e NATO-s dhe të KFOR-it si mirënjohje dhe nderim për kontributin e tyre për lirinë e vendit dhe ruajtjen e paqes në Kosovë nga viti 1999-2018.
Në takimin e tyre të parë, ministri Berisha dhe ambasadori Nilsson biseduan për marrëdhëniet e mira shtetërore ndërmjet dy vendeve e sidomos për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë në fushën e sigurisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Suedisë.
Ministri Berisha e falënderoi ambasadorin Nilsson për kontributin e Suedisë për Kosovën dhe popullin e saj e sidomos për mbështetjen që i ka dhënë FSK-së në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të kërkim-shpëtimit dhe Qendrës së Trajnimit për Kërkim –Shpëtim dhe në fusha tjera.
Berisha dhe Nilsson shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve edhe në të ardhmen.