AKK do t’ua hetoj pasurinë këtyre politikanëve, mes tyre Thaçi, Pacolli, Hoti, Rikallo...

Aktuale

AKK do t’ua hetoj pasurinë këtyre politikanëve, mes tyre Thaçi, Pacolli, Hoti, Rikallo...

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 10:09
Konferenca nga Agjencia Kundër Korrupsionit

(E plotësuar) - Agjencia Kundër Korrupsion ka bërë sot përzgjedhjen e zyrtarëve politikë, të cilëve do t’ua hetoj pasurinë e deklaruar.

Në mesin e të përzgjedhurve sipas shortit është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Po ashtu, AAK do të hetoj pasurinë e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ish-ministrit Flamur Sefaj, ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, ministrit të Punës, Skënder Reçica,

Po ashtu, pasuria do t’u hetohet edhe deputetëve Avdullah Hoti, Ilir Deda, Fitore Pacolli, Adem Mikullovci,  Driton Selmanaj, Visar Ymeri, Zenun Pajaziti, etj.

Gazetarët hedhin shortin për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik e ka bërë nga gazetarët e pranishëm, ku u zgjodh vetëm numri tre.

Në këtë mënyrë duke filluar nga  numri tre, çdo personi të pestë zyrtar do t’i bëhet kontrolli i plotë i pasurisë.

Kontrolli i plotë i pasurisë fillon nga Shqipe Kryeziu, këshilltare komunale në Komunën e Rahovecit, dhe përfundon te numri 4748, Sokol Havolli, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës.

Kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli u shpreh se në divizionin për mbikëqyrjen e kontrollit mbi pasurinë 4748 zyrtarë kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, ndërsa këtë e kanë bërë vetëm 467 prej tyre.

Havolli: Vetëm 467 zyrtarë ka deklaruar pasurinë?

“Për vitin 2017 kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë 4748 zyrtarë, këtu kemi deklarime edhe pas mbarimit të afatit me marrje të detyrës së re, kanë deklaruar 467 zyrtarë, 47 raste janë deklarime pas afatit, 25 raste nuk kanë deklaruar fare pasuri gjithsej janë 72 raste të cilat departamenti i parandalimit i ka dërguar në departamentin për veprime tjera hetimore që me siguri nëse nuk kanë arsyetime të mjaftueshme atëherë shumica nga këto do të përfundojnë me kallëzime penale”, u shpreh Havolli.

Havolli tutje gjatë hedhjes së shortit u shpreh se po hasin në vështirësi në zbatimin e ligjit të  ri të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,  derisa shtoi se Ligji mbi Agjencinë dhe Deklarimin e Pasurisë pritet të procedohen shumë shpejt në Qeveri dhe më pas të kalojnë në Kuvend.

 Ai ka folur edhe për punën që Agjencia Kundër Korrupsionit  e ka bërë gjatë këtij viti.

Havolli: Nga janari kemi pranuar 272 raste të reja?

“Nga janari në Agjenci janë pranuar 272 raste, 107 raste janë të bartura nga viti paraprak në 32 raste të vitit 2017 kanë filluar hetimet kurse gjatë vitit 2018 janë pranuar edhe 133 raste. Nga gjithsej këto raste deri më tani në prokurori dhe në Polici i kemi dërguar 35 raste me Kallëzime Penale, 7 raste janë përcjell në organet kompetente për shkelje administrative dhe presim që këtyre zyrtarëve tu shqiptohen masa administrative ose disiplinore. Janë mbyllur 72 raste, ndërsa 158 raste janë nën hetime administrative”, u shpreh Havolli.

Ndryshe, kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit u shpreh se gjatë këtij vitit janë evidentuar 42 raste për konflikt interesi, derisa theksoi se problem vazhdon të mbetet prokurimi publik ku 72 raste janë hapur si të dyshuara për shkelje ligjore.

AKK hedh shortin për kontrollin e pasurisë së zyrtarëve (Drejtpërdrejt)

Agjencia Kundër Korrupsionit po organizon shortin për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Bazuar në Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, kontrollit të plotë të pasurisë së deklaruar, nga ana e Agjencisë do t’i nënshtrohen 20% e numrit të përgjithshëm të listës së zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë e rregullt vjetore.

Por kjo nuk e nënkupton se Agjencia nuk do të merret me pjesën tjetër të listës së zyrtarëve publik aty ku ka mos përputhje konform ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat