Retorika kërcënuese e Vidovdanit

Aktuale

Retorika kërcënuese e Vidovdanit

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 19:26
Vidovdani

Qindra qytetarë serbë kanë shënuar të enjten në Gazimestan, Ditën e Shën Vidit, të njohur si Vidovdan. Sikurse edhe viteve të kaluara, ceremonia fetare ortodokse, e njohur si rituali i “këngëve të vajit”, është mbajtur pranë monumentit të Betejës së Kosovës.

Historia serbe, Ditën e Shën Vidit e sheh të pandarë me Betejën e Kosovës, betejë kjo e zhvilluar para 629 vjetësh, si dhe e njeh atë si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht se forcat ballkanike e kishin humbur atë nga forcat e Perandorisë Osmane, ku edhe ishte vrarë princi serb Lazar.

Pas përfundimit të ceremonisë fetare, qytetarëve serbë të mbledhur në Gazimestan, që ishin më të paktë në numër se sa vitet e kaluara, u është drejtuar peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe , Atanasije Jevtiq. Ai, me tone mjaft të ashpra dhe nxitëse, ka kritikuar autoritetet e Serbisë, duke thënë se po i mashtrojnë dhe frikësojnë njerëzit nga, siç e ka quajtur ai, “lumi i Perëndimit”, duke i sprapsur, sipas tij, nga “lufta për Kosovën” .

“Fatkeqësisht, ka të tillë që janë edhe në pushtet, të cilët frikësohen. Qyqarët. Thonë se nuk duan të vriten. Por, mund të vriten fëmijët e Kosovës. Ndërkaq, fëmijët e tyre nuk duan të vriten. Nëse duhet do të japim jetët tona për çlirimin e ri të Kosovës dhe dhëntë Zoti, kështu edhe do të ndodhë”, tha peshkopi Atanasije, duke shtuar se mjaft njerëz në Serbi janë të gatshëm të mobilizohen për të luftuar për Kosovën.

Në anën tjetër, qytetarët serbë që erdhën në Gazimestan për të shënuar Ditën e Shën Vidit, kanë theksuar se kjo festë për të gjithë serbët ka ngjyrime fetare dhe kombëtare.

Një serbe, me emrin Ivana, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Dita e Shën Vidit është e ndërlidhur krejtësisht me Betejën e Kosovës, të vitit 1389.

“Ky është themeli historik dhe shpirtëror i qenies sonë nacionale. Të gjithë serbët i bashkon”, tha Ivana.

Bora Radulloviq nga Gorazhdevci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se festa e Shën Vidit është ndër festat më të rëndësishme ortodokse, sidomos për serbët e Kosovës. Por, sipas tij, kjo festë konsiderohet edhe kombëtare.

“Mendoj që po, kjo është mbi baza nacionale dhe nacionaliste. Por, kjo është edhe festë fetare e jona, sepse ne jemi në vendin tonë”, theksoi Radulloviq.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, në shënimin e Ditës së Shën Vidit, në Gazimestan të enjten nuk ka qenë asnjë nga përfaqësuesit politik dhe institucional të Serbisë.

Pjesëmarrjen në këtë manifestim e kishte paralajmëruar Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Serbisë. Por, Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë leje Vulinit për të hyrë në Kosovë. Për më shumë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar se kushdo që futet në mënyrë jolegale në Kosovë, ndaj tij do të merren masat ligjore.

Ndaj moslejimit të hyrjes së Vulinit në Kosovë, ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, duke e cilësuar si “veprim skandaloz” të qeverisë së Kosovës, “me qëllim që ta poshtërojë Serbinë”.

Në anën tjetër, në Gazimestan janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilët kanë siguruar rendin dhe mbarëvajtjen e manifestimit pa ndonjë incident.

Në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen e siç thuhej bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës. Ky kishte qenë edhe paralajmërimi i luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat