Thaçi: Prodhimet “Made in Kosova” pjesë e tregjeve evropiane e botërore - Bota Sot
Thaçi: Prodhimet “Made in Kosova” pjesë e tregjeve evropiane e botërore

Aktuale

Thaçi: Prodhimet “Made in Kosova” pjesë e tregjeve evropiane e botërore

Nga: N.Sh Më: 12 korrik 2018 Në ora: 20:03
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, sot ka vizituar fabrikën “Kivo” në Kaçanik, një investim ky kosovaro-holandez, me mbi 110 të punësuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo fabrikë është dëshmia më e mirë se produktet “Made in Kosova”, çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian.

“Unë kam besim se modeli i tillë, çfarë e kemi këtu në “Kivo”, është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimet vendore dhe ndërkombëtare, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin e të investuarit në Kosovë, por edhe dëshmi se pavarësisht prej vështirësive që i kemi si shtet, prodhimet “Made in Kosova” sot janë kudo, janë në Holandë, janë në Gjermani, janë në Francë, janë në shtetet më të rëndësishme evropiane e më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se kjo mundësi e krijuar nga pronarët e fabrikës “Kivo” është një perspektivë e mirë për Kaçanikun dhe një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Me të vërtetë është një perspektivë shumë e mirë edhe për Kaçanikun, për njerëzit e Kaçanikut, për krijimin e vendeve të reja të punës, për punësimin e tyre të mëtutjeshëm, për rritjen e mirëqenies sociale të familjeve të tyre, por edhe mundësi tjetër e një ekspertize për zgjerim edhe në hapësirat e tjera të Republikës së Kosovës”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se kjo është një kompani shembull për të tjerët.

“Unë besoj dhe shpresoj se me përvojën dhe ndikimin që kanë pasur pronarët e kësaj kompanie, kanë bërë një diçka jashtëzakonisht të mirë, që në fakt kemi pasur edhe interesime tjera në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë kryetari Ilazi.

Pronari i fabrikës “Kivo”, Visar Ramajli, ka thënë se kompania merret me prodhimin e produkteve të ambalazhimit fleksibil.

“Është një bashkëinvestim në mes të investitorëve lokalë dhe atyre holandezë, si dhe ka katër vite që operon dhe suksesshëm eksporton në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ramajli.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se institucionet e vendit janë përkrahë ndërmarrësve, që për aq sa kanë mundësi, t’ia lehtësojnë angazhimet për hapjen e mundësive të reja për biznes, për vende të punës dhe për mirëqenie më të mirë sociale.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test