Radikalizmi fetar në Kosovë produkt ruso-serb

Aktuale

Radikalizmi fetar në Kosovë produkt ruso-serb

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 30 qershor 2018 Në ora: 21:00
ISIS

Policia e Kosovës, në bashkëpunim më AKI-në, ka arrestuar të premten 3 shqiptarë të Kosovës të cilët po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë dhe vendet e Perëndimit. Ndërsa, një person tjetër i afërt me këta tre të arrestuarit në Kosovë, ishte arrestuar në Gjermani.

Bujar Behrami i cili u arrestua në Gjermani dyshohet se në të njëjtën kohë kur të arrestuarit të kryenin sulm në Kosovë, të kryente edhe ai në Gjermani.

Resim Kastrati dhe Albert Ademaj, të dy nga Prizreni, bashkë me Leutrim Musliun nga Skenderaj, u arrestuan të premten në mëngjes, pasi dyshohen se nën urdhërat e Behramit po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë. Cak të sulmeve dyshohen se kishin hapësirat publike dhe institucionet qendrore në vend.

Por një nga angazhimet politike të disa shteteve në regjion, ka qenë dhe mbetet përpjekja e vazhdueshme për të paraqitur një ndërlidhje mes aspiratave politike shqiptare dhe ideologjive radikale të prezantuara si islamike.

Në ditët e sotme, infiltrimi i shërbimeve serbe në organizatat fetare synim të vetin ka paraqitjen e shqiptarëve si popull me prirje ekstremiste fetare dhe "identitet lindor" dhe një pjesë e rinis tonë e inkuadruar në këto organizata nuk janë të vetëdijshëm se ku janë futur.

Kosova ka qenë për vite me radhë destinacion i shumë organizatave të cilat në Kosovë kanë funksionuar si humanitare. Të njëjtat kanë organizuar edhe aktivitete të tjera, e madje edhe aspekte të edukimit të rinisë.

Situata ka dalë jashtë kontrolli shumë vite më parë. Vetë radikalizimi i grupeve të caktuara, nuk është një situatë e cila nuk ka mundur të parashikohet dhe parandalohet me kohë, në këtë drejtim duhet trajtuar edhe gjendjen e rëndë të rinisë.

Qytetarët e Kosovës do të jenë të rrezikuar nga këto elemente në varësi të konsolidimit tonë si shtet në të gjitha drejtimet. Por, konsolidimi ekonomik si dhe funksionimi i ligjit janë elemente strategjike, të cilat minimizojnë veprimin e çfarëdo kërcënimi.

Është koha e fundit që sistemi i sigurisë së Kosovës të konsolidohet, duke u çliruar nga nepotizmi, militantizmi partiak dhe nga amaterizmi profesional.

Një reformë e sistemit të sigurisë është mese e nevojshme ku do të vendoseshin kuadro të ndershëm, të përkushtuar dhe profesional. Ky është kushti i cili zvogëlon hapësirën e veprimit të çfarëdo dukurie negative përfshi këtu edhe terrorizmin i cili tani më veç është shndërruar në fenomen global. Edhe nëse ka përpjekje të organizimeve të aksioneve të tilla ato do të mbesin të izoluara dëmtuar funksionimin normal të jetës shoqërore.

Ekspertët e fushës së sigurisë, kanë paralajmëruar se tendenca për indoktrinim të vazhdueshëm fetar deri në përmasa të ekstremizmit dhe radikalizmit, influenca për tjetërsim të hapësirave shqiptare, dhe involvimet sektare, ndikimi ruso – serb, janë veprime për paraqitje të shqiptarëve si ekstremistë radikal fetar në Ballkan dhe potencial të akteve të terrorizmit.

Origjina e ekstremizmit dhe radikalizmit nuk buron nga shqiptarët e vërtetë mysliman të Ballkanit. Gjithandej zhvillimet e fundit, paraqesin kërcënim real dhe serioz kundrejt institucioneve të brishta të sigurisë, në secilin shtet të Ballkanit veç e veç.

Nuk ka mëdyshje se nëse ndodhë, përballja me terrorizmin do të jetë kritike, pothuajse do të mbetet sfidë e pa tejkalueshme e së ardhmen së afërt drejt vendeve të Ballkanit.

Siguria Nacionale e Kosovës nuk rrezikohet vetëm nga terrorizmi dhe ekstremizmi fetar, por edhe nga veprime të tjera të kriminale. Ekstremizmi fetar është import tek shqiptarët dhe krejtësisht në shpërputhje me normat bazë të Islamit.

Islami si besim monoteist, fatkeqësisht po keqpërdoret për qëllime të indoktrinimit, me ose pa vetëdijen tonë. Ne mund të shohim pamje tepër çnjerëzore që do ti kaploj vendet e sipërpërmendura, nëse nuk ka masa preventive dhe tepër urgjente për të arritë parandalimin e hershëm.

Këtyre njerëzve iu duhet ndërprerë rruga që nga nisja me masa të ndëshkimit kapital. Këta më së paku i shërbejnë kauzës së Islamit si fe dhe besim që thërret në paqe, përkundrazi veprimet e tilla mund t’iu shërbejnë të gjithë atyre, që Kosovën dhe shqiptarët nuk i duan faktor stabiliteti dhe paqeje në Ballkan.

Është me të vërtetë befasuese të shohësh disa mysliman më mentalitet mesjetar, që pajtohen me ide se myslimanet duhet tu kundërvihen jo myslimaneve, derisa të kenë pranuar islamin. Islami, siç e shohim në Kur'an nuk ka të bëjë fare me këto nocione të shtrembëruara, por përkundrazi kërkon të shpërndaj paqe në të gjitha format.

Fatkeqësisht, feja islame kaq paqësore është keqkuptuar nga shumë njerëz dhe shkaqet e këtij keqkuptimi janë keqinterpretimi i çështjes së xhihadit si dhe keqinterpretimi i fesë.

Këto grupe ekstremiste të cilat veprojnë nuk kanë ndonjë qëllim të pastër për të mirën e fesë dhe njerëzve, i vetmi qëllim i tyre është degradimi i fesë islame dhe përfitimi i tyre, duke dëmtuar kështu imazhin e myslimaneve dhe kombit shqiptar.

Organet e sigurisë duhet të jenë në vëzhgim të individëve, duke hetuar dhe zbuluar aktivitetet e tyre, në mënyrë që të merren masa preventive dhe të ndalohet kjo e keqe që po i kanoset Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat