Murati: Kuvendi ishte i paorganizuar në sesionin pranveror

Aktuale

Murati: Kuvendi ishte i paorganizuar në sesionin pranveror

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 12:38
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës

Kuvendi i Kosovës përfundoi sesionin pranveror të karakterizuar me punë të paorganizuar, me mungesë të kuorumit, me mos pjesëmarrje në votim duke bllokuar kështu kalimin e shumë ligjeve, e me mos aktivizim të deputetëve për të bërë pyetje parlamentare.

Sipas raportit të Institutit Demokratik të Kosovës për punën e legjislativit për sesionin pranveror, ky institucion numrin me të madh të seancave e ka pasur vazhdime.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se funksionimi i paorganizuar i kuvendit ka ndodhur pikërisht për shkak të mos përfundimit të seancave plenare, por vazhdimit të një seance deri në tre muaj me radhë. 

Murati: Kuvendi kaloi këtë sesion i paorganizuar 

“Ajo çka e ka karakterizuar punën e Kuvendit gjatë këtij sesioni ka qenë një farë funksionimi i pa organizuar i Kuvendit dhe mungesa të shumta të kuorumit, qoftë kuorumit fizik apo kuorumit në votim. Po flas për një funksionim të pa organizuar sepse e keni parë edhe ju që shpesh herë ka ndodhur që është thirrur një seancë plenare dhe nuk ka arritur të përfundohet, mandej është thirrë një seancë tjetër dhe kësisoj ka pasur raste kur kanë qenë dy ose tri seanca plenare të papërfunduara janë grumbulluar një numër shumë i madh i pikave të rendit të ditës dhe si përfundim deputetët kanë mbetur kohë të gjatë në këto seanca. Po e marrë si statistikë, gjithsejtë janë mbajtur 27 seanca, prej tyre 20 kanë pasur vazhdim në ditët tjera, ka ndodhur që një seancë ka vazhduar deri në tre muaj, pra ka pasur seancë plenare që nuk ka arritur të përfundohet për tre muaj”, tha Murati. 

Ai shtoi se kjo legjislaturë e ka humbur atë organizimin që e ka pasur më herët, pasi ka qenë praktikë e paraparë me rregullore, që zakonisht mbledhjet e komisioneve janë mbajtur ditëve të martë dhe mërkurë, e enjtja ka qenë dita e seancave, ndërsa e hëna dita kur Kryesia i ka mbajtur mbledhjet.

Murati: Kuvendi miratoi vetëm 20 përqind të projektligjeve të parapara për vitin 2018

“Në bazë të këtij planit ë punës së Kuvendit për vitin 2018 në agjendën legjislative janë paraparë të shqyrtohen gjithsejtë 135 projektligje, 22 prej të cilave janë bartë nga viti 2017. Në ndërkohë agjendës legjislative i janë shtuar edhe 13 projektligje tjera, që më herët nuk kanë qenë të parapara duke rritu numrin në 148 projektligje të planifikuara për tu shqyrtuar për këtë vit. Për sesionin pranveror Kuvendi ka arritur që të miratoi 33 ligje apo 22 për qind t agjendës legjislative të paraparë për vitin 2018, jo për legjislaturë komplet sepse janë edhe 5 ligje të miratuara në vitin 2017, mirëpo vetëm në vitin 2018 janë miratuar deri tash 33 ligje që i bie 22 për qind. Në ndërkohë komisionet në procedurë kanë edhe 55 projektligje tjera, ose 38 për qind e projektligjeve për momentin janë duke u trajtuar në komisione dhe do të vazhdoj trajtimi i tyre në shtator. Ndërsa 59 projektligje apo 40 për q ind janë në pritje që të arrijnë në Kuvend”, theksoi Murati.

 Në këtë legjislaturë, sipas Muratit, Kuvendi qëndron më mirë në pyetjet parlamentare, porse numri i deputetëve që kanë shtruar pyetje është më i vogël se i atyre që nuk kanë bërë asnjëherë. 

Murati: Mbi gjysma e deputetëve nuk parashtruan pyetje kurrë

“Deri me tani janë shtruar gjithsejtë 238 pyetja parlamentare. Grupi më aktiv ka qenë Lëvizja Vetëvendosje me 79 pyetje parlamentare, pasuar nga LDK-ja me 64 pyetje, PDK me 34, PSD me 31, AAK 14, Nisma 13, Lista Serbe 1 pyetje dhe deputeti i pavarur Sllobodan Petroviq me një pyetje parlamentare. Ajo çka është e rëndësishme të ceket është se 61 deputetë ose me shumë se gjysma e deputetëve nuk e kanë parashtruar asnjë pyetje. Vetëm59 deputetë kanë parashtruar pyetje parlamentare për vitin 2018”, u shpreh ai. 

Sipas raportit të KDI-së, këtë vit janë mbajtur 12 interpelanca prej të cilave 7 janë iniciuar prej LDK, ku tri prej tyre bashkë me VV, e cila po ashtu ka iniciuar 7, duke llogaritur edhe ato tri me LDK-n, ndërsa, PSD një interpelancë

.Gjatë këtij sesioni, Murati tha se 50 përqind e projektligjeve të miratuara kanë qenë të lidhura me agjendën evropiane për liberalizimin e vizave.Pavarësisht numrave, Murtai thotë se nuk mund të thonë se ka qenë sesion i suksesshëm.

Murati: Nuk mund të themi se ka qenë sesioni më i suksesshëm

 “Në përgjithësi nuk mund të themi se ka qenë shumë i suksesshëm si sesion sepse janë numrat por edhe kualiteti i punës që flet. Nuk mund të themi se ka qenë i suksesshëm si sesion nëse kanë dështuar të ratifikohen marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Kuvendi nuk duhet të ngelet i vetëkënaqur me këta numra të cilët i ka realizuar”, shtoi ai.

Murati theksoi se këtë legjislaturë Qeveria e ka neglizhuar shumë Kuvendin, ani pse 38 herë ministrat raportuan në komisione, por që ekzekutivi nuk ka marrë pjesë në seanca plenare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat