Haradinaj: Kosova mund ta pësojë nëse s’ka marrëveshje me Serbinë

Aktuale

Haradinaj: Kosova mund ta pësojë nëse s’ka marrëveshje me Serbinë

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 17:31
Kuvendi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se në rast të mosarritjes së një marrëveshje me shtetin serb, të gjithë si përfaqësues politik të Kosovës do ta bartin përgjegjësinë.

Ajo që do të ndodhë, sipas tij, është që Serbisë do t’i lejohet të ecë përpara e Kosovë do të ngecë.

Haradinaj ka thënë nëse konstatohet që Kosova nuk është në gjendje për t’u vetorganizuar dhe për ta përfaqësuar veten, atëherë do t’i jepet mundësi bashkësia ndërkombëtare të vendos si në rastin e Rambujesë.

Haradinaj: Nëse s’ka marrëveshje, Serbia avancon drejt proceseve integruese, ne ngecim

“Na po i kthejmë edhe një herë ata në kohën kur nuk kishim institucione, e po i detyrojmë ata me pranuar një fakt që Kosova është aq e brishtë sa ishte para pavarësisë së vet. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk na bëjnë bashkë, nuk vijnë dhe nuk e di a kanë me ardhë në këtë etapë, por nëse nuk vijnë, shikoni, ne do ta bartim përgjegjësinë për mosarritjen e një marrëveshje apo suksesi në mes dy palëve, të dyja janë aspiruese për BE-në, është Kosova dhe Serbia. Me këtë çka do të bëhet, do të ndodhë ajo që tash po ndodhë, do t’i lejohet Serbisë me ecë më përpara në hapjen e kapitujve në mbylljen e tyre, do të avancojë në procesin e vet integrues drejt anëtarësimit në BE, e ne do të ngecim”, tha ai.

Haradinaj ka kritikuar partitë opozitare që gjatë diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e kanë fokusin as tek formula dhe as tek platforma, por e kanë tek fitimi i ndonjë poeni politik.

Haradinaj: Në Kuvend po debatohet vetëm për të fituar ndonjë poenë

“Ka plot elemente që po i diskutojmë sot që kishin mundur me qenë pjesë e një platforme ose e një formule si do të ecim përpara, por nuk po e shoh fokusimin e juaj as te formula as te platforma, fatkeqësisht. Po e shoh që do ta shpenzojmë këtë debat sot në Parlament prapë me i thënë disa gjëra, me i dhanë disa shpjegime, me la ndonjë llogari nga e kaluara ose me fituar ndonjë poen për ato që vijnë ndonjëherë, por nuk po e shoh fokusimin tek një platformë, e tek një formulë, tek një ekip. U nxita prej profesorit Rugova, Naserit, unë kam qenë në luftë, atëherë nuk e kam njohur presidentin Rugova, nuk kam pasur kontakt fizik me të. Bacen Adem nuk e kam pas takuar ndonjëherë, por jam pajtuar prej luftës edhe bollë zorë e kemi pas që Regjep Qosja, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, presidenti Rugova, Veton Surroi, Bajram Kosumi me na përfaqësua e disa të tjerë që kanë qenë aty”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë pati një pyetje edhe për deputetët.

Hardinaj: A doni ta vazhdojmë këtë retorikë pa dhënë ndonjë produkt

“Pyetja ime për Parlamentin është vërtet a doni veç me vazhduar këtë retorikë pa dhënë ndonjë produkt, pa marrë ndonjë rol, pa qenë ndonjë formulë dhe në rregull nëse është kështu, por çka do të ndodhë pastaj me ne, me Kosovën. Vlerësimi se Serbia është e varur prej neve dhe nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës ata e pësojnë një masë, qëndron. Është kusht për ta, është kusht nga BE-ja, është kusht nga të tjerët duhet ta zgjidhin krejt problemet, mirëpo, Serbia ende nuk ka mbërri në atë fazën finale se nëse nuk i ka zgjidhur këto probleme nuk mund të ecë më tutje përpara. Pra, Serbia ka kohë deri ditën kur nënshkruan anëtarësimin në BE, ka hapësirë kohore me manovrua me të edhe nëse ajo ditë është 23, 25, nëse është 23 pra i ka edhe 5 vite. Nëse është 25 i ka edhe 7 vjet, 7 vjet të këtilla për Kosovën në pritje pa një marrëveshje munden me qenë të dhimbshme, munden me na ikë më shumë tà « ri, mundemi me mbet pa këto njohjet, mundemi me mbet në një status quoe si ka mbetur Maqedonia qe një kohë”, tha ai.

Debati për dialogun po vazhdon ndërkohë, në fundit pritet të hedhet në votim një rezolut e propozuar nga Partia Social Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat